Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i gazit “djeg” tregun

Prej më pak se një jave në tregun e brendshëm është vënë re një rritje prej 10 lekë e çmimit të gazit të lëngshëm për përdorimin e automjeteve dhe përdorim familjar, teksa në bursat ndërkombëtare në kontratat e së ardhmes (futures) si çmimi i gazit natyror, çmimi i gazit të lëngshëm për ngrohje, naftës bruto dhe naftës me pakicë ka pasur trend rënës që prej datës 6 janar 2020.

Madje çmimi i naftës me pakicë ka rënë me 0,8 % krahasuar me një javë më parë sipas ycharts.com.

Ana, e cila e ka modifikuar automjetin e saj për ta përdorur me gaz, një javë më parë teksa ka furnizuar makinën ka vërejtur se nga 1200 lekë që paguante më parë, ka paguar 1450 lekë.

Po ashtu Miri, kamarier në një bar-restorant në lagjen “Komuna e Parisit” dhe që sapo ka marrë furnizim me 4 bombula gazi 25 kilogramëshe, tregon për gazetën “Si” se vëren rritje të çmimit të gazit të lëngshëm.

“Herën e fundit që u furnizuam nuk paguam kaq shumë, 7400 lekë për të katërta bombolat”, thotë Miri për Gazetën “Si”, edhe pse nuk sjellë dot ndërmend se sa ka paguar fiks në blerjen e mëparshme.

Në fakt, sipas llogarive rezulton që gazi për përdorim familjar, duke u nisur nga sa ka paguar Miri është më i shtrenjtë se ai që përdoret për makina.

1 bombul 25 kg mban 12,5 kg gaz. 1kg konvertohet në 1,96 litra. Miri rezulton të ketë blerë 1 litër gaz të lëngshëm 75,5 lekë.

Në pikat e karburanteve në kryeqytet këtë të enjten 1 litër gaz i lëngshëm shitej tek “Elda” me 66 lekë, kurse tek “Kastrati” me 69 lekë.

“Po, po është rritur çmimi i gazit prej gati një jave. Por nuk e di pse”, thotë një punonjës tek një nga pikat e “Kastratit”.

Kurse punonjësi tek “Elda” thotë: “Është rritur gazi gjithandej, por ne kaq e kemi pasur prej kohësh”.

Abuzimi me çmimet në tregun e hidrokarbureve nuk është fenomen i ri në vend, por vetë kompanitë justifikohen me infrastrukturën depozituese, tarifat doganore e taksa të tjera, kurse ekspertët vazhdojnë të ngrejnë zërin për treg të përqendruar.

“Është ulur çmimi në bursa i Gazit Natyral CH4 (nën 2 USD) por jo i gazit të lëngshëm të naftës që përdorim ne (propan+butan rafinerie)!. Pra çmimi i gazit tonë varet nga çmimi në bursa i naftës së përpunuar Diesel, Benzinë, Gas auto, etj., që dalin nga rafineritë, jo nga nëntoka siç del Gazi Natyral”, shpjegoni eksperti Vladimir Puka, menaxher pranë “Tetra Oil”.

Megjithatë, vazhdon ai, edhe tregtimi i gazit të lëngshëm dhe natyrisht çmimi i tij në Shqipëri, është i pallogjikshëm për mjaft arsye të “dominimit të i dy-tre operatorëve importues, marrëveshjeve që bëjnë dhe i konjukturave që ofron tregu ynë ende në rregullim e sipër”.

Sipas tij, duhet hetuar në tregun me pakicë për të kuptuar dominimin në treg.

Gati një javë më parë, Konfindustria do t’i bënte thirrje qeverisë të merrte masa të jashtëzakonshme paraprake për të parandaluar spekulimet e mundshme dhe rritjen e pakontrolluar të çmimeve në tregun e karburanteve si pasojë e zhvillimeve të fundit në Iran dhe Lindjen e Mesme.

Mënyra e sotme e organizimit të tregut të karburanteve në vend, do të argumentonte Konfindustria, me shfaqje të përsëritura të sjelljes të tipeve “oligopol”, “kartel”, etj. nga operatorët si dhe shkalla e ulët e kontrollit nga agjencitë qeveritare, rrisin shumë mundësinë e shkarkimit të rritjes së çmimeve në mënyrë të menjëhershme si dhe kostove të spekullimeve shtesë në dëm të qytetarëve dhe biznesit.

