Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Balluku sherr me Kopac: Nuk do na mësoni ju cilën kontratë të nënshkruajmë e cilin drejtor të shkarkojmë

Si asnjëherë më parë prezantimi i raportit vjetor nga sekretariati i energjisë në komisionin e veprimtarive u shndërrua në një beteje frontale mes ministres së energjisë Belinda Balluku dhe shefit të këtij institucioni Janek Kopac.

Baluku: Ju zoti nuk mund te thoni qe Shqipëria ka bërë regres kur ne bëmë një gjë që kishte tre vjet që rrinte pezull

Kopac: Çdo gjë e shkruar këtu është rezultat i një punë vlerësuese shumë strikte që është bërë nga sekretariati dhe janë rreth 45 ekspertë që kanë punuar për këtë raport, ku gjithsecili ka punën e tij specifike.

Këta ekspertë kanë kontaktuar me antarë të grupeve të përhershëm kanë kontaktuar me ministritë përkatëse disa herë për të gjithë informacionin që është përdorur.

Sekretariati e klasifikoi Shqipërinë si vendin e vetëm në rajon që këtë vit ka shënuar regres me reformën e energjisë. Një nga kritikat në raport ishte zvarritja prej një viti e parkut diellor të akërnisë

Balluku: Unë vij nga fusha e PR, por ju nuk mund të na thoni ne se kë kontratë të nënshkruajmë dhe kë jo dhe kë drejtorë të shkarkojmë dhe kë jo……,

Kopac: Në shkencën e PR-it thonë që nëse e përsërit një gënjeshtër disa herë ajo bëhet e vërtetë. Ajo që ne kemi shkruar për këtë kontratë është se na duket shqetësuese që një vit pas tenderit nuk është bërë asgjë.

Të mbash një vit pezull një tender nuk është mirë. ose shfuqizojë ose finalizoje. pra duhet të bëni diçka, por jo prit prit prit. Investitorët kanë nevojë për stabilitet.

Balluku e akuzoi sekretariatin për qëndrim të njëanshëm në raport, e madje edhe për mungesë transparence

Balluku: Pse nuk na e dërguat draftin paraprak?

Por Kopac tha se drafti i raportit është dërguar dhe ministria ka heshtur.

Kopac: Sigurisht unë do të isha shumë i lumtur që ta ndanim këtë raport paraprakisht me palën shqiptare por do të isha shumë i lumtur që të merrja ndonjëherë përgjigje nga ju sepse përfaqësuesi i ministrisë tuaj në takimin e përhershëm të nivelit të lartë është gjithmonë i heshtur.

Kjo është hera e parë kur qeveria konteston raportin e sekretariatit të komunitetit haptazi në publik.

 

Me poshte fjala e plote e zonjes Balluku ne Komision.

Do dëshiroja që të kaloja në disa çështje të lidhura direkt me kapitujt e këtij raporti, por para se të nisja analizën e tyre po dhe kërkesën për qartësime të disa prej tyre, do doja që të pyesja , cila është metodologjia që ndiqni zoti Kopac për të përpiluar këtë raport? Ky është një raport vjetor, jam pak konfuze me raportet që ju nxirrni, sepse një raport doli në mars, pastaj, ju ishit këtu në fund të janarit i shqetësuar për emërimin tim që kishte krijuar në ato vetem 15 ditë vonesa përsa i përket reformës së energjisë dhe ndërkohë kemi serisht një raport diku pa u mbyllur 2019-ta, që unë e lexoj si raport vjetor.

 

Para se unë të nis pyetjet për të gjithë kapitujt ku ne kemi shqetësimet tona, dhe për të thënë të drejtën si procedurë kjo duhet të ishte bërë kur ky raport të ishte draft sepse të gjitha entet ndërkombëtare përfshi këtu Bankën Botërore, përfshi këtu Komisionin Europian apo çdo ent tjetër auditues dhe rregullator, i nis palës së audituar draftin për komente dhe më pas nxjerr raportin përfundimtar.

