Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Itali, zbulohet skandali me diamantet

Autoritetet italiane kanë zbatuar një kontroll në disa banka në Itali nga dyshimet e nisura për skema mashtrimi me investimet në diamante, hetim i cili ka nisur që në vitin 2016.

Mësohet se më më shumë se 700 milionë euro janë konfiskuar nga dy kompani private dhe 5 Banka, specifikisht: Intermarket Diamond Business dhe Diamond Private Investiment, por edhe nga huadhënësit, të cilët kishin favorizuar këto operacione mashtrimi: Banco Bpm – Banca Aletti, UniCredit, Intesa San Paolo dhe Montepaschi.
Sipas hetimit të prokurorëve në Milano, ka rezultuar se shitja e diamantëve nga këto kompani dhe banka, bëhej me një çmim të dyfishtë, në krahasim me listën ndërkombëtare të diamantëve të njohura në të gjithë botën.

Nga krahasimi i bërë për diamantët e shitura me ato të tregut botëror, është zbuluar se këto gurë të çmuar edhe pse ishin me të njëjtin karat, shkëlqim dhe pastërti, shiteshin me çmim të dyfishtë, raporton Il Sole 24 Ore.

Hetimi nis që në 2016, kur IDB dhe DPI, dy kompani kishin filluar një biznes me shitjen e diamanteve përmes disa bankave, si një formë e investimit të sigurt nga spekulimet dhe luhatjet e tregut. Por çmimi i gurëve, sipas prokurorit, është ‘fryrë’ pikërisht, me bashkëpunimin e bankave të cilët kanë vepruar si ndërmjetës dhe kanë promovuar këto investime te klientët e tyre. Marrëveshjet e arritura zyrtarisht formalisht tregojnë se bankat thjesht kanë vendosur në dispozicion në degët e tyre materiale reklamuese të dy kompanive. Në fakt, sipas hetimit, drejtorët dhe këshilltarët financiare kanë pasur një rol aktiv në joshjen e klientëve për të investuar.

Diamantet, shkruan La Republica, u bënë si një ‘pasuri e sigur”, duke garantuar një yield të vazhdueshëm vjetor prej 3-4% të kapitalit, shumë më tepër se çdo investim tjetër. Sipas hetimit, vlera e diamanteve ishte në fund e barabartë me 30-50 për qind të çmimit të paguar nga konsumatori. Sepse janë shtuar tarifat për bankën, mbulimin e sigurimeve, kostot për certifikim etik dhe gemologjik dhe një përqindje për rishitje. Mospërputhja në mes të shumës së paguar dhe vlerës aktuale të investimeve ka qenë pothuajse e pamundur për t’u gjetur, vetëm për shkak se listat e çmimeve të publikuara nuk korrespondojnë me kuotat indikative Rapaport dhe IDEX, listat ndërkombëtare të çmimeve të diamantit, që janë të njohur në mbarë botën dhe të vendosur një herë në javë.

Sipas të dhënave zyrtare, përveç kryetarëve të dy kompanive të shpërndarjes së gurëve të çmuar, menaxherët e tjerë të bankave gjithashtu do të hetohen. Sipas detajeve për mashtrimin e rëndë në grup, skuadra e policisë ekonomike të Milanos vazhdoi me sekuestrimin e drejtpërdrejtë të 149 milionë euro mbajtur nga IDB, 165 mln për DPI, 83 milion për BancoBpm-Banca Aletti, 32 milion në Unicredit, Banca Intesa 11 milionë dhe 35 milion në Mps.

Mediat italiane raportojnë se pre e kësaj skeme mashtrimi janë bërë mbi 100 persona, mes të cilëve edhe shumë figura të njohura, si Vasco Rossi, i cili kishte investuar 2.5 milionë euro, që do t’i ktheheshin në gurë të çmuar.

Scan,  22.02.2019