Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thatësira prek dhe KESH, si po menaxhohen kostot

Intervistë me administratorin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), z. Benet Beci

Për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), 2018-a ka qenë një vit pozitiv, i ndihmuar nga moti i favorshëm. Kjo ndikoi në rritjen e investimeve, shlyerjen e detyrimeve korente dhe pagesën e 57 milionë lekë detyrime ndaj banorëve të përmbytur në vitet 2010-2011. Por situata ka ndryshuar në pjesën e parë të vitit 2019, për shkak të thatësirës së tejzgjatur.

Administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, z. Benet Beci, pohon se në këto kushte, aktiviteti i Korporatës, ka rezultuar dhe do të vijojë të jetë i kujdesshëm dhe i mbështetur mbi principet e operimit sa më eficient dhe menaxhimit sa më të mirë të kostove, me synimin për të pasur një rezultat financiar sa më të kënaqshëm

Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin 2018, në drejtim të treguesve financiarë, investimeve?

Aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., për vitin 2018, u karakterizua nga zhvillime pozitive në pjesën më të madhe të vitit, nga ku si rezultat i kushteve të favorshme klimatike, në pjesën e parë të vitit, u arrit që në fund të 2018, të prodhoheshin 5,851 GWh, ndryshe 68.4% e prodhimit vendas, apo rreth 76% e konsumit.

Të ardhurat totale të realizuara nga shoqëria kanë rezultuar në vlerën e 16.35 miliardë lekë, nga ku 5.77 miliardë lekë janë siguruar nga shitja e 3,840 GWh energji për klientët tariforë, 9.49 miliardë lekë nga shitja e 2,200 GWh energji në tregun e parregulluar dhe diferenca, nga ofrimi i shërbimeve të balancimit dhe transaksionet energjetike për qëllime të optimizimit ekonomik. Fitimi neto i vitit 2018 ka rezultuar në 7.624 miliardë lekë.

Vlera totale e investimeve të kryera në vitin 2018 rezulton të jetë 2.376 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e investimeve, rreth 1.459 miliardë lekë ose 61% e tyre, janë realizuar me fondet e shoqërisë, ndërsa pjesa tjetër prej 917 milionë lekësh, ose 39%, janë realizuar me fonde të huaja (marrëveshje financimi).

Për sa u përket investimeve, për vitin 2018, Korporata u përqendrua në tre drejtime strategjike, më konkretisht në drejtim të sigurisë së digave (53%), eficiencës në prodhim (35%) dhe përmirësimit të kushteve të punës (14%).

Rezultati pozitiv i këtij viti bëri të mundur:

  • Shlyerjen e detyrimeve korente tatimore dhe një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, duke kontribuar në buxhetin e shtetit në total me rreth 5.55 miliardë lekë.
  • Shlyerjen me vlerë 57 milionë lekë, detyrime ndaj banorëve të përmbytur në vitet 2010-2011.

Si ka qenë ecuria në pjesën e parë të këtij viti dhe pritshmëria për periudhën në vijim?

Në 6-mujorin e parë të vitit 2019, shoqëria KESH sh.a., u përball me një situatë të vështirë hidrike, për shkak të thatësirës së tejzgjatur, e cila pati ndikim të ndjeshëm te prurjet në nivelin e liqenit të HEC Fierzë e për rrjedhojë, edhe në rezervën energjetike që KESH sh.a. menaxhon.

Për këtë periudhë, prurjet mesatare rezultuan 155 m³/sek, ose 42% më të ulëta se mesatarja shumëvjeçare (për të njëjtën periudhë) prej 268 m³/sek. Për rrjedhojë, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga HEC-et e kaskadës së Drinit ishte 1,182 GWh, ose 55% më pak se prodhimi mesatar i 16 viteve të fundit (2,641 GWh) për të njëjtën periudhë të vitit.

Në koordinim të plotë me OSHEE-në dhe Ministrinë u ra dakord për një plan masash, për të ruajtur rezervën energjetike dhe përdorimin e saj gjatë muajve të verës, kur edhe çmimet e importit janë shumë të larta, duke i kursyer, në këtë mënyrë, miliona euro sektorit.