 

Zoti Kopac, para se unë të vazhdoj me pyetjet për kapitujt, do kisha shumë dëshirë dhe besoj do kenë edhe deputetët, të kuptojnë që ky është një raport vjetor për vitin 2019 dhe nëse është i tillë këtë vit pse nuk e keni aplikuar dërgimin e draftit, pasi vitet e mëparshme keni dërguar të gjitha draftet dhe këtë e kam të vërtetuar pasi zotërinj në tryezë dhe zonjat, janë pjesë e ministrisë së Energjisë, prej shume ,  pra ata janë mësuar të marrin një draft, të cilin nuk e kanë marrë këtë vit, pavarësisht se zoti Simaku ia ka kërkuar njërit prej pjesëtarëve të Sekretariatit dhe i është thënë që dërgojeni me shkrim, do ta mendojmë dhe ndoshta do t’ua dërgojmë etj, përgjigjem e kemi të faktuar.

 

Ndoshta mungesa e zonjës Cipa, e cila ka qenë dhe pika e kontaktit atje ku dërgonit draftin, do ketë bërë që mos të na vinte ky draft, megjithatë zonja Cipa ndodhet në ministrinë e Kulturës, si Sekretare e Përgjithshme, nuk e di nëse ja keni dërguar ministrisë së Kulturës këtë vit.

 

I nderuar zoti Kopac, kam nevojë që të qartësohem si Ministër i infrastrukturës dhe Energjisë, cilën metodologji përdorni për këtë raport dhe nëse ky raport është vjetor, apo çfarë raporti është sepse brenda 2019-ës keni ardhur dy herë për të relatuar në këtë komision.

 

I nderuar zoti Kopac, pavarësisht se nuk kam qenë nga fillimi seances,  megjithatë gjeta mundësinë që të vija, pra pavarësisht se kam marr njoftim në moment të fundit. Ju ndoshta sot duhet të ishit në Ministerialin e  Moldavisë, por erdhët në Shqipëri si gjëja më e rëndësishme, për të prezantuar këtë raport.

Ju si i vjetër në detyrë nuk m’u përgjigjët një pyetje shumë të thjeshtë. Pse këtë vit drafti nuk i është dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për komente. Më thatë për një kontakt të intensifikuar me ekspertët, por ju nuk e dini se çfarë ka ndodhur me zotin Simaku. Ministria e Energjisë, si nderfaqe për Sekretariatin ka zvmin Z.Bejtja dhe Z. Simaku. Në rast se nuk keni kontaktuar me këta dy ekspert, me cilët ekspertë e keni fjalën që keni kontakte të intensifikuara sepse përmendët 45 por ndërkohë ne dy kemi.

 

Shikojeni zoti Kopac sepse nuk e keni nisur draftin sivjet. Si duket lëvizjet e reja në administratë nuk ju kanë frymëzuar për nisjen e draftit, por unë besoj që ju e keni detyrë pasi jeni drejtori i Sekretariatit dhe juve nuk keni pozicione personale apo jo? Pozicionet tuaja janë profesionale pastaj si i vjetër në detyrë ndoshta nuk ju lejohen këto gabime.

 

Ndërkohë do desha të kaloja, meqenëse më siguruat dhe më informuat që ky është draft anual, pavarësisht se e re  në detyrë sipas jush, isha e sigurt për këtë, por ju duhet ta thoni publikisht që ky është draft anual. Tani mund të vazhdoj me radhën time dhe të rreshtoj të gjitha arritjet që Ministria e Infrastrukturës, OSHEE-ja, OST-ja, KESH-i dhe ERE, në bashkëpunim dhe në mbështetje të fuqishme nga parlamenti shqiptar kanë bërë gjatë vitit 2019 dhe ju dhe 45 ekspertët nuk patët mundësi ti pasqyronit në anual raportin për Shqipërinë.

 

Zoti Kopac do them fjalinë e fundit të parën. Ky raport nuk krijon probleme Belinda Ballukut personalisht, ky raport cenon imazhin e Republikës së Shqipërisë, një imazh të cilin ne që të gjithë së bashku të majtë, të djathtë, në qeveri apo në opozitë, punojmë fort për ta ngritur zoti Kopac. Dhe ju vini nga një vend jo shumë ndryshe nga Shqipëria, pavarësisht statusit të vendit anëtar të BEdhe duhet të dini sesa mund i duhet një vendi të Ballkanit për të arritur dhe për të qenë në përputhshmëri me kërkesat e BE. Ne po punojmë fort dhe nuk e meritojmë që të na cenohet imazhi i asnjë institucioni, nga gabime të cilat deri tani i keni pranuar nja 3.  Që nga mos dërgimi i draftit dhe deri tek disa çështje të rastësishme që ndoshta nuk janë reflektuar Z. Kopac.

