Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbi, projekti për fabrikë qymyri ngre shqetësime

Sapo hyn në qytetin gri të minierave në Kostolac të Serbisë, ndeshesh me një erë të keqe, e cila ka mbuluar të gjithë këtë qytet. Këtu, njerëzit i hapin shumë rrallë dritaret, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit, shkruan Dusan Stojanovic për “Associated Press”.

Situata po përkeqësohet për banorët që jetojnë pranë kompleksit të fabrikës në Kostolac në Serbinë Lindore, e cila do të zgjerohet më shumë nëpërmjet një huaje prej 715 milionë dollarësh, nga një bankë shtetërore kineze dhe që gjithashtu do të ndërtohet edhe nga një prej kompanive më të mëdha të Kinës.

Kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit mbi trajtimin e ndryshimeve klimatike globale në 2017-n, Kina u pa si kampioni në fuqi në betejën për të reduktuar emetimet e karbonit dhe për të parandaluar një katastrofë mjedisore globale. Sipas ekspertëve, Kina po mundohet që të reduktojë edhe emetimet e karbonit brenda shtetit të saj, duke zbatuar projektet e energjisë së rinovueshme dhe duke reduktuar përdorimin e qymyrit. Por jashtë shtetit të saj, Kina po ndjek një strategji krejtësisht të ndryshme.

Kompanitë kineze janë investitorët më të mëdhenj në botë në ndërtimin e fabrikave të qymyrit. Ato janë përfshirë në ndërtimin e rreth një së pestës së kapaciteteve të reja energjetike të qymyrit në mbarë botën, kryesisht në vendet përgjatë programit të saj të investimeve “Një Rrip, Një Rrugë”, projekt ambicioz, që në Perëndim shihet si një përpjekje nga Kina për të rritur globalisht ndikimin ekonomik.

Pekini ka nxjerrë udhëzime të shumta në drejtim të investimeve të huaja, kryesisht duke ruajtur praktikat miqësore me mjedisin. Por një shqetësim i madh në këtë drejtim është se këto udhëzime nuk janë të detyrueshme dhe se stacionet e energjisë janë të ndërtuara kryesisht në shtetet në zhvillim, të cilat kanë standarde të ulëta të emetimit të ndotjes, ose më e keqja nuk kanë fare standarde të caktuara.

“Qeveria qendrore kineze përcaktoi në mënyrë eksplicite se të gjitha projektet e nismës ‘Një Rrip, Një Rrugë’, duhet të jenë të gjitha projekte të gjelbra dhe me emetime të ulëta të karbonit”, tha në Pekin përfaqësuesi i Kinës për çështjet e ndryshimeve klimatike, Xie Zhenhua.
“Prandaj, të gjitha projektet në zhvillim e sipër do të ndërtohen sipas teknologjisë më të përparuar për të kursyer si burimet ashtu edhe energjinë, dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të siguruar reduktimin e emetimeve të karbonit”, tha më tej z. Zhenhua.

Huang Wei, një aktiviste e Greenpeace dhe çështjeve klimatike, tha se Kina “ka mbingopje të tregut të qymyrit” brenda vendit. Kjo është një prej arsyeve kryesore se përse hapësira e tregut në Kinë për fabrikat e qymyrit po pakësohet, duke i detyruar në këtë mënyrë kompanitë e ndryshme kineze që të kërkojnë marrëveshje fitimprurëse jashtë shtetit të tyre. Kina është në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimin e brendshëm në reduktimin e emetimeve të karbonit. Por plani për të investuar në vendet e nismës “Një Rrip, Një Rrugë”, veçanërisht infrastruktura, mund të ketë ndikim të madh mbi klimën”, tha më tej znj. Wei.

