Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BE planifikon të rrisë importet e energjisë nga SHBA

Komisioni Evropian ka njoftuar se planifikon të rrisë importet e gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara në tetë miliardë metra kubë në vit, më shumë se dyfishin e vitit të kaluar.

Presidenti i ShBA-së ra në një mendje me kryetarin e Komisionit Evropian korrikun e kaluar për të mos vendosur tarifa për makinat e BE-së, në kushtet kur të dy palët kërkonin të përmirësonin lidhjet ekonomike.

Komisionari i BE-së për Energjetikën Miguel Arias Canete thotë se importet e gazit natyror të lëngshëm amerikan janë rritur 272 për qind që nga ajo kohë:

“Sektori i energjetikësë është një nga historitë kryesore të suksesit të bashkëpunimit tonë transatlantik dhe ku të dy palët kanë interesa të ndërsjella kryesore.”

“Dhe në veçanti gazi natyror i lëngshëm është një fushë në të cilën interesat e Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara janë të përafërta.”

“Meqë Bashkimi Evropian është tregu më i madh i importit të gazit natyror dhe ne varemi për mbi 70 për qind të konsumit tonë në importet, gazi natyror i lëngshëm luan një rol në rritje për diversifikimin e importeve tona të gazit, duke kontribuar kështu në sigurinë tonë.”

“Ndërsa ShBA-ja është prodhuesja më e madhe e gazit natyror në botë dhe një eksportuese gjithnjë e më e rëndësishme.”

BE-ja ka bërë përpjekje prej kohësh për t’u shkëputur nga mbështetja te Rusia për pothuajse 40 % të nevojave të saj të gazit, duke zhvilluar infrastrukturën e gazit natyror të lëngshëm për të lejuar edhe furnizues të tjerë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  06.05.2019