Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Deri në 2030 Kosova do ketë të paktën 32% energji të rinovueshme

Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizuan diskutimin me temën “Energia për të Ardhmën”.

Gjatë konferencës u diskutua për situatën e përgjithshme të energjisë në Kosovë, sfidat, drejtimet e përgjithshme, trendet e zhvillimit, efiçiencën e energjisë, burimet e ripërtëritshme, potencialet por edhe sfidat në këtë sektor duke përfshirë edhe sukseset e arritura në tranzicionin e energjisë.

Në këtë ditë fokus i veçantë iu dha rëndësisë së bashkëpunimit rajonal dhe tranzicionit të sektorit të energjisë nga varësia e lartë në thëngjill, drejt shfrytëzimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Panelet e diskutimit kontribuan në kuptimin më të mirë të potencialit ekonomik, aspektit të fizibilitetit teknik, dhe të politikave të duhura për zhvillimin e tranzicionit drejt një të ardhme të qëndrueshme të sistemit energjetik të vendit.

Hapjen e konferences e bëri Ambasadori Gjerman në Kosovë z. Christian Heldt i cili tha se “Tranzicioni i energjisë është një problem në shkallë të gjërë me të cilin edhe vet Gjermania është duke u përballur”.

Ndërsa, Valdrin Lluka  ministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në fjalën hyrëse të tij ndër të tjera tha se: “Deri më 2030 Kosova duhet të ketë së paku 32% të energjisë së ripërtëritshme në konsumin total të energjisë bazuar në zotimet e reja.

“Kurse energjia nga biomasa që deri më tani përbënte një pjesë të rëndësishme të burimeve të ripërtëritshme është problematike dhe mund të dërgoj edhe në shpyllësim”.

Tutje, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore – INDEP, zBurim Ejupi shprehi entuziazmin e tij për vendosjen e tranzicionit të energjisë si pjesë e agjendës politike në Kosovë në krahasim me 10 vite më parë, kur diskutimi kryesohej në temën se a duhet të kishte burime të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë.

Duke pasë parasysh që jemi në kohë zgjedhjeje, KSDW dedikoi një panel për partitë politike për të shpalosur planet e tyre për zhvillimin e sektorit të energjisë.

Edhe pse gjithë partitë/koalicionet ishin të ftuara, vetëm dy përfaqësues nga partitë politike ishin të pranishme në debat:Vetevendosje dhe Partia Social Demokrate/Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Dardan Sejdiu nga PSD/AAK, kritikoi kontratën komerciale për ndërtimin e termocentralit të ri. Kurse Hekuran Murati nga VV, theksoi që sipas partisë tij, termocentrali Kosova A duhet të rindërtohet dhe se nuk duhet të ketë fare termocentral të ri në Kosovë.

Në anën tjetër Azemi nga BGF, si moderator i sesionit u shpreh që në kuadër të tranzicionit të energjisë, Kosova duhet të largohet nga qymyri dhe të investoj shumë më shumë në energji të ripërtëritshme sidomos tani kur çmimi i energjisë nga këto burime është në rënje.

Azemi u shpreh i zhgënjyer që partitë politike në vend ende nuk janë duke u larguar me planet e tyre nga energjia e foksuar në thëngjill.

Konferenca më pas u vazhdua me dy panele me ekspertë dhe akterë relevantë të fushës së energjisë. Paneli i parë diskutoi për benefitet e një tregu të integruar rajonal të energjisë, ndërsa paneli i dytë për integrimin e BRE-ve në Kosovë.

Gjatë këtyre diskutimeve u theksua rëndësia e dekarbonizimit dhe rëndësia që kanë për vendin investimet në efiçiencën e energjisë dhe BRE; nevoja për adaptimin e politikave publike që të jenë favorizuese ndaj integrimit të BRE-ve, posaçërisht të energjisë diellore; trajtimi i çështjes së integrimeve rajonale e evropiane duke mos rrezikuar liberalizimin e tregut me ndërtimin e kapaciteteve te reja nga lëndët fosile por reduktimi i tyre etj.

Shembull i mirë në rajon është vendimi i fundit i Qeverisë së Malit të Zi, të cilët hoqën dorë nga ndërtimi i bllokut të dytë të Termocentralit në Pljevlja për hir të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë organizohet për herë të dytë në vend si bashkpunim ndërmjet Balkan Green Foundation, INDEP, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë/Zyres së Bashkimit Evropian, dhe Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në emër të Qeverisë Gjermane.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  19.09.2019