 

Shkruhet në raportin tuaj që ne nuk kemi arritur kërkesat të cilat na janë bërë prej vitesh. Në vitin 2016 Shqipëria ka deklaruar dhe është angazhuar që për herë të parë, të aprovonte dhe të krijonte Bursën ENergjitike,  për të krijuar kështu , si rrjedhojë tregun e lirë energjetik. Vetëm në maj të vitit 2019 Këshilli i Ministrave ka aprovuar krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë. Për më tepër, nga muaji Maj dhe deri më sot ne kemi përmbushur të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që e bëjnë këtë Bursë funksionale. Ju nuk mund ta quani këtë thjesht një veprim në letër, siç përmendi dhe deputeti Beqaj.  Ky është plotësimi i një procesi. Proceset administrative plotësohen me letra, me akte ligjore dhe nënligjore. Sot, Republika e Shqipërisë, gjatë vitit 2019 nuk e meriton Z. Kopac nga 52%  të zbresi në 50%, sepse ka plotësuar një kërkesë dhe një rekomandim tuajin pas 3 vitesh dhe është  pikerisht kyviti kur Sekretariati duhet t’i jepte Shqipërisë atë që meritonte, për këtë veprim dhe procedurë të kryer. Ju, besoj nuk i referoheni likuiditetit që duhet të ketë Bursa, sepse ka shtete që ju e dini shumë mirë që e kanë Bursën operative prej vitesh, por akoma nuk kanë as 10% likuiditet në to.

Do t’i referohem më pas, jua tha deputeti Beqaj, por unë dua t’i referohem zyrtarisht si titullar institucioni dhe duke qenë se mbaj përgjegjësi për administratën të cilën drejtoj.

 

I nderuar zoti Kopac, nuk e di pse besoj që kjo duhet të adresohet direkt tek ju dhe jo tek 45 ekspertët tuaj, sepse jam e sigurt që 45 ekspertët nuk kanë as interes dhe as opinion personal për çështjen dhe ky është një opinion i juaj.

 

Në raportin për Shqipërinë ju keni shkruar që largimi i një drejtori ka krijuar vonesë në implementimin e efiçencës së energjisë. I nderuar Z. Kopac, nuk besoj se as ju dhe askush në këtë tryeze dhe as në rruzullin tokësor, beson që largimi apo afrimi i një personi të vetëm mund të ndal reforma. E keni dëgjuar këtë shprehjen? Askush nuk është i pazëvendësueshëm?  Sidomos reformat nuk varen nga persona i nderuar zotëri. Varen nga angazhimi dhe dëshira politike e një qeverie për të qenë në përmbushje të kërkesave dhe kushteve të Bashkimit Europian, pa qenë nevoja që t’i kujtohet nëpër raporte,  të cilat mbajnë emrin Albania, i nderuar zoti Kopac. Askush nuk ka të drejtë në raporte qe i referohen Republikës së Shqipërisë të përmenden emra drejtorësh të cilët ikin e vijnë dhe sigurisht nuk mbajnë as peshën e reformave dhe as janë ata arsyeja pse reformat bëhen në këtë vend.  Askush dhe as unë, nuk e ka këtë privilegj për të qenë shtytës apo ndalues reformash. (Pergjigje per referencen e faqes 25 ne raport)

 

