Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MZHE: Termocentrali i ri në përputhje me standardet europiane

Termocentrali “Kosova e Re” do të plotësojë kriteret më të ashpra evropiane për mbrojtje të mjedisit dhe të ndërtohet në pajtim me teknikat më të mira ekzistuese. Kështu thuhet në buletinin e muajit mars rreth sektorit energjetik, prezantuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Sipas MZHE-së, termocentrali “Kosova e Re” do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93 për qind, ato të dyoksidit të karbonit për rreth 38 për qind, të dyoksidit të sulfurit për rreth 85 për qind dhe të NOx për rreth 93 për qind.

“Standardet që duhet t’i përmbushin termocentralet caktohen nga rregulloret e Komisionit Evropian. Vendimi zbatues i Komisionit 2017/1442 i datës 31 korrik 2017, për themelimin e teknikave më të mira ekzistuese (BAT), në kuadër të Direktivës 2010/75/EU të Parlamentit dhe Këshillit Evropian”, thuhet në buletinin e MZHE-së, përcjell Telegrafi.

Përveç tjerash, kjo teknologji e emëruar si “ultra-super kritike”, do të shënojë përmirësime edhe në efiçiencë dhe në konsumin e ujit, që përdoret për ftohje të impianteve, ani pse kjo nuk është e përcaktuar me direktivat evropiane.

“Në të ardhmen, termocentrali ‘Kosova e Re’ do të rrisë kapacitetin e ngrohjes termike që do të mundësojë zgjerimin e rrjetit në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Kjo energji do të furnizojë me ngrohje 20 mijë konsumatorë të rinj. Në këtë mënyrë, kogjenerimi largon varësinë nga energjia elektrike dhe burime të tjera alternative për ngrohje”, thuhet ndër të tjera në raport.