Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i arit në Kosovë, sa kilogram importohen në vit?

Bashkë me ardhjen e verës dhe mërgimtarëve, në Kosovë ka nisur edhe sezoni i dasmave. Për këto dasma  shpenzohen edhe  mijëra euro  për blerjen e arit.

E stoli prej ari duket se ka më bollëk gjithandej Kosovës.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se  vitin e kaluar në Kosovë kanë hyrë mbi 650 kilogramë ari.  Vlera e të cilit ishte 2.3 milionë euro.

Ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 kishte import prej 274 kilogramëve.

“Sipas statistikave të vitit 2018, vitin e kaluar kemi pas import rreh 2.3 milionë euro – 650 kilogram. Sasia totale e metaleve të çmuara është 274 kilogramë, ose 1.2 milionë, pak a shumë trendi i njëjtë si vitin e kaluar”.

Në Doganë thonë se ari futet në kategorinë e mallrave lehtë të kontrabandueshme, dhe tregojnë se  kanë ndërmarrë aktivitete kontrolli.

“Gjithmonë këto lloj aksione targetohen kompani e individë të dyshuar më këtë aktivitet.. Kemi bashkëpunim me policinë, por nuk mund të themi se është një treg 100 legal, ka parregullsi”.

Aktualisht, në Kosovë operojnë mbi 530 biznese të arit dhe argjendit, ndërsa vetëm me ari janë përafërsisht rreth 300 biznese.

Edhe në  Shoqatën e Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës kanë bërë me dije se gjatë sezones së verës shtohet kërkesa për ari.

“Gjatë verës sigurisht për shkak edhe të diasporës, që ka kërkesa ma shumë edhe me ble por edhe me riparuar me ndreq gjësendet”, thotë Enver Pakashtica kryetar i kësaj shoqate.

Ai tregon se tregtia me ari e argjend ka qenë shumë më fitimprurëse në Kosovë përpara luftës më 1999.

“Vështirësitë ekonomike kanë bërë që stolitë e arit dhe argjendit të zëvendësohen prej njerëzve edhe me bizhuteri të ndryshme”.

Pakashtica, thotë se në importin e arit kanë ndikuar edhe taksat më të favorshme.

Por, pavarësisht kësaj duket se  jo gjithmonë janë rrugët legale, ato përmes së cilës futet ari në Kosovë.

“Shumica vjen në formë individuale…dikush ka unaza e dikush zinxhirë. Këtu shkrihet e përpunohet”.

Vendet më të pasura me ari në Kosovë

Në Strategjinë minerare të Kosovës janë paraqitur të dhëna për pasurinë nëntokësore të vendit. Ari është njëri prej mineraleve që e pasuron nëntokën e Kosovës.

Në Strategjinë minerare thuhet se ari paraqitet edhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve, mirëpo deri më tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumbit dhe zinkut.

Në Strategjinë minerare të dhënat bazohen në hulumtime të pakta që janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit. Miniera e Artanës (ish-Novobërda), është më e pasura sa i përket arit.

Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri në 2 mijë e 700 kilogramë.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, thuhet në Strategjinë minerare të Kosovës.

Tutje, në Strategji janë paraqitur të dhëna për përmbajtjen e arit në secilin ton të eksploatuar. Shembull, në Stantërg vlerësohet se përmbajtja e arit në një ton është vetëm 0.6 gram.

“Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac: 1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, Crepulë: 0.13 g/t”, thuhet tutje në Strategjinë minerare.

Monitor,  16.07.2019