Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vetëvendosje: Tetë arsye pse TC “Kosova e Re” duhet të ndalet

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kuriti e ka cilësuar të dëmshëm fillimin e punës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Sipas tyre, kontrata e Qeverisë së Kosovës me kompaninë Contour Global është e dëmshme dhe me një kosto tepër të madhe.
Vetëvendosje, ka renditur tetë arsyeje se përse nuk duhet të ndërtohet Termocentrali “Kosova e Re”.

Tetë arsyet pse ky projekt duhet të ndalet?

Qeveria e Republikës së Kosovës njoftoi në mbledhjen e 85-të për fillimin e punës lidhur me kontratën për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Në rrethana normale ky do duhej të ishte një lajm i mirë për qytetarët e Republikës. Fatkeqësisht, në realitetin që e kanë prodhuar qeveritë e Kosovës bashkë me këtë të fundit, ky lajm është pikërisht e kundërta.

Projekti siç është paraparë, me skenarin e Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës, hyn në listën e gjatë të projekteve të dëmshme, të stërshtrenjta, jotransparente dhe me kosto shumë të lartë për ekonominë në Kosovë, siç kanë qenë privatizimi abuziv i distribucionit (KEDS-i), autostradat miliardëshe të Bechtel-Enkas, koncesionimit monopolistik të aeroportit (Limak-Çalik), etj.

Me shumë se një projekt rasti në fjalë është një aferë, afera ContourGlobal.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Komiteti për Energjetikë i fton të gjithë specialistët, punëtorët e sektorit dhe qytetarët në përgjithësi ta kundërshtojnë zëshëm këtë projekt rrënues të Qeverisë së Kosovës me ContourGlobal.

Për dijeni të publikut pa hyrë në çdo detaj të kësaj kontrate, më poshtë janë (më së paku) 8 arsyet se pse kjo kontratë është shumë e dëmshme për Kosovën dhe pse duhet të ndalohet me çdo kusht:

1. 1.3 miliard për 500MW [Kosova e Re] krahasuar për shembull me 210 milionë për 600 MW, [Rindërtimi i tre blloqeve të TC Kosovës A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë euro/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.

2. 80euro-96/MW çmimi i garantuar i blerjes nga Contour Global, krahasuar me 30euro/MW nga KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80euro deri 96euro/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60euro-80euro.

3. Norma e kthimit prej 18.5% dhe garantimi i kredive nga Qeveria e Kosovës – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po që se ai dështon ta paguaj kredinë.

4. Rritja e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorë – Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.

5. 5-7 miliardë euro – Kostoja totale energjisë elektrike nga TC Kosova e Re për periudhën prej 20 vjetësh, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë euro (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.

6. Krijimi i ndërmarrjes fantome NKEC – Qeveria ka themeluar Ndërmarrjen e Re Kosovare të Energjisë “New Kosovo Energy Company [NKEC]” e cila do të blejë energjinë elektrike nga ContourGlobal me çmim prej 80euro-96/MW e cila më pastaj do t’ja shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.

7. Çrregullimi i tregut të energjisë elektrike në vend – Në kundërshtim me të gjitha praktikat europiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria i siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.

8. Asnjë bllok i ngjashëm në rajon e më gjerë nuk është dekomisionuar por janë rindërtuar apo riparuar – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.

Telegrafi,  31.01.2019