Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshon rregullorja për mbulimin e humbjeve nga OST

Enti Rregullator i Energjisë me kërkesë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit ka rishikuar disa pika në rregulloren që sanksionon mënyrën sesi bëhet blerja e sasisë së energjisë që konsiderohet si humbje në rrjetin e transmetimit. Me një vendimit të fundit ERE ka përcaktuar edhe pikat që ndryshojnë si dhe riformulimi që bëhet ndërkohë që jo në të gjitha rastet ka lënë në fuqi kërkesën origjinale të OST. Rregullorja në fjalë është ajo për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe të transmetimit dhe për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike për të siguruar përmbushjen e detyrimeve të shërbimit publik.

Konkretisht ERE ka rishikuar neni 15, pika 3 duke sanksionuar se “Përsëritja e procesit të ofertimit duhet të njoftohet për të gjithë tregtarët e energjisë elektrike dhe të publikohet në platformën on-line dhe faqen zyrtare të blerësit. Përsëritja e procesit duhet të kryhet të paktën një ditë pas njoftimit të dështimit të procesit”.

Po kështu ka ndryshuar neni 18, pika 1, gërma “a” ku përgjysmohet afati i shprehjes së ankimimit nga ana e operatorëve që më herët ishte 24 orë.  “Brenda 12 orësh nga momenti i njoftimit të ofertuesit të skualifikuar, ofertuesi paraqet një ankesë me shkrim përmes platformës online ose me e-mail blerësit, duke u ankuar për shkeljen” thuhet në rregullore. Nga ana e OST më herët ishte kërkuar një afat prej 2 orësh për shprehjen e ankesës por ERE ka argumentuar se ndërsa platforma e OSHEE e mundëson një gjë të tillë, ajo e OST jo ndaj ka vendosur që afati të mbetet 12 orë.

Neni 18, pika 1, gërma “c” ka ndryshuar gjithashtu ku thuhet se “kur merr një ankesë, blerësi është i detyruar të miratojë vendimin për pranimin ose jo të ankesës brenda 12 orësh nga marrja e ankesës”.

Lidhur me ndryshimet ERE ka kërkuar opinion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Autoriteti i Konkurrencës si dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ku nuk ka pasur kundërshtime lidhur me ndryshimet e propozuara dhe më pas të miratuara.

Monitor, 24.09.2019