Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Humbjet në rrjet, OST shpenzon mbi 9 milionë euro për blerje

Operatori i Sistemit të Transmetimit që ka kërkuar rishikim të çmimit pranë Entit Rregullator të Energjisë ka argumentuar se blerjet në tregun e lirë për energjinë që mbulon humbjet dhe shërbimet mbështetëse kanë pasur ndikim të rëndësishëm në koston e transmetimit. Pas kërkesës së OST, Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me kostot dhe në një shkresë zyrtare zbardhen edhe shifrat.

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka nënvizuar se humbjet në rrjet zënë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve që për vitin 2018 llogaritet 9.4 milionë euro.

“Komponenti kryesor që ka ndikuar në koston e transmetimit për vitin 2018 ka qenë blerja në treg të hapur e humbjeve në rrjetin e transmetimit. Është realizuar tenderi për muajin nëntor 2018 dhe është fituar nga KESH për sasinë 3808 MWh me çmim 60.78 euro/MWh në vlerën 231 mijë euro. sipas tenderit vjetor të realizuar për gjithë vitin priten të faturohen GEN-I Tirana dhe 2 fatura për muajin nëntor dhe dhjetor në sasitë respektivisht 5760 MWh dhe 5960 MWh me çmimin e tenderit vjetor 50.77 euro/MWh në vlerat 292 mijë euro dhe 302 mijë euro” thuhet në raportin e OST.

Një tjetër element i rëndësishëm në kosto që sillet në vëmendje nga ana e OST është ajo për blerjen e shërbimeve ndihmëse të cilat llogariten rreth 1.5 milionë euro.

“Parashikojmë që gjatë vitit 2019 shërbimet ndihmëse të realizohen në të njëjtat vlera me vitin 2018” thuhet në dokument.

Aplikimi për rishikim tarife

Në dokumentin ku kërkohet rishikimi i  tarifës së transmetimit që aktualisht është 0.75 lekë parashtrohen tre variante ku në skenarin e parë rritja mund të shkojë me shumë se 85 për qind kurse në atë më të moderuar kemi një kërkesë për vetëm 0.09 lekë më shumë për çdo kilovat/orë energji të transmetuar.

Varianti i parë nënvizon se vetëm shtesa e detyrimit për të paguar kreditë shërbimet ndihmesë dhe ITC nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit do të kërkonte që tarifa të rritej me 0.64 lekë dhe duke e çuar tarifën finale në 1.39 lekë nga 0.75 lekë për çdo kilovat të transmetuar që është sot.

Në një variant të dytë ku nuk parashikohet pagesa e kredive OST ka ulur kërkesën e saj për tarifën por mund të bëjë vetëm blerjen e shërbimeve shtesë nëse do të kemi një rritje me 0.2 lekë për çdo kilovat orë energji të transmetuar. Kjo do ta çonte tarifën në 0.95 lekë/kwh.

Në variantin e fundit OST ka parashikuar një tarifë 0.09 lekë më të lartë se ajo që ka duke e çuar në fund tarifën e transmetimit 0.84  lekë/kwh çka do të thotë që shërbimet mbështetëse do të merren nga KESH dhe kreditë nuk do të paguhen. Një situatë pak a shumë e ngjashme me atë aktuale.

Shqiptarja.com  19.12.2018