Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta dhe mjedisi

E vërteta rreth ndryshimeve të mëdha të naftës dhe atyre klimatike. Edhe pse shqetësimet rreth ngrohjes globale po rriten, firmat e energjisë planifikojnë të rrisin prodhimin e saj nga lëndët fosile dhe asnjë më shumë se sa ExxonMobil

 

Në Amerikë, ekonominë më të madhe të botës dhe njëkohësisht ndotësi i saj i dytë më i madh, ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u injoruar, shkruan The Economist. Kushtet ekstreme të motit po shfaqen më shpesh. Nëntorin e kaluar, zjarri dogji një pjesë të konsiderueshme të Australisë, ndërsa javën e kaluar, temperaturat në Çikago ishin më të ulëta se në Mars. Shkencëtarët e kanë konsideruar situatën alarmante dhe të shumtë janë qytetarët që bien dakord me një gjë të tillë. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Universiteti i Yale, 73% e amerikanëve ishin shprehur se ndryshimet klimatike ishin të vërteta.

Partia Demokratike e majtë dëshiron të vendosë “Marrëveshjen e Re të Gjelbër” në qendër të zgjedhjeve të vitit 2020. Edhe sektori privat ka shfaqur shenja pozitive. Vitin e kaluar u mbyllën rreth 20 miniera qymyri. Menaxherët e fondeve po nxisin firmat që të drejtohen drejt energjisë së pastër. Manjati amerikan Warren Buffett, po investon 30 miliardë dollarë në prodhimin e energjisë të pastër, ndërsa Elon Musk po planifikon të mbushë autostradat e Amerikës me makina elektrike.

Megjithatë, përveç ndryshimeve të mësipërme, e vërteta fatkeqësisht vazhdon të jetë e dhimbshme. Kërkesa për naftë po rritet dhe industria e energjisë, jo vetëm në Amerikë por edhe në nivel global, po planifikon investime multi triliona dollarëshe në këtë drejtim. Asnjë firmë në botë nuk po e zbaton më së miri këtë strategji sesa ExxonMobil, gjiganti botëror i prodhimit të naftës, i cili shihet me admirim nga kompanitë e tjera të së njëjtës industri dhe me urrejtje nga aktivistët e gjelbër.

Kjo kompani planifikon të shënojë një rritje të prodhimit të naftës dhe gazit deri në 2025, me rreth 25% më shumë sesa prodhonte në 2017. Nëse pjesa tjetër e kësaj industrie do të ndjekë rritje sado modeste qoftë ajo, pasojat për mjedisin do të ishin katastrofike. ExxonMobil shprehet se tregjet nuk mund ta zgjidhin vetë problemin e ndryshimeve klimatike. Nevojitet ndihma dhe veprimi i qeverisë.

Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, influenca e pesë gjigantëve më të mëdhenj të naftës, Chevron, ExxonMobil, Royal Dutch Shell, BP dhe Total, ka qenë më e madhe se ajo e disa shteteve të vogla. Edhe pse fuqia e tyre nuk është më siç ka qenë dikur, ato vazhdojnë të përbëjnë 10% të prodhimit botëror të naftës dhe të gazit. Këta pesë gjigantë vendosin cakun e prodhimit edhe për firmat më të vogla private të energjisë (që kontrollojnë një të katërtën e investimeve), ndërkohë që miliona pensionistë varen nga fitimet e tyre.

Nga 20 firmat që paguajnë dividentët më të lartë në Europë dhe Amerikë, 4 prej tyre janë gjigantë të prodhimit të naftës. Gjigantët e prodhimit të naftës shprehen se ata e mbështesin marrëveshjen e Parisit për të kufizuar ndryshimet klimatike dhe të gjithë po investojnë në gjetjen e burimeve të ripërtëritshme, si energjia diellore. Kompania Shell kohët e fundit ka deklaruar se do të ulte emetimet nga produktet e prodhuara prej saj. Megjithatë, tek e fundit, kompanitë duhen gjykuar nga ajo çka bëjnë dhe jo nga ajo çka thonë. Sipas ExxonMobil, kërkesa globale e naftës dhe gazit do të rritet me 13% deri në vitin 2030, dhe jo vetëm ExxonMobil, por të gjithë këta gjigantë të prodhimit të naftës dhe gazit, pritet që të rrisin prodhimin e tyre.

Përveç fushave të tyre të gazit dhe puseve të naftës, kjo industri është duke investuar në projektet e rrjedhjes së sipërme, nga shist argjilor Texan te puset e ujit të teknologjisë së lartë. Kompanitë e naftës, në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe nëpërmjet grupeve tregtare lobojnë kundër masave që do të kufizonin emetimet. Sipas një vlerësimi të bërë së fundmi nga IPCC, një organ ndërqeveritar që merret me ndryshimet klimatike, prodhimi i naftës dhe gazit duhet të ulet me rreth 20% deri në vitin 2030 dhe me rreth 55% deri në vitin 2050, në mënyrë që të parandalohet rritja e temperaturës së Tokës me më shumë se 1.5° C mbi nivelin paraindustrial.