Zoti Kopac i keni lejuar Sekretariatit, 45 ekspertëve të tij dhe vetes tuaj të merrni një përgjegjësi që do t’ju këshilloja mos ta merrni.  Pavarësisht se nuk ndodhesha në këtë sallë, ju kam dëgjuar nga radioja e makinës tek analizonit në një mënyrë shumë të detajuar, që për të thënë të drejtën një rregullator apo një ent rekomandues siç jeni ju, nuk ka nevojë të hyjë në detaje të tilla, sesi Republika e Shqipërisë, e keni lënë dhe me shkrim,  duhet të firmose.  Ju sugjeroni, Sekretariati sugjeron, që Republika e Shqipërisë të firmos kontratën me fituesin e ankandit të Akërnisë dhe më pas të rregullojë kuadrin ligjor. Jeni i sigurt Z. Kopac që duhet firmosur ajo kontratë? Se unë për të thënë të drejtën, pavarësisht pozicionit që kam, dëgjoj ekspertët e mi nëse një kontratë duhet firmosur apo jo, sepse ajo kontratë Z.Kopac mund të ketë probleme juridike, mund të ketë probleme teknike dhe ja pse procedura europiane e ankandit,  se nuk e kemi shpikur ne,  parashikon, zhvillimin e ankandit dhe më pas fazën e negocimit. Jeni i sigurt Z.Kopac që 45 ekspertët tuaj duan të marrin përsipër këtë përgjegjësi dhe t’i kërkojnë një shteti që të firmosë apo të mos firmosë një kontratë? U bënë shumë pyetje,  por do të jem shumë e vëmendshme kur të jepni përgjigje ngaqë dua të krijoj eksperiencë nga vjetërsia juaj.

 

Kam një pyetje tjetër zoti Kopac, për të vazhduar dhe për të krijuar bagazhin tim të eksperiencës,  pavarësisht se kam më shumë se 25 vite punë në pozicione drejtuese dhe në një fushë ca më të komplikuar se energjia (aviacioni). Keni të njëjta qëndrime me të gjitha shtetet apo siç deputeti Beqaj tha , 3 vitet e fundit i është dashur të jetë në polemike me ju, pasi ndoshta ju,  jo në mënyrë të vetëdijshme keni një pozicion që Shqipëria nuk e meriton. Shqipëria po bën hapa që shtetet e tjera i kanë bërë në dekada.

Z.Kopac, i tregoni ju Austrise nëse duhet  të heq një drejtor, apo duhet të mbaj një drejtor në një ministri? Po Italisë, Z.Kopac, i tregoni kë kontratë duhet të firmosë dhe kë jo. Ja lini në raport të shkruara këto? I thoni shtetit italian, ju lutem firmosni këtë kontratë sa më parë dhe më pas rregulloni kuadrin ligjor?

 

Z.Kopac të flasësh në vitin 2019 për energjinë e rinovueshme që janë bllokuar kontratat dhe investimet, në rastin më të mirë mund të emërtohej si naivitet. Ky është viti i parë, zoti Kopac që Shqipëria ka bërë atë që Bosnje Hercegovina, e cila ka marrë nja 3 pikë më shumë në raportin tuaj, nuk do ta bëjë dot për shumë vite, pasi keni miratuar atje  ndërtimin e një TEC-i me qymyr, 400 MW. Ndërkohë që Shqipëria në këtë vit ka lidhur kontratën  me autoprodhuesit e energjisë diellore,  duke nxitur ekonominë vendase që është shumë e rëndësishme për ne.  Sot kemi kontrata të vërteta,  jua  tha dhe deputeti Beqaj,  kontrata qe kane  sjellë uljen e    kostove të prodhimit dhe si rrjedhojë  uljen e çmimeve  në treg. Pra të gjitha veprimet që kemi bërë në fushën energjetike sot kanë impakt në ekonominë e vendit tonë.

 

Më lejoni t’ju sqaroj diçka përsa i përket energjisë së rinovueshme.  Diversifikim i energjisë në Shqipëri nuk do të thotë, diversifikim i energjisë së rinovueshme. Shqipëria i nderuar Z. Kopac, sic jeni në dijeni, prodhon 100% energji të rinovueshme.  Problemi energjitik shqiptar dhe unë do t’i bëja thirrje të nderuarit sekretariat dhe të 45 ekspertëve të tij që të ndihmonin Shqipërinë dhe te  sygjeronit  një zgjidhje me ekspertizën e tyre dhe vjetërsinë tuaj në punë,  sesi ne mund të zgjidhim problemin e qendrusshmërisë dhe sigurisë energjetike. Diversifikimi i burimeve energjetike në Shqipëri nuk do të thotë vetem diversifikim i burimeve të rinovueshme. Do të thotë krijimi i sigurisë energjetike. Në kohë thatësire ne kemi varësi nga moti. Na duhet që të blejmë dhe importojmë me çmime shumë të larta, prodhimet e TEC-eve me qymyr në Ballkan, atyre të cilat besoj bien ndesh me politikën tuaj të ambientit që sapo lançuat në këtë tryezë.