Të ardhurat nga shitja për gjysmën e parë të vitit arritën në rreth 2.77 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1.77 miliardë lekë të ardhura nga shitja për OSHEE sh.a. me çmim 1.5 lekë/kWh dhe rreth 1 miliard lekë të ardhura kryesisht nga procese standarde, si shitje për humbjet në transmetim, shërbime ndihmëse për OST dhe shitje për optimizim, të rezultuara nga efekti financiar neto.

Fitimi para tatimit rezulton me vlerë pozitive prej 57.47 milionë lekë ose +110%, nga plani i rishikuar, i cili parashikonte një humbje operativo/financiare prej -567.7 milionë lekë. Ulja e shpenzimeve me 12% më pak se plani i rishikuar për vitin 2019, duke shprehur maturi dhe eficiencë në menaxhimin e kostove, sidomos në materiale të para/të konsumueshme, ato administrative dhe financiare, pa prekur aktivitetin normal të shoqërisë, është një tjetër faktor që ka ndikuar në arritjen e këtij rezultati.

Në këto kushte, theksojmë se aktiviteti i Korporatës, ka rezultuar dhe do të vijojë të jetë i kujdesshëm dhe i mbështetur mbi principet e operimit sa më eficient dhe menaxhimit sa më të mirë të kostove, me synimin për të pasur një rezultat financiar sa më të kënaqshëm.

Sa ka ndikuar në performancën e kompanisë thatësira e tejzgjatur?

Performanca e kompanisë dhe më gjerë e të gjithë sektorit elektroenergjetik është në thelb shumë e varur nga kushtet hidrometeorologjike. Situata e vitit 2019 vjen pas një viti me shumë prodhim si ai 2018, i paraprirë nga një tjetër vit me prodhim shumë të ulët si 2017. Në të vërtetë, gjykojmë se në afat të shkurtër, përmirësimi i koordinimit mes shoqërive të sektorit dhe gjetja e mekanizmave financiare për përballimin e krizave duhet të jetë prioritet.

Në afat pak më të gjatë, ecuria e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë dhe diversifikimi i aseteve të prodhimit duhet të jenë prioritet absolut, në mënyrë që vendi të mos jetë kaq i varur nga kushtet meteorologjike që po bëhen, vit pas viti, gjithnjë e më të paparashikueshme. Para pak muajsh kemi përgatitur dhe miratuar, me mbështetjen e BERZH, një plan për menaxhimin e riskut klimatik, ku janë renditur një sërë masash që mund të ndihmojnë në zbutjen e varësisë nga moti.

Miratimi i planit të menaxhimit të riskut klimatik bën të nevojshëm marrjen e masave të reja, në drejtim të monitorimit të vazhdueshëm të treguesve specifikë, por edhe ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese që ndihmojnë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike.

Çfarë pritet të ndodhë me projektin e TEC-it të Vlorës, si dhe projektet e tjera të shoqërisë në drejtim të diversifikimit të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike?

Aktualisht, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po punohet në drejtim të gjetjes së një zgjidhje eficiente, që mundëson rivendosjen në punë të TEC Vlorë. Kjo mbështetet edhe në faktin që finalizimi i projektit TAP jep një qasje të re për mënyrën se si do të mund të komercializohet për të ardhmen kjo njësi prodhimi.

Për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, si në drejtim të rritjes së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, por edhe diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike nga burime alternative, aktualisht KESH sh.a., po punon në drejtimet e mëposhtme:

  • Me mbështetjen e BE dhe BERZH po punohet për realizimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e HEC Skavica. Në vjeshtë do të vendoset për alternativën më të mirë (bazuar në një sërë kriteresh si ekonomike, teknike, sociale e mjedisore) dhe në vitin 2020 do të ketë përfunduar studimi i plotë i fizibilitetit, në të cilin do të përshkruhet edhe plani i veprimit për mënyrën më të sigurt dhe të shpejtë për ndërtimin e HEC-it.
  • KESH ka marrë miratimin paraprak për ndërtimin e impiantit fotovoltaik lundrues në sipërfaqen e liqenit të Vaut të Dejës dhe po aplikon për pajisjen me leje, për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në qytetin e Vlorës. Këto janë projekte pilot, me një rëndësi të madhe për fillimin e diversifikimit të prodhimit nga KESH.