“Vlerësohet, se kosto agregate e rritjes në mënyrë të pakontrolluar dhe spekulimeve të mundshme me çmimet e karburanteve në ekonomi, rrezikon të jetë e rendit të qindra milionë dollarëve. Tregu i karburanteve është më i madhi me mbi 10% të PPB-së dhe qarkullim vjetor të njohur, që tejkalon 1,3 miliardë dollarë. Mbi 60% e çmimit fundor të shitjes së karburanteve në tregun me pakicë e përbëjnë taksat dhe tatimet”, do të sqaronte Konfindustria.

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës do të publikonte në 2017-ën rezultatet e një hetimi të thelluar 5-vjeçar në të gjitha segmentet e tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm i naftës për konsum familjar dhe biznes.

Struktura e tregut, sipas Autoritetit të Konkurrencës

Importi dhe tregtimi i GLN-së në territorin e Republikës së Shqipërisë funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të importit, por kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën gjeografike të ish-Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit, duke pasur të “drejtën ekskluzive” për këtë lloj shërbimi në territorin gjeografik përkatës.

Porti Porto Romano i është dhënë me koncesion nga shteti shqiptar, ndërmarrjes “Romano Port” SHA, të formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim, transferim), për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto Romanos, Durrës”. Me anë të kësaj marrëveshjeje, kjo ndërmarrje ka marrë përsipër të ndërtojë dhe të shfrytëzojë pontilin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të infrastrukturës së nevojshme portuale, në funksion të depozitave bregdetare që do të ndërtohen në zonën bregdetare të Porto Romanos.

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, aksioneri kryesor Pirro Bare, ndërmarrja e të cilit është përfituese e koncesionit të “Romano Port” SHA, zotëron:

84% të aksioneve të ndërmarrjes “Romano Port” SHA, që realizon shërbimin e ngarkim-shkarkimit;

50% të aksione në ndërmarrjen “INTER GAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij porti;

100% të aksioneve në ndërmarrjen “A&V GAZ” SHA.

Nëpërmjet ndërmarrjes “A&V GAZ” SHA zotëron edhe 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës.

Porti “Vlora-1″ i është dhënë me koncesion nga shteti shqiptar, ndërmarrjes “La Petrolifera ltalo Rumena” SPA, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës”, si dhe, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës”. Me anë të 2 (dy) marrëveshjeve, kjo ndërmarrje kishte marrë përsipër që brenda afateve të parashikuara në marrëveshje të ndërtonte dhe të shfrytëzonte terminalin bregdetar në portin “Vlora-1″ dhe të infrastrukturës portale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar.

Referuar informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) për vitin 2016, si dhe nga informacioni i grumbulluar gjatë inspektimeve rezulton se tregu është strukturuar sipas niveleve të mëposhtme:
─ Në nivelin e parë (importit dhe shitjes me shumicë) bëjnë pjesë ndërmarrjet “A&V Gaz” SHA; “Kevin gaz” SHA; “AL- GAZ 2015″ SHA; “Kastrati” SHA; “KASTRIOT & PETROL” SHA dhe “Bena Gas” SHA;

─ Në nivelin e dytë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me shumicë të GLN, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Këto ndërmarrje themelohen në formën e shoqërive anonime dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të GLN-së vetëm pas pajisjes me licencë tregtimi. Këto shoqëri kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëri të tregtimit me pakicë të GLN-së, si stacione të shitjes së karburanteve apo njësi të lëndëve djegëse;

─ Në nivelin e tretë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me pakicë të GLN-së, të cilat janë të detyruara të furnizohen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me qëllim shitje tek personat që janë konsumatorë fundorë.

Vlerësimi i kufizimeve të mundshme në treg

Ndërmarrjet importuese dhe shitëse me shumicë “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, kanë një sjellje të bashkërenduar përsa i përket çmimit të shitjes me shumicë të GLN-së dhe ndarjes gjeografike të burimeve të furnizimit, çka mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar në shkelje të nenit 4, pika 1, të Ligjit 9121/2003.
Mesatarja e diferencës “çmim blerje” – “çmim shitjeje” për periudhën objekt hetimi është shumë e ngushtë dhe thuajse simetrike, duke paraqitur sjelljen e njëjtë që kanë ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, gjë e cila në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003, mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar midis këtyre 2 (dy) ndërmarrjeve.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit.