Do të ishte e gabuar dhe e përshpejtuar të arrihej në përfundimin se kompanitë e mëdha të naftës janë keqbërësit kryesorë, sepse ato nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po u përgjigjen stimujve të vendosur nga shoqëria. Kthimet financiare nga nafta janë më të larta se ato nga burimet e ripërtëritshme. Tani për tani, kërkesa botërore për naftë po rritet me 1-2% në vit, e ngjashme me mesataren gjatë pesë dekadave të fundit. Edhe pse shumica e kompanive të prodhimit të naftës kritikohen ashpër nga “luftëtarët mbrojtës të mjedisit”, janë po këta të fundit që vazhdojnë të përdorin makinat me naftë apo me gaz, apo edhe aeroplanët.

Përveçse nuk ka asgjë të paligjshme në faktin që ata duan të rrisin të ardhurat, por kjo mund të jetë edhe një kërkesë e vendosur nga aksionerët kryesorë. Disa shpresojnë se kompanitë e naftës gradualisht do të marrin një drejtim të ri, por sado optimist mund të tingëllojë mendimi, do të ishte e nxituar të mendohej se ai do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër. Investimi global në burimet e ripërtëritshme, rreth 300 miliardë dollarë në vit, nuk është i kënaqshëm në krahasim me vlerën që investohet në lëndët djegëse fosile. Edhe në industrinë e makinave, ku po prodhohen modele të makinave elektrike, pritet që rreth 85% e automjeteve të përdorin ende motorët me djegie të brendshme deri në vitin 2030.

Përveç publicitetit që po bëhet në drejtim të përdorimit të burimeve të energjisë së pastër, angazhimet e kompanive gjigante të naftës mbeten modeste në këtë drejtim. Dhe mos prisni shumë nga gjykatat. Avokatët po akuzojnë kompanitë e naftës për gjithçka, duke filluar nga mashtrimi i publikut e deri te rritja e nivelit të detit. Disa janë të mendimit se kompanitë e naftës do të kenë të njëjtin fat të keq si kompanitë e duhanit në vitet 1990, por harrojnë faktin e rëndësishëm se disa prej kompanive më të mëdha të duhanit vazhdojnë ta zhvillojnë ende sot biznesin e tyre. Në qershor të vitit të kaluar, një gjyqtar federal në Kaliforni vendosi që ndryshimi i klimës ishte çështje që i takonte për zgjidhje Kongresit dhe diplomacisë, dhe jo gjyqtarëve. 15 vitet e ardhshme do të jenë të rëndësishme për ndryshimet klimatike. Po nëse gjatë kësaj periudhe, inovatorët, investitorët, gjykatat dhe vetë gjigantët e prodhimit të naftës, nuk do të reduktojnë prodhimin nga lëndët djegëse fosile, atëherë përgjegjësia duhet të bjerë mbi sistemin politik.

Në vitin 2017, Amerika u tërhoq nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe administrata Trump është përpjekur të ringjallë industrinë e qymyrit. Megjithatë, sondazhet e ndryshme tregojnë se republikanët e moderuar dhe të rinj e kanë një prej çështjeve të tyre më të rëndësishme këtë temë. Një prej pikave më të rëndësishme në këtë drejtim është që të arrihet të binden votuesit e qendrës se reduktimi i emetimeve është një gjë që mund të arrihet edhe në praktikë dhe se një lëvizja nuk do të ndikojë negativisht tek ata. Edhe pse krijimi i Marrëveshjes së Re të Gjelbër nga demokratët është një arritje dhe ndërgjegjësim në këtë drejtim, fatkeqësisht ajo mendohet se do të dështojë sepse bazohet kryesisht në zgjerimin masiv të shpenzimeve qeveritare dhe planifikimin qendror.

Politika më e mirë për t’u ndjekur si në Amerikë edhe në shtete të tjera, është që të taksojë emetimet e karbonit. Por protestat e jelekëve të verdhë që shpërthyen në Francë tregojnë se kjo gjë nuk do të jetë e lehtë. Puna kryesore dhe më e rëndësishme në këtë drejtim do të jetë hartimi i politikave që mund të gjejnë mbështetje të madhe në popull, p.sh., duke i kthyer sërish paratë e grumbulluara në publik në formën e kompensimit të shkurtimeve të taksave. Industria e prodhimit nga lëndët fosile do të bëhej më e vogël, qeveria nuk do të forcohej shumë dhe bizneset do të ishin të lira të përshtateshin ashtu siç ato do ta shikonin më të arsyeshme, përfshirë këtu edhe ExxonMobilin.

Monitor,  04.03.2019