Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC në Fierzë, Ing.Pjetri rrëfen si iu morën informacionet kinezëve

Në intervistën për ‘BalkanWeb’ me gazetarin Erjon Skëndaj, inxhinier Luigj Pjetri thotë se hidrocentrali i Fierzës u projektua nga inxhinierët më të mirë të kohës ishte një ndërmarrje shumë e guximshme edhe për vende shumë më të zhvilluara pasi për herë të parë ndërtohej një digë gjigande jo me beton por me një përzierje argjile dhe zhavorri.

“Ndërtimi i digës së Fierzës, është një digë e vecantë sepse është një digë e ndërtuar me material vendi, me argjilë, zhavorr gurë. Dhe kapaciteti i kësaj dige është 8 mlm metër kub material, që janë transportuar dhe hedhur në  digë në mënyrë të sistemuar konform projektit.” -tregon inxhinier Pjetri.

Inxhinier Pjetri thotë se prej 40 vitesh HEC në Fierzë mban ‘mbi shpatullat e saj’ 2.7 mld metër kub ujë dhe nuk ka asnjë problem. “Prurjet ndiqen në mënyrë permanente, ka grafikë të caktuar për shkarkimet. Informacioni tani merret shumë më mirë, falë teknologjisë dixhitale. Digat janë shume të sigurta, janë të ndërtuar me koeficentë sigurie shumë të lartë që të përballojnë mbi 9 ballë tërmet.” -tha Pjetri në intervistën për “BalkanWeb”.

Në rrëfimin e tij, Pjetri zbulon edhe një detaj të pa njohur më parë. Ai tregon sesi ua morën me dinakëri informacionet specialistëve kinezë 1 vit para se të prisheshin marrëdhëniet diplomatike. Inxhenieri thotë se në vitin 1977 nga byroja politike e kohës i ishte komunikuar në sekret të plotë që prishja e marrëdhënieve do të ndodhte shumë  shpejtë por këtë informacion duhej ta mbante të fshehtë edhe për sekretarët e parë të rretheve.

“ Kur u emërova drejtor i HEC në Fierzë u thirra nga ministri i asaj kohe Xhafer Spahiu, dhe më dha 27 porosi dhe më tha mbylle bllokun, se do të jap një porosi që nuk do ta shkruash, se mos e lëxon kush e del sekreti. Më tha se jemi në prag të prishjes së marrëdhieneve me Kinën. Jam i autorizuar nga lart, të të them që ta dish vetëm ti, e të ndërtosh punën për vënien në shfrytëzim të veprës, edhe pa specialistët kinezë.” -rrëfen Pjetri, ndërsa thekson se punonin natë ditë por edhe për të marr instruksione nga punonjësit kinezë, ndërsa thotë se për t’iu ardhur në ndihmë kërkoi një inxhinier shqiptar që kuptonte gjuhën kineze.

“Ma dhanë brenda 24 orësh, me inxhinierin Fatmir Hoxha i cili kishte mbaruar në Kinë, dhe ai tërë natën ai përkthente, dhe në mëngjes ua jepja instruksionet në degë teknike. Megjithatë ne arritëm të vëmë turbinën në punë, dhe ikja e tyre në 7 korrik 1978, që doli nota e prishjes së marrëdhënieve me Kinën, ne arritëm ta realizojmë si objektiv.” -tregon më tej inxhinier Pjetri.

Balkan,  17.10.2018