 

Shqipëria duhet të zgjidh problemin e energjisë së qëndrueshme dhe sigurisë energjetikea,  të cilën ne po e zgjidhim me forcat tona edhe përmes rritjes së kapaciteteve të linjave të transmetimit. Shqipëria është avangard Z. Kopac dhe gjeni forcën që ta thoni këtë dhe ti jepni një shtysë pozitive këtij sektori  në Shqipëri, është avangard përsa i përket energjisë së rinovueshme. Askush në Europë nuk prodhon kaq shumë energji të rinovueshme sa prodhon Shqipëria, 100% dhe ju Z. Kopac këtë duhet ta pohoni dhe ta shkruani në raportet tuaja, sepse përveçse ne prodhojmë 100% energji te rinovueshme hidro, kemi filluar gjatë këtij viti të prodhojmë energji edhe nga panelet solare dhe së shpejti edhe nga paraqet eolike. Përdoreni Shqipërinë Z. Kopac si një shembull i mirë, si për rajonin ashtu dhe për Europën.  Eshtë e lehtë të godasësh nga pozicioni që ju keni, nga pozicioni i rregullatorit, por nuk është e lehtë nga c’duket për të thënë të drejtën që të ndihmosh dhe të jesh konstruktiv.

 

Pavarësisht këtij raporti ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë Z. Kopac. Edhe pa ata drejtorë që nuk janë sot me ne por që kontribuojnë fuqishëm me eksperiencën e tyre në Ministrinë e Kulturës , pasi ne kemi nevojë dhe në atë fushë që të kemi ekspertizë të mirë. Megjithatë ekspertët janë këtu në tryezë, kanë qenë gjithmonë dhe do vazhdojnë të jenë këtu , por ju Z. Kopac nuk na tregoni dot kur duhet të firmosim kontratat, nëse ato nuk janë në përmbushje të legjislacionit shqiptar dhe pastaj të rregullokemi ligjin. Ju Z. Kopac nuk na tregoni dot kë të emërojmë apo kë mos të emërojmë, ju Z. Kopac duhet të na tregoni a kemi bërë hapa përpara ashtu siç kërkohet nga rekomandimet tuaja. A kemi aprovuar dhe përmbushur të gjitha kushtet për funksionimin e Bursës Energjetike Shqiptare? A kemi nisur ne procesin e Unbundling ? Keni thënë zoti Kopac se nuk jeni njoftuar per ecurine e procesit Unbundling.  Mua më vjen shumë keq se është hera e disatë sot që me fakte dhe letra – dhe ju do thoni prapë nuk kemi dijeni, por ky nuk është problemi im – më duhet t’ju tregoj dhe do t’ua kaloj të gjithë kolegëve deputetë sesi ju jeni njoftuar. Thatë nuk kemi marrë kurrë një njoftim zyrtar. Ju jeni njoftuar, Dirk Buschle, nëse punon akoma për ju, unë di që është nëndrejtori si Sekretariatit, pasi ju vini vetëm për të bërë prezantimin e raporteve negative, ndërkohë ai vjen dhe ulet me ne.  Dirk Buschle, ka marrë njoftim për të njoftuar të gjithë Sekretariatin. Më vjen keq nëse e ka mbajtur për vete këtë si informacion dhe nuk e ka ndarë me ju.  Ne ja kemi dërguar zyrtarisht. Këtu është email ku është njoftuar që Shqipëria do të nis, ashtu siç ka premtuar dhe do të vazhdojë rrugën për në Unbundling . Ne kemi mbyllur të gjithë procesin Z. Kopac dhe ju jeni në dijeni fatkeqësisht. Dhe u bënë shumë çështje të cilat keni harruar që ti pasqyroni në raportin tuaj dhe detyrimisht më lind e drejta të mendoj që nuk është më një gabim. Një gabim Z. Kopac do të thotë të harroni një fakt. Gabim Z.Kopac,  është kur filloni dhe jepni këshilla, të cilat janë jashtë tagrit tuaj, siç është ajo lidhja e kontratës së Akërnisë apo kë emërojmë dhe kë shkarkojmë, por ndërkohë nuk e kemi shkarkuar, dua që të jesh i qetë. Zonjën e kemi çuar me rritje.  Eshtë Sekretare e Përgjithshme sot.

