Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Polonia do të investojë në burimet e ripërtëritshme

Ministrja polake e Sipërmarrjes dhe Teknologjisë, Jadwiga Emilewicz, tha se grupet polake të energjisë mund të investojnë në burimet e ripërtëritshme të energjisë në vendet e rajonit të Ballkanit, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

Polonia mbështet ofertat e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, që është edhe partneri më i madh tregtar i Varshavës në rajon, për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë – Hercegovinën. Gjatë këtij muaji, ajo do të organizojë edhe një samit të investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse nuk ka konsensus brenda bllokut të BE-së, sa i takon zgjerimit të tij në të ardhmen, mundësia e anëtarësimit në BE, është një faktor i rëndësishëm i ndryshimeve të mëtejshme pozitive për vendet e rajonit të Ballkanit, tha në një intervistë për Reuters, ministrja Emilewicz.

Grupet energjetike shtetërore të Polonisë mund të investojnë në vendet e rajonit të Ballkanit në projekte të energjisë së gjelbër si ajo diellore, e erës, etj.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ky rajon ofron perspektiva të rëndësishme për zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë”, shtoi ajo, duke iu referuar klimës së përshtatshme të rajonit.

Edhe pse Polonia e prodhon shumicën e energjisë së saj nga fabrikat e qymyrgurit, kompani të ndryshme shtetërore në vend po marrin në konsideratë prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme në një të ardhme të afërt.

Një prej tyre është edhe kompania shtetërore Tauron, e cila deklaroi disa muaj më parë se planifikon të zëvendësojë në dekadën e ardhshme shumicën e fabrikave të qymyrgurit me burime të ripërtëritshme të energjisë, për t’iu përshtatur në këtë mënyrë edhe politikave të klimës së BE-së dhe për të siguruar financim në të ardhmen.

Padyshim që kostot e këtij ndryshimi janë shumë të larta, më të larta do të ishin kostot e vazhdimit të prodhimit të energjisë nga burime si fabrikat e qymyrgurit, tha më tej znj. Emilewicz. Ajo shtoi se përvoja e Polonisë si një anëtare e re në fushën e energjisë së gjelbër mund të jetë një faktor i dobishëm në Ballkanin Perëndimor.

PGE, Enea dhe Energa janë disa firma të tjera shtetërore polake që merren me prodhimin e energjisë.

Znj. Emilewicz tha se samiti i këtij muaji do të shoqërohet edhe nga platforma e bashkëpunimit politik midis Gjermanisë, Francës dhe Polonisë (e njohur si Trekëndëshi i Vajmarit) në të cilën marrin pjesë ministrat e Ekonomisë së këtyre tre shteteve, i cili është një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike.

SEE,  12.07.2019