Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nga kalatat e Durrësit te transmetimi i gazit, investimet e BE në 2019

Në kuadër të thirrjes së 20-të të WBIF për asistencën teknike, Komiteti Drejtues i WBIF (Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor) miratoi zyrtarisht për Shqipërinë disa projekte, si pjesë e një programi të rishikuar më parë në vitin 2018.

Në takimin e 19-të i Komitetit Drejtues të WBIF, zhvilluar në Dhjetor 2018, me përfaqësues të Komisionit Evropian (DG NEAR) dhe përfaqësues të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare u miratuan projektet për thirrjen e 20-të të WBIF për asistencën teknike, si dhe thirrjen e 3- të të WBIF për investime.

Ndërsa në kuadër të thirrjes së 3- të të WBIF për investime këtë vit, Komiteti Drejtues i WBIF miratoi zyrtarisht për Shqipërinë projektin e mëposhtëm, i cili do të vijojë të zbatohet edhe këtë vit:

  • Rikonstruksioni i Kalatave 1 dhe 2 në Portin e Durrësit. Shuma e grantit për këtë projekt është 27.7 mln euro dhe kostoja totale e projektit është 62.4 mln euro.

Më parë në 2018 u miratuan projektet:

  • Përgatitja e Studimit të Fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për Infrastrukturën e Mbrojtjes nga Përmbytjet në lumenjtë Erzen-Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Shuma e grantit për këtë projekt është 2 mln Euro;
  • Përgatitja e Dizenjos së Detajuar dhe Dokumenteve të Tenderit për Tubacionin e Transmisionit të gazit nga TAP CP në TEC të Vlorës. Shuma e grantit për këtë projekt është 1 100 000 Euro;
  • Përgatitja e Studimit të Fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për ruajtjen e gazit natyror nëntokësor në zonën e Dumresë. Shuma e grantit për këtë projekt është 1 mln Euro.

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor u themelua në vitin 2009 si një iniciativë e përbashkët midis Këshillit Evropian, Këshillit të Bankës Evropiane për Zhvillim (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI). Kësaj iniciative më vonë ju bashkuan Banka Botërore (BB) dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

WBIF është një instrument rajonal që mbështet zgjerimin e BE-së dhe zhvillimin socio-ekonomik në vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbi. WBIF mbështet projekte në fazën e maturimit dhe projekte investimi.

Monitor,  25.02.2019