 

Ndërkohë detyra juaj  Z. Kopac është të identifikoni arritjet tona dhe apo cfarë nuk kemi bërë, po ju nuk  keni marrë parasysh asnjë nga arritjet tona, as edhe një.

 

Kështu që, siç ju thash, fatkeqësisht unë nuk mund të besoj më se këto janë gabime.  Ju nuk e keni pasqyruar krijimin e Bursës, ju nuk keni pasqyruar që unbundling vazhdon dhe në datën 31 dhjetor, pra për dy javë, do jetë funksional. Z. Buschle, zv juaj,  i ka të gjitha këto informacione. Ju keni harruar të na dërgoni draftin Z. Kopac, për herë të parë këtë vit, pavarësisht se ja dërgoni të gjitha shteteve.

 

Ca si shumë rastësi. Unë shpresoj shumë që të jenë rastësi se unë me “karrierën time të re” ,  do demotivohem dhe nuk e di si mund të ec përpara dhe të vazhdoj këto procese kaq të rëndësishme nëse ju nuk na  konfirmoni :  ok këtë proces  e mbyllët, vazhdojmë me tjetrin.

(Pergjigje e thenies Kopac  une jam lajmetari)

Z.Kopac nje  gjë që nuk bëjmë ne në Shqipëri , nuk vrasim kurrë lajmëtarin. Keni dëgjuar për Kanunin? Lajmëtarin dhe mikun ne nuk e vrasim kurrë, kështu që as ju mos e kini merak por , siç thash kam përshtypjen që ju nuk jeni thjesht lajmëtari.

 

Ju kërkoi zonja deputete Gjerneni që meqenëse nuk e keni dërguar draftin kete vit, nuk e keni,  pasi ju vetë pranuat,  a do te ishte e mundur pavarësisht se u bë publik, këtë ta konsiderojmë si një debat për draftin dhe të ulemi së bashku dhe të pasqyrojmë çfarë ne kemi bërë dhe ju keni harruar ti pasqyroni, pasi mungesë komunikimi nuk ka pasur.  Më vjen keq, këtë kisha vendosur te   mos ta thoja, por më duhet ta them. Kemi marr një email në javën e tërmetit me tre rreshta. Rreshti i parë thoshte shpresoj të jeni mirë, I dyti ndihemi solidar me hallin tuaj dhe vazhdonte rreshti i trete , të lutem Ilir (Bejtja)  më informo ç’bëhet më Unbundling .Ishte vetem  data 2 dhjetor. Kështu që ne, e ke Ilir me vete email, sepse jemi shokuar nga ai email me 3 rreshta. Rreshti i parë shpresoj të jeni mirë, jemi solidar me çfarë ju ka ngjarë, ç’po bëni me Unbundling ?

 

Kështu që ne e kemi shumë intensiv, Znj. Gjermeni komunikimin me Sekretariatin e Energjisë edhe në ditët e tërmetit. Ilir Bejtja ka qenë i ngarkuar në shtabin e Durrësit, ishim akoma duke nxjerr kufoma, por Z. Buschler  donte të dinte ç’bënim me unbundling . Kështu që më besoni Zn. Gjermeni, ne nuk lemë ditë pa komunikuar me Sekretariatin. Unë nuk e di pse 45 ekspertët e Sekretariatit nuk marrin parasysh informacionet tona dhe faktin që Z. Kopac u përgjigj dhe tha: Jo, raporti ky eshte  bëni ç’të doni nuk ndryshon. Z. Kopac, ju e kuptuat që nuk na e keni dërguar draftin,  Nuk kemi të drejtë ne në Shqipëri të kemi të njëjtin trajtim me shtetet e tjera? Shtetet e tjera e kanë marrë draftin, edhe ne duhet të kishim draftin, të bënim komentet tona mbi të, kështu e nisa dhe fjalën time. Eshtë një e drejtë e të audituarit që të marrë draftin, të bëj komentet dhe më pas audituesi të shpall raportin final.

