Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pritet të finalizohet bashkimi Hungari-Serbi në fushën e energjisë

Serbia dhe Hungaria pritet të bashkojnë bizneset në fushën e energjisë deri në fund të këtij viti, duke krijuar një lojtar të fortë rajonal, tha në një deklaratë për shtyp, ministri serb i Energjisë, Aleksandar Antic.

Bashkimi do të sigurojë aksesin në një pikë të vetme për tregjet e energjisë të vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, duke rritur likuiditetin e tregut, por edhe përfitimet dhe efikasitetin e këtyre dy operatorëve, tha ministri Antic pas një takimi me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto.

Në shkurt të vitit 2018, Shkëmbimi i Energjisë i Europës Juglindore me qendër në Beograd (SEEPEX) nënshkroi një memorandum mirëkuptimi (MoU) me Shkëmbimin e Energjisë Hungareze (HUPX) për të bashkuar bizneset e tyre të energjisë dhe për krijimin e një shkëmbimi ndër-rajonal të energjisë në Europën Qendrore dhe Juglindore (CESE).

Dokumenti u nënshkrua edhe nga operatori i sistemit të transmetimit të Serbisë, Elektromreza Srbije (EMS), Kompania Operative e Pavarur hungareze e Transmetimit (MAVIR) dhe Këmbimi i Energjisë Europiane, EPEX SPOT. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, HUPX dhe SEEPEX do të bashkojnë bizneset e energjisë, duke ruajtur një lidhje të qëndrueshme me EPEX SPOT, në mënyrë që të krijojnë një lojtar të fortë në Europën Qendrore dhe Juglindore (CESE), deklaroi SEEPEX. EPEX SPOT, EMS dhe MAVIR do të veprojnë si aksionerët themelues të shkëmbimit të energjisë së sapo krijuar.

Shkëmbimi i ri i energjisë do të bazohet në Budapest dhe Beograd, ndërkohë që projekti do të jetë i hapur për të mirëpritur edhe të gjithë partnerët e tjerë të interesuar për të qenë pjesë e tij.

SEEPEX është një operator i licencuar i një shkëmbimi të organizuar të energjisë, i krijuar në formën e partneritetit midis EMS dhe EPEX SPOT.
Ai do të mundësojë një vend në treg, ku anëtarët e shkëmbimit do të dërgojnë porositë e tyre, si për të blerë edhe për të shitur energji elektrike në zonat e caktuara të shpërndarjes. Roli i tij lidhet me kryerjen e këtyre porosive në mënyrë sa më transparente dhe sipas rregullave të tregut publik, që ndër të tjera përshkruajnë përparësitë dhe algoritmet e përdorura për përputhjen e porosive.

Monitor,  10.09.2019