“Deri më tani, qeveria kineze i përcakton standardet mjedisore në përputhje me ato të vendeve ku ajo investon. Por sipas znj. Wei, kjo nuk është e mjaftueshme, duke marrë në konsideratë faktin se pjesa më e madhe e vendeve ku Kina ka investuar dhe do të investojë kanë standarde shumë të ulëta mjedisore. Mendoj se është detyrë e Kinës dhe e vendeve përfituese për të rritur nivelin e standardeve mjedisore, tha në fund znj. Wei.

Sipas disa ekspertëve, objektivat kryesore të Marrëveshjes së Klimës mund të përmbushen vetëm nëse emetimet e dioksidit të karbonit dhe të gazrave të tjerë serrë do të ulen në nivelin zero deri në vitin 2050. Një prej mangësive të Marrëveshjes së Parisit është se ajo ia lë në dorë të gjitha shteteve anëtare vendosjen e objektivave të tyre të emetimeve. Disa prej këtyre vendeve janë në rrugën e duhur, disa të tjera, jo. Por fatkeqësisht, bota është duke ecur në rrugën e gabuar.

Së fundmi, Organizata Botërore Meteorologjike tha se përqendrimet mesatare të dioksidit të karbonit në nivel global arritën një nivel rekord në 2017, ndërkohë që edhe niveli i gazeve të tjera si metani dhe oksidi i azotit u rritën. Ky vit pritet të shënojnë rritje prej 2% të emetimeve të shkaktuara nga njeriu, duke përmendur këtu ndërtimin e fabrikave të qymyrit si ai në Serbi, dhe për shkak të prerjes drastike të pyjeve.

Punëtorët kinezë të pajisur me helmeta të forta kanë nisur ndërtimin e një prej fabrikave më të mëdha të qymyrit në Kostolac të Serbisë, e cila do të punojë kryesisht me llojin e qymyrit që njihet si linjit dhe që konsiderohet edhe si një prej lëndëve që emeton nivelin më të lartë të karbonit.
Ai prodhon sasi të madhe hiri, i cili duhet të depozitohet me shumë kujdes në fusha të mëdha, të cilat spërkaten nga uji, që të parandalohet përhapja e tij në atmosferë dhe mbi të gjitha, duhet të ndalet hedhja e tij në lumin e Danubit që ndodhet pranë.

Sipas kompanisë energjetike shtetërore serbe, EPS, njësia e re prej 350 megavat do t’i duhet që të përmbushë standardet më të larta mjedisore që të nisë të veprojë deri në vitin 2020. Më shumë se 70% e energjisë së Serbisë prodhohet nga qymyri, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet.
“Është me rëndësi të theksohet se ky projekt po bëhet në përputhje me të gjitha standardet europiane dhe ligjet serbe”, tha Zheljko Lazoviç, menaxher i projektit të EPS. Analisti i energjisë Misha Brkiç tha se qeveria e Serbisë po bën një gabim shumë të rëndë, duke këmbëngulur në përdorimin e qymyrit si lëndë djegëse për të prodhuar energji elektrike, në vend që të përqendrohet në energjinë e rinovueshme.

Ai tha më tej se partneri i zgjedhur kinez, ka para si dhe teknologjitë e duhura, por ne si një vend që dëshiron të ndërtojë centrale ose të rregullojë dhe modernizojë ato ekzistuese, nuk kemi përvojën dhe njohuritë e mjaftueshme për standardet me të cilat vepron Europa në këtë drejtim.
Kompania kineze Machinery Engineering, e cila po merret me zgjerimin e kësaj fabrike, ka refuzuar të komentojë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Banorët që jetojnë pranë fabrikës së Kostolacit janë të shqetësuar nga kjo situatë, duke thënë se niveli i ndotjes do të rritet kur fabrika të nisë sërish prodhimin. “Kur ne i ndejmë rrobat tona, ato ndryshojnë ngjyrë nga të bardha në të zeza”, u shpreh Dejan Grujic, një prej banorëve të zonës. Dhe kur era është shumë e fortë, situata bëhet katastrofike.

Monitor,  15.12.2018