Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Centrali bërthamor Belene gëlltit miliarda euro, pa asnjë dobi

Projekti për ndërtimin e një centrali të dytë bërthamor në Bullgari që nga koha e komunizmit, është në prag të mbushjes së 40-vjetorit. E megjithatë, një central i tillë bërthamor ende nuk është ndërtuar në Bullgari.

Kryeministri Bojko Borisov, dikur e ka quajtur vendin e ndërtimit një “pellg”, por ky pellg është shndërruar tashmë në një vrimë të zezë financiare, e cila deri më tani ka gëlltitur rreth 2 miliardë euro, pa asnjë dobi.

Një pjesë e madhe e këtyre parave shkuan për të rindërtuar infrastrukturën e nevojshme për centralin e ardhshëm të energjisë. Më shumë se 600 milionë euro u shpenzuan për të dy reaktorët bërthamorë, të cilët Rusia do t’i ndërtonte, gjë të cilën ajo e bëri, por ky projekt u braktis nga Asambleja Kombëtare Bullgare.

Pak ditë më parë, u publikua lajmi se Gjykata e Arbitrazhit vendosi se Bullgaria duhet të paguajë, me interes, edhe 32 milionë euro të tjera kundrejt konsulentëve të projektit, WorleyParsons, për shërbimet bërthamore. Vlera i shtohet 265 milionë eurove të paguara tashmë kundrejt kompanisë.

Projekti i papërfunduar por tejet i ekzagjeruar, thuhet se do të kushtojë rreth 10 miliardë euro. Ky projekt ka ndikuar në nxitjen e polemikave dhe konflikteve midis politikanëve dhe kryesisht brenda industrisë energjetike. Çështja është nëse Bullgaria ka vërtet nevojë për një central të dytë bërthamor dhe cilat do të ishin përfitimet e saj ekonomike në rast se do të ndërtohej.

Përkrahësit e ndërtimit të këtij centrali shprehen se në një periudhë nga 10 deri në 15 vjet (sepse kaq është koha që duhet për të ndërtuar një central të tillë), çmimi i energjisë elektrike në Bullgari do të rritet dhe se një çmim më i ulët mund të arrihet vetëm duke ndërtuar këtë central të ri bërthamor.

Ndërsa sipas kundërshtarëve të projektit, kapaciteti i ri bërthamor nuk mund të jetë kurrë me kosto efektive, duke ditur sesa njerëz të varfër ka në vend dhe duke ditur sesa të dobëta janë bizneset lokale. Gjithashtu, konsumi i energjisë elektrike në Bullgari po pëson rënie dhe se stacionet termoelektrike klasike, centrali i vjetër bërthamor në Kozloduy dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë do të jenë plotësisht të mjaftueshme në periudhën afatmesme. Ata as nuk duken të shqetësuar nga masat e vendosura nga BE-ja për kufizimin e prodhimit të energjisë elektrike nga stacionet e thëngjillit, për të mbrojtur mjedisin.

Por ka edhe një arsye tjetër se përse ndërtimi i stacionit të dytë të energjisë bërthamore në Bullgari mbetet i mbushur plot me probleme: kushtet që autoritetet bullgare u vendosin investitorëve potencialë. Sipas tyre, termocentrali i ri duhet të menaxhohet dhe të drejtohet privatisht, ku qeveria bullgare do të ketë vetëm një përqindje shumë të vogël të aksioneve. Centrali duhet të funksionojë pa u mbështetur te ndihma dhe mbështetja e qeverisë bullgare.

Sipas argumenteve të ekspertëve, në asnjë vend tjetër në botë nuk është ndërtuar deri më tani ose të funksionojë një central elektrik bërthamor, pa përfshirjen e qeverisë së shtetit përkatës. Duke marrë në konsideratë faktin se për momentin ka shumë pak interes nga investitorët në këtë drejtim, autoritetet bullgare kanë nxjerrë në shitje dy reaktorët bërthamorë të dorëzuar nga Rusia. Por edhe për këtë duket se askush nuk ka shprehur interes.

Një opsion tjetër që po merret në konsideratë është që këto reaktorë të funksionojnë në stacionin ekzistues të energjisë bërthamore në Kozloduj. Kontradiktat, profesionalizmi i dobët, strategjia e paqartë e energjisë, konfliktet midis lobeve të ndryshme, dëmet financiare që vendi ka për të paguar dhe shumat kolosale të shpenzuara, janë të gjitha epitete që e përshkruajnë më së miri projektin e ndërtimit të një centrali të dytë bërthamor në Bullgari. Prandaj edhe propozimi për një zgjidhje të kësaj situate, duhet gjetur sa më shpejt.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një zgjidhje në një nivel ekspertësh ku inxhinierët, projektuesit dhe ndërtuesit janë plotësisht të aftë për ta dhënë atë në fushën e tyre, por një zgjidhje në sektorin politik. Pikërisht, dhënia e një zgjidhjeje në këtë drejtim është shumë e rëndësishme, duke ditur sasitë e mëdha të fondeve publike që tashmë kanë shkuar për ndërtimin e këtij projekti, që fatkeqësish nuk ka pasur asnjë përfitim për vendin. Është e qartë se gjërat që nuk mund zgjidhen vetë. Shpenzimet e pakuptimta dhe në vlera shumë të larta duhet të përfundojnë sa më parë të jetë e mundur dhe mbi të gjitha, të mbrohen interesat e vendit dhe të çdo qytetari të tij.

Monitor,  15.10.2018