Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama rikthen PPP-në e TEC-Korça, duke e maskuar me projekt-studim për ngrohje banorësh

Ky TEC, do ndërtohet mbi sipërfaqe 909 mijë e 182 m2 në fshatin Braç; nga e cila 245 mijë e 208 m2 do të jetë impiant teknologjik me 34 oxhaqe tymi, me lëndë të parë djegëse 700 milionë m3 Gaz Metan që do helmojë mjedisin e 260 mijë banorë; ndërsa energjia e prodhuar do të eksportohet 100% jashtë Shqipërisë, nëpërmjet N/stacionit Elektrik “Zëmblak”

Ndër pazaret e projekteve të PPP-ve, që “babloku” ka vendosur t’i miratojë (shesë) para zgjedhjeve 2021, është dhe ndërtimi i “TEC-Korça” në fshatin Braç.

Ndërtimi këtij TEC-i, pavarësisht lobimit financiar të Ramës e Peleshit me mafien turke-bullgare që e kishte porositur këtë PPP; ndërtimi u pezullua në muajin mars 2019, pas denoncimit të “Pamfleti” dhe reagimit të Organizatës Botërore të Mjedisit e banorëve të Korçës.

Mirëpo ndërtimi i TEC-it helmues “Korça”, është risjellë përsëri në skenë nga kryeministri Rama e ministrja Balluku; prezantuar si gjoja studim paraprak, për krijimin e sistemit ngrohës të qytetit të Korçës.

Këtë herë, për të mos shkaktuar reagime nga media dhe banorët; Rama nuk e ka quajtur studim për TEC, por sistem ngrohje pa përdorim lëndë druri, qymyr e pa kaldaja mazuti nëpër pallate; por me burim energjetik natyror, që e vetmja mundësi është djegie Gaz Metan, i përcjellë me rrjet TEC-i.

Po kështu, Rama nuk ka nxjerrë në skenë Bashkinë Korçë, Agjencinë e PPP-ve “AIDA” dhe ministrat Balluku e Klosi, por ka përdorur si maskë, Agjencinë e Eficensës së Energjisë, që është strukturë në varësi të Belinda Ballukut; e ku kryetar është vetë Rama.

Është e njëjta PPP, që 1 vit më parë u servir si investim strategjik për ngrohjen e banorëve të Korçës, por në fakt ishte TEC prodhimi energjie elektrike për vendet e rajonit; biznes i mafies turko-bullgare, që maskohej pas firmës shqiptare “GPP KORÇA-shpk”, me Nipt: L73724004N”.

Për ta bërë fakt, kanë inskenuar tenderin me fond limit 32 083 333 lekë të reja pa TVSH, me objekt “Projekt-ide studim fizibiliteti për sistemin e ngrohjes së Korçës, duke përjashtuar lëndën drusore”.

Ky tender është formalitet, mbasi projektin e sistemit ngrohës e ka paraqitur “GPP KORÇA-shpk”, qysh më 14 shkurt 2018, kur kryeministri si kryetar i Agjencisë së Investimeve “AIDA”; i dha lejen për ndërtimin e TEC-it, duke e paraqitur si investim strategjik në interes të 260 mijëve banorëve të zonës së Korçës.

Në fakt, TEC-KORÇA është biznes i huaj me aktivitet kriminal mjedisor e shëndetësor në Korçë; që do prodhojë energji elektrike për import e jo për Shqipërinë.

Sa për kujtesë, ministri Klosi nga ana mjedisore dhe kryebashkiaku Sotiraq Filo si pushtet lokal; e kanë firmosur këtë gjoja studim për ngrohje të Korçës, kur në fakt është vetë procedura formale, për të ndërtuar TEC-in helmues.

Pamfleti, 08.09.2020