Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tymi i zi nga termocentralet mbulon Prishtinën

Tymi dhe hiri që dalin nga dy termocentralet në komunën e Obiliqit mbetët një shqetësim i madh i qytetarëve të Kosovës.  Ndërsa, dhjetë kilometra në afërsi të kryeqytetit të Kosovës, re të dendura tymi po thuajse për një javë rresht po e mbulojnë qiellin. Për këtë çështje kanë reaguar, Korporata Energjetike e Kosovës, ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komuna e Obiliqit. 

 

Re të tymit të zi janë parë sot mbi termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq.

Korporata Energjetike e Kosovës në një sqarim, ka thënë se ky tym i zi është i zakonshëm për shkak se sot ka përfunduar remonti kapital, gjë që kryhet çdo vit.

“Korporata Energjetike e Kosovës, njofton opinionin se tymi i zi që po shihet në termocentrale është si rezultat i kthimit në prodhim të blloqeve pas remonteve kapitale. Nuk ka asgjë shqetësuese dhe nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme. Ky është një proces i pa shmangshëm që zgjatë për disa orë derisa të kthehen blloqet në prodhim pas revizioneve të përgjithshme. Kjo ndodh prej kur janë instaluar këto pajisje në Kosovë, tash e 60 vite me parë.  Njëjtë sikurse që ndodhë në çdo vend të botës ku prodhohet energji elektrike nga thëngjilli. Kjo është si rezultat i ndezjes së gjeneratorëve me anë të djegies me naftë dhe zgjatë disa orë derisa të hynë në sistem dhe të fillon ndezja e gjeneratorëve me thëngjill”, ka sqaruar KEK.

Tutje në këtë sqarim është treguar se ajo që shihet sot është si rezultat i kthimit në prodhim të ‘Bllokut A3’ cili ka qenë në revizion të përgjithshëm, i ndalur për 4 muaj rresht

“Prandaj, i kemi njoftuar qytetarët dhe organet përgjegjëse së se kjo do të ndodhë gjatë fazës se kthimit të blloqeve në prodhim pasi kemi përmbyllur me kohë të gjitha remontet në blloqet e TC-A dhe TC-B në mënyrë që nga shtatori t’i kemi të gjitha kapacitetet në dispozicion të prodhimit të energjisë elektrike. Ajo qe shihet sot është si rezultat I kthimit në prodhim të ‘Bllokut A3’ cili ka qenë në revizion të përgjithshëm, i ndalur për 4 muaj rresht. Gjithnjë duke u bazuar në programin e dhënë nga OE, gjatë kësaj kohe në dalje të oxhakut do të jetë prezentë tymi pak me i theksuar si dhe  zhurma që do paraqitet gjatë testimit. Gjatë fazës së startimit të njësisë gjeneruese situatë e tillë (tym më I theksuar) është e pashmangshme. Pavarësisht kësaj, ne mbesim me shpresë që do të kemi mirëkuptimin e gjithë qytetarëve sepse kjo është forma e vetme cila na mundësin që qytetarëve të vendit të ju ofrojmë stabilitet energjetik edhe gjatë sezonit dimëror”, thuhet në sqarimin e KEK-ut.

Kurse, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se është i trishtuar nga një foto që ka marrë nga qytetarët, ku shihet tym i madh duke dalë nga oxhaku i bllokut A3 në Obiliq.

Ai ka thënë se nga KEK-u ka kuptuar që ky tym ndodhë për shkak të pastrimit të kazanit të bllokut A3 i cili për katër muaj ka qenë në remont dhe tani, pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës, duhet të bëhet pastrimi i cili zgjatë për katër ditë me rreth tre orë në ditë, njofton Klan Kosova.

“Ju lutem qytetarëve në rajonin e Obiliqit që gjatë kësaj kohe prej tre orësh kur fillon procesi, të kufizojnë daljet në ambiente të hapura”.

“Si ministër përgjegjës për sektorin energjetik, ju kërkoj ndjesë për këtë pamje dhe proces të nevojshëm. Nga ana tjetër pozitive, në përgatitje për dimër, një bllok shtesë të Kosovës A do ta kemi në dispozicion që do të ofrojë stabilitet energjetik për vendin”.

Kurse Komuna e Obiliqit ka reaguar pas shfaqjes së reve të tymit të zi mbi termocentralet Kosova A dhe B.

Sipas tyre,  situata e krijuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tymi nga të gjithë tymtarët si dhe zhurmat nga e gjithë teknologjia e po ashtu testimet e vazhdueshme, tanimë janë bërë të papërballueshme për të gjithë banorët e komunës së Obiliqit e me theks të veçantë banorët në fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj.

“Për shkak të mos respektimit të Ligjit të Obiliqit, për krijim të brezit të sigurisë, tani është krijuar kjo gjendje ku Obiliqi, Plemetini e pothuajse i gjithë territori i komunës nga zhurmat e krijuara në TC “Kosova B” e këto ditë janë shtuar edhe tymtarët me tymin dhe pluhurin e vazhdueshëm, jetën e kanë edhe më të vështirësuar, e kjo është cekur në vazhdimësi nga udhëheqja e komunës duke rikujtuar edhe operatorit obligimet që dalin nga Ligji për Obiliqin”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Sipas Komunës së Obiliqit, reagimet e vazhdueshme të komunës ndaj KEK-ut si dhe apeli te organet gjegjëse konkretisht te MMPH-ja, kanë hasur në vesh të shurdhër, ku sipas tyre, kanë harruar obligimet që kanë ndaj komunitetit ku operojnë, obligime këto të cekura me Ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Prandaj edhe sot, komuna e Obiliqit kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës gjegjësit nga Ministria e Planifikimit dhe departamentet përkatëse të saj që merren me trajtimin e këtyre çështjeve kaq delikate”, thuhet tutje në njoftim.

Ata madje thonë se banorët e këtyre fshatrave ndihen të pa sigurt dhe të dëmtuar nga pluhurat.

Një faqe në Facebook, e njohur si “Vrojtuesit e Lagjes” e kanë publikuar një fotografi, ku shihet ndotja e madhe që i bëhet Prishtinës nga ana e KEK-ut.

“Mirëmëngjesi, sot kemi vërejtur një perde te zeze mbi qytet, qe nuk është pare me kohe. Duket te jete Kosova A. Çfarë po ndodhe kështu Korporata Energjetike e Kosovës sh.a.?”, thuhet në këtë postim, derisa është publikuar edhe kjo fotografi.

Prishtina është ndër qytetet me ajrin më të ndotur jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Sidomos stina e dimrit, është koha kur ndotja e ajrit është enorme.

Monitor,  03.09.2019