 

Kjo është e nje  drejtë dhe e bën çdo institucion,  Komisioni Europian, e bëjnë të gjithë, kushdo që prodhon raporte.  Ju nuk mund të jeni kaq refraktar. Po tregoni përpara kamerave dhe të gjithë deputetëve që ju nuk keni dëshirë të jeni bashkëpunues dhe kjo është e tmerrshme se të jetë qendrim personal ok, por ju këtu jeni në këmbë dhe si përfaqësues i Sekretariatit. Sekretariati nuk është refraktar. Sekretariati është për të bërë politikat energjetike europiane. Eshtë aty për të ndihmuar shtetet, jo për t’i treguar shteteve që kjo është pasqyra, nëse ju pëlqen pamja është ok, nese jo … Ne na pëlqen shumë pamja, por ne deshëm pamjen e vërtetë. Ju na keni futur tek ato pasqyrat e lodrave, ato që të shtrembërojnë dhe nuk tregojnë pamjen siç është aktualisht.

 

Ndaj unë them për të treguar bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi, Shqipëria dhe Sekretariati, pranonin sugjerimin e deputetes Gjermeni dhe rishikojmë draftin. Pra ta konsiderojmë draft dhe  të bëjmë ne komentet tona i nderuar Z. Kopac dhe ju pastaj me radhën tuaj botojeni raportin si të miratuar.

 

Thatë që ishte template dhe not a long story. Për të thënë të drejtën në detajet që ju keni hyrë duke i treguar shtetit shqiptar kë do emërojë I keni rene ju shume gjate.  Më thatë që vetëm me këtë u morëm. Nuk eshte e vertete,  jo unë u mora me APEX, unë u mora me unbundling , unë u mora me renewables, unë u mora me autoprodhuesit, unë u mora me linjat e transmetimit. ERE u mor me detaje sa dhe kryetari I komisionit u detyrua t’i tërhiqte vëmendje që të ishte pak më sintetik.  Pra ne te gjithe u morëm me gjithçka qe ndodh sot ne fushen energjitike, por ju dëgjuat vetëm atë që ndoshta është dhe meraku juaj më i madh.

 

Po e përsëris dhe një herë si person PR politik që thatë se jam, sepse përsëritja është mëma e dijes sidomos në tryeza të tilla. Asnjë qenie humane nuk është e pazëvendësueshme, asnjë person, as unë, asnjë drejtor dhe askush në këtë botë nuk është i aftë të ndalojë apo të çoj reforma përpara I vetëm.  Ne në Shqipëri besojmë që kjo bëhet vetëm me angazhimin e të gjitha palëve politike, kjo bëhet me punën e të gjitha skuadrave.

 

Kështu që dhe një herë, Z. Kopac, ju që nuk e kishit një histori të gjatë dhe e kishit të shkurtër,  arritët që të shkruanit sesi duhet të firmosnim kontrata. Po ju jap informacion mqns e keni futur në raportin që mban emrin Albania dhe keni bërë gabim, por per dijeni kompania nuk përmbush kushtet për momentin  ndaj kontrata  nuk eshte firmosur. Mos e merrni këtë përgjegjësi Z. Kopac. Nuk ju takon juve t’i thoni shtetit nëse duhet të firmos ose jo kontrata sepse pastaj i bie që jeni palë dhe unë e di që Sekretariati nuk është palë.

 

Z.Kopac, ju një historie të shkurtër që janë thjesht arritjet e shtetit shqiptar gjate 2019,  i ratë shumë gjatë duke u marrë me gjëra jashtë tagrit tuaj, si emërimet, shkarkimet apo firmosjet e kontratave. Në energji nuk kemi investime per momentin Z. Kopac, sepse dhe ai investimi që permendet ju me 59.9 eu/MW është ca i lartë dhe behet fjale per 15 vite me PPA. Dëgjova që thatë se disa turq në Maqedoni nuk kishin kërkuar as PPA. Ndoshta do mundohemi dhe ne të hapim ankande ku mos ta kërkoj kush PPA-në dhe juve të Sekretariatit të mos na thoni se çfarë duhet të firmosim dhe çfarë jo, sepse nuk është në tagrin tuaj dhe pa dashje merrni njolla që nuk duhet.

Tema,  18.12.2019