Si ka qenë ecuria e projekteve që ka KESH me Bankën Botërore, përfshirë ai për sigurinë e digave?

Projekti i financuar me kredi të Bankës Botërore dhe një sërë donatorësh të tjerë për sigurinë e digave ka pasur një progres të kënaqshëm. Ai është vlerësuar maksimalisht nga raportet e fundit të Bankës Botërore si në lidhje me zbatimin, ashtu dhe në nivel disbursimesh. Kështu, ka përfunduar plotësisht rehabilitimi elektromekanik i turbinave dhe digës së HEC-Koman, duke e kthyer atë në eficiencë të plotë.

Projekti po vijon me rehabilitimin e portave të shkarkimit dhe mirëmbajtjes në HEC Koman dhe Fierzë. Ky proces kryhet për herë të parë në këto HEC-e që nga koha e ndërtimit të tyre. Duke marrë në konsideratë kompleksitetin e këtij projekti, ecuria është e kënaqshme dhe procesi për rehabilitimin e portave pritet të përfundojë në pranverën e 2021. Në përgjithësi, këto investime mjaft komplekse kanë shërbyer për rehabilitimin e njësive prodhuese në të tre hidrocentralet e kaskadës, duke bërë të mundur zëvendësimin e pajisjeve të amortizuara, të cilat kanë qenë në operim prej më shumë se 30 vitesh, me pajisje të teknologjive bashkëkohore.

KESH ka pasur një historik shkëmbimi energjie me Kosovën (mes energjisë në HEC-e dhe Termocentrale). Si është ecuria e saj?

Marrëveshja e shkëmbimit të energjisë elektrike ndërmjet KESH dhe KEK, përfaqëson një marrëdhënie, e cila synon që njëra palë t’i vijë në ndihmë palës tjetër në rastet kur ato janë në vështirësi. Kërkesa e KEK për energji vjen në raste avarie, në njësitë prodhuese me TEC-e, ndërsa KESH kërkon të japë energji për KEK, në rastet kur prodhimi vendas e tejkalon kërkesën e vendit, dhe jo e gjithë teprica është shitur në treg. Në të dy rastet, energjia e marrë nga KEK në KESH apo anasjelltas, kthehet në një moment të dytë brenda vitit ose vitin pasardhës (në varësi të mundësive absorbuese të sistemit). Ecuria e kësaj marrëveshje u ka dhënë përfitime të dyja palëve në kushtet në të cilat është aplikuar, e në një të ardhme të afërt do të synohet të komercializohet dhe të mos kufizohet vetëm në rastet ekstreme.

Si është ecuria e marrëdhënieve ndërmjet KESH sh.a. dhe OSHEE sh.a. në lidhje me pagimin e detyrimeve korente dhe atyre të prapambetura?

Për vitin 2019, shoqëria OSHEE sh.a. ka kryer pagesat në masën 100% të detyrimeve korente, duke shmangur krijimin detyrimeve të reja. Gjithashtu, në lidhje me detyrimet e prapambetura vlen të theksohet se në vitin 2018, shoqëritë kanë nënshkruar një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura sipas një skeduli të rënë dakord dhe që mundëson për KESH sh.a. përmbushjen e kushteve të vendosura nga EBRD (BERZH) në kuadër të marrëveshjes së huasë “Shqipëri: Plani i Ristrukturimit të KESH-it“, e cila është bërë efektive në prill të vitit 2018. Gjykojmë se këta janë hapa të rëndësishëm në vendosjen e një marrëdhënie të shëndetshme mes kompanive të sektorit.

Si ka ecur projekti i ristrukturimit të kredisë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim? Sa është stoku i kredisë që duhet të shlyejë KESH dhe afatet?

Transhi i parë i huasë, në një vlerë prej 118 milionë eurosh, është lëvruar në qershor 2018 dhe llogaritet t’i kursejë Korporatës rreth 15,1 milionë euro në shpenzime financiare deri në shlyerjen e plotë të huasë, apo mesatarisht rreth 1,1 mln euro/vit.

