Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projekti TAP, Rama: Transformon ekonominë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte sot në  Seman të Fierit për ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), me gjatësi 105 km. Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP me atë italian. Gjatë fjalës së tij, Rama tha  se gazsjellësi TAP do të garantojë një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese në një të ardhme shumë të shpejtë

Teksa ka folur në nisje të punimeve për seksionin detar të TAP që do të sigurojë lidhjen e gazsjellësit të Shqipërisë  me Italinë, shefi i qeverisë theksoi se kjo industri do të  krijojë mundësi punësimi për qytetarët e Shqipërisë.

Gjithashtu Rama u ndal edhe tek fakti tjetër duke rikujtuar se Shqipëria nuk është një vend problematik për bizneset e huaja, por projekti TAP ka treguar të kundërtën e disa pretendimeve, të cilat sipas Ramës, nuk kanë objektivitet kur shkruajnë  për mundësitë dhe kushtet që ofron Shqipëria.

Deklarata e Ramës

Tanimë, rreth 80% e projektit ka përfunduar dhe fillon edhe sfida e fundit, lidhja me anën tjetër të detit, me Italinë, krijimi i seksionit detar që ka një gjatësi prej 37 km në territorin e ujërave shqiptare dhe 25 km në territorin italian, bashkë me 43 km në ujërat ndërkombëtare.

Është një segment goxha i rëndësishëm, goxha sfidues për sa i përket teknologjisë dhe realizimit të tij. Numri i anijeve që do të përdoren për të realizuar këtë segment është mbresëlënës dhe shpresojmë që derisa segmenti të arrijë në brigjet e Italisë, në anën tjetër të jetë zgjidhur problemi i pritjes së tubit.

Më kujtohet gjithmonë kur vijmë në këto evenimente, takimi që kemi bërë me një përfaqësi të TAP-it në fillim, kur ne kishim marrë detyrën. Kur ata erdhën të shprehnin shqetësimin se në Shqipëri mund të ndesheshin me surpriza, befasira dhe pengesa që do të vononin projektin, – TAP-i dihet kalon në disa vende – dhe më vjen jashtëzakonisht mirë ta rikujtoj përsëri, sepse e kam thënë dhe njëherë tjetër që, përpara jo shumë kohësh, i njëjti grup erdhi në zyrën time dhe më tha, jemi absolutisht të befasuar nga fakti që në të gjitha vendet e tjera patëm dhe kemi probleme, në Shqipëri s’kemi pasur asnjë problem.

Në këtë aspekt shpresoj dhe uroj që të gjithë ata që kanë punuar me Shqipërinë të kthehen në ambasadorë të vendit dhe të përcjellin këtë fjalë, që ndryshe nga çfarë llafollogohet rëndom, apo nga çfarë thuhet hera-herës në mënyrë jo fort objektive dhe në raporte të caktuara, Shqipëria nuk është një vend i vështirë për investimet e huaja, apo për investimet e mëdha, -përkundrazi, – kur ka një projekt, kur ka një seriozitet dhe kur ka një bashkëpunim, që nga ana jonë është gjithmonë gatishmëria që të ketë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po e drejton këtë proces në të cilin ka pasur shprehje interesi nga shumë kompani të njohura botërisht, kompani ndërkombëtare. E po ashtu jemi në procesin e zgjidhjes së një tjetër ngërçi të madh të së shkuarës, një “By-Pass Fieri” në formë termocentrali, i bllokuar atje në Vlorë, një tjetër gërmadhë, por prej shumë e shumë vitesh, e cila do të rimerret dhe do të kthehet në një nyje nevralgjike të sistemit të së ardhmes përsa i përket gazit.

Jemi në pritje të tymit të bardhë, që përfundimisht do të përcaktojë të vërtetën lidhur me një eksplorim shumë të rëndësishëm të SHELL-it në Shpirag dhe besojmë shumë që së shpejti do të kemi një lajm që do të jetë jashtëzakonisht pozitiv për të ardhmen e  ekonomisë shqiptare. Lajmin që nafta e gjetur është e komercializueshme dhe mund të hyjë së shpejti në treg, duke sjellë të ardhura të mëdha për ekonominë tonë, gjë që ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe interesin për naftën tonë të shumë aktorëve të tjerë të rëndësishëm globalë.

Gazeta Shqip,  22.10.2018