Integrimi vertikal

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, një prej aksionerëve zotëron 99.84% të aksioneve të ndërmarrjes “Romano Port” SHA, zotëron gjithashtu dhe 50% të aksioneve në ndërmarrjen “INTERGAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij porti. Gjithashtu ky aksioner zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “A&V GAS” SHA, e cila kryen veprimtari importi të GLN-së. Gjithashtu, ndërmarrja “A&V GAS” SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në zonën e portit “Vlora-1″, në bazë të marrëveshjes së koncesionit, ndërmarrja “PIA” zotëron me koncesion portin dhe infrastrukturën e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së. I gjithë kapaciteti depozitues i GLN-së i janë dhënë me qira ndërmarrjes “FAM GAS” L.L.C. Ndërmarrja “Kevin Gaz” SHA 100% të sasisë së importuar e realizon nga ndërmarrja “FAM Gas” L.L.C. Aksioneri i ndërmarrjes “Kevin Gaz” SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “Manual Gas” SHPK.

Vlerësimi i pozitës dominuese

Një nga kriteret kryesore, që përcaktojnë pozitën dominuese në treg është pjesa e tregut që zënë ndërmarrjet në tregun përkatës. Përvoja e vendeve të Bashkimit Europian udhëzon, që pozita dominuese nuk është e mundur nëse pjesa e tregut përkatës të ndërmarrjes është më e vogël se 40%. Eksperienca sugjeron se sa më e madhe të jetë pjesa e tregut dhe sa më e gjatë periudha që ndërmarrja zotëron një pjesë të tillë tregu, aq më e mundur është që ky element të jetë një tregues i rëndësishëm për një pozicion dominues dhe të justifikojë në rrethana të caktuara ndërhyrjen e Autoritetit.

Ndërmarrja “A&V GAS” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.9%, kurse ndërmarrja “Kevin Gaz” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.4%.
Treguesi i përqendrimit në import mbetet i lartë për shkak të numrit të ulët të operatorëve, (2) të cilët zotërojnë pjesët kryesore të tregut.

Në përfundim të analizës së pjesëve të tregut për një periudhë gati 5-vjeçare, rezulton se dy ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, kanë zotëruar mbi 70% të tregut dhe në fund të vitit 2016 kanë përkatësisht: 36.9% “A&V GAS” SHA dhe 36.4% “Kelvin Gaz” SHA. Kështu të dy ndërmarrjet zotërojnë një pjesë të madhe tregu, të cilën edhe e mbajnë për një kohë të gjatë, duke u bërë partnerë të paevitueshëm për importuesit e GLN-së, dhe për pasojë duke iu siguruar “dominimin” në tregun përkatës.

Nga se përbëhet gazi i lëngshëm në botë?

Gazi natyror është një karburant popullor në të gjithë botën, por është i kufizuar nga sistemi i tij i tubave; ju duhet të lidheni me një gazsjellës kryesor për ta përdorur atë.

Gazi i lëngshëm është një lëndë djegëse fosile e cila është e lidhur ngushtë me naftën e papërpunuar, të dy përbëhen nga hidrokarbure dhe ndodhen nën sipërfaqen e tokës.

Përmbajtja e lartë e tij e energjisë dhe aftësia për tu djegur lehtësisht në ajër e bën atë një karburant të shkëlqyer për ngrohje dhe gatim. Për më tepër përdoret si karburant për automjete.

Gazi i lëngshëm nuk është një gaz por përkundrazi i referohet një grupi të gazeve hidrokarbure që lëngëzohen përmes presionit. Ky grup përbëhet nga propani, butani dhe izobutani. Gazi i lëngshëm mund të tregtohet e ndarë në gaze individuale ose në raporte të ndryshme që ruhet në enë çeliku. Raporte të ndryshme të gazit janë të përshtatshme për përdorime të ndryshme: butani i pastër përdoret për furnizime më të vogla më të lëvizshme të Gazit të Lnëgshëm, ndërsa bombolat shtëpiake kanë më shumë të ngjarë të kenë një shumicë të propanit.

Si tregtohet?

Lindja e Mesme dominon në këtë treg me një epërsi të konsiderueshme. Arabia Saudite dhe Katari mbajnë vendin e parë dhe të dytë për numrin e përgjithshëm të fuçive të eksportuara në ditë. SH.B.A.-të janë e treta, por prodhojnë afërsisht një të tretën e eksporteve totale të gazit të lëngshëm nga Arabia Saudite dhe Katari.

Vendet nazitike janë ndër importuesit kryesorë të Gazit Natyror me Japoninë që importojnë më të ndjekur nga Kina, India dhe Korea. Vende të tjera importuese të Gazit Natyror përfshijnë Turqinë, Meksikën, Francën, Hollandën dhe Egjiptin.

LPG mund të tregtohet në tregun e derivateve me kontrata përpara dhe shkëmbimi.

Gazeta Tema,  23.01.2020