Lëvrimi i transhit të parë, së bashku me nënshkrimin e Marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndërmjet KESH sh.a. dhe OSHEE sh.a. kanë shërbyer si instrumente financiare për ristrukturimin e linjave të overdrafteve, optimizimin e shpenzimeve të interesave, si dhe për përmirësimin e bilancit financiar.

Transhi i dytë i huasë ka një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh dhe synimi është të lëvrohet brenda vitit 2019. Lëvrimi i transhit është i lidhur me një sërë kushtesh për bërjen efektive të saj, ku mund të pohojmë se pjesa e kushteve që janë të lidhura me Korporatën është plotësuar. Ndërkohë vijon puna për disa kushte të lidhura me performancën e sektorit në tërësi.

Lëvrimi i të dyja transheve të huasë së BERZH krijojnë mundësinë e çlirimit vit pas viti, të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH sh.a. me rreth 17,7 milionë euro/vit (respektivisht rreth 9 milionë euro për transhin e parë dhe rreth 8,7 milionë euro për transhin e dytë pagesa vjetore të principalit, të cilat do të shkojnë për reduktimin e volumit të garancive qeveritare).

Cilat janë sfidat kryesore të korporatës aktuale dhe në të ardhmen?

Gjatë këtyre muajve në menaxhimin e KESH, kam pasur mundësinë që së bashku me stafin të kuptojmë më mirë situatën aktuale, duke ndërtuar një strategji veprimi për të ardhmen.

Si filozofi menaxhimi, mendoj se është e rëndësishme të theksoj, se e shoh suksesin e KESH të lidhur drejtpërdrejt me suksesin e sektorit, një KESH më i shëndetshëm do të thotë patjetër një sektor më i suksesshëm dhe anasjelltas.

Për këtë arsye, gjatë këtyre muajve, kemi punuar fort me Ministrinë, OSHEE-në dhe OST-në, për të ndërtuar një platformë të përbashkët pune, ku kemi arritur:

  • Rënien dakord për një kontratë të re me OSHEE-në, më të favorshme për të dyja palë
  • Shmangien e shitjeve në treg të parregulluar, për shkak të mungesës së koordinimit të mirë në planifikim mes dy shoqërive.
  • Rregullsi të plotë në pagesën e faturave korente.
  • Pavarësisht kushteve tejet të vështira hidrike, planifikimit të prodhimit në shërbim të sektorit, duke minimizuar blerjet në periudha piku me çmimin më të lartë të energjisë së

Korporata punon në një treg shumë të kufizuar, për shkak të detyrimit të shërbimit publik ose detyrimin që shumicën e prodhimit, KESH t’ia shesë OSHEE-së me çmim shumë më të lirë se tregu, (rreth 1,5 lek/KWh) çka lejon mbajtjen e një çmimi të rregulluar për klientët familjarë.

Mendojmë se kaskada e Drinit, në një treg të lirë, është një aset i jashtëzakonshëm shumë kompetitiv në rajon dhe po punojmë që me ecurinë e masave të parashikuara në modelin e tregut shqiptar të energjisë, korporata të jetë e gatshme të intensifikojë aktivitetet e tregtimit dhe të furnizimit në funksion të maksimizimit të fitimit si kompani publike.

Gjatë këtij viti, KESH ka finalizuar dhe miratuar planin strategjik të zhvillimit të biznesit dhe jemi aktualisht në procesin e zbërthimit të strategjisë në një grup projektesh prioritare, në funksion të zhvillimit të shoqërisë, ku mund të përmendim:

  • Një masterplan investimesh dhe automatizimi të aseteve ekzistuese me burime financimi nga partnerët, donatorët dhe burimet e vetë korporatë
  • Diversifikimin e gjenerimit nëpërmjet projekteve në energjitë e rinovueshme, në funksion edhe të ambicieve të vendit, për një energji të pastë
  • Forcimin e burimeve njerëzore të korporatës dhe njësive prodhuese, për t’iu përgjigjur sfidave.

Besoj se me ecurinë e reformave të sektorit të ndërmarra nga Qeveria, forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe zhvillimet e brendshme, KESH i ka të gjitha mundësitë për të qenë një model i mirë i një korporate publike të fuqishme, në funksion të plotë të zhvillimit ekonomik të vendit.

Monitor,  30.09.2019