Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Firma kineze zgjerohet duke blerë minierën serbe

Në një përpjekje për të zgjeruar gjurmët globale, kompania kineze Zijin Mining ka marrë 63% të aksioneve në minierat e RTB Borit në Serbi. Marrëveshja e fundit midis një prej kompanive minerare të arit më të mëdha në Kinë, Zijin Mining, dhe një prej prodhuesve më të mëdhenj të bakrit në Serbi dhe të goditur nga borxhet, është edhe përpjekja e fundit e Kinës për të zgjeruar gjurmën ekonomike në rajonin e Ballkanit.

Duke njoftuar këtë marrëveshje, ministri i Energjisë dhe Minierave, Aleksandar Antic i Serbisë tha se kompania Zijin Mining kishte fituar një konkurs publik për t’u bërë partner strategjik i kompleksit të minierave të bakrit në Serbi. Ai shtoi se në mesin e tre kompanive që tenderuan për të bashkëpunuar me Minierën e Shkrirjes së Bakrit, kompania kineze, Zijin Mining Group, ishte ajo që bëri ofertën më të mirë.

Si pjesë e marrëveshjes, ministri serb tha se Zijin Mining do të investojë 1.26 miliardë dollarë në kompani dhe do të zotërojë 63% të aksioneve në RTB Bor, e cila është prodhuesi i vetëm i bakrit dhe metaleve të çmuara të Serbisë. Ai shtoi se nga 1.26 miliardë dollarë amerikanë, 135 milionë dollarë do të investohen në përmirësimin e mjedisit dhe 320 milionë dollarë do të ndahen si një kapital për kompaninë, për t’u përdorur më pas për të hapur një minierë të re bakri.

Z. Antic tha në një deklaratë për shtyp, duke iu referuar marrëveshjes, se kompania Zijin ka premtuar të mbulojë borxhin prej 200 milionë dollarësh të RTB Bor dhe të mos mbyllë rreth 5.000 vende pune në minierë. Ai shtoi se pasi kompanitë të nënshkruajnë kontratën gjatë këtij muaji, Zijin Mining, mund të fillojë të menaxhojë kompaninë në fillim të vitit të ardhshëm.

Z. Antic vuri në dukje se marrëveshja me kompaninë Zijin Mining do të mundësojë hapjen e një miniere të re, si dhe modernizimin dhe rritjen e kapacitetit të fabrikës së shkrirjes. Në një intervistë të dhënë për televizionin publik të Serbisë, RTS, z. Antic tha se brenda një periudhë trevjeçare, ata presin dyfishim të prodhimit në rreth 80,000 tonë bakër, ndërsa në një periudhë pesëvjeçare, ajo pritet të shënojë një rritje prej 120,000 – 150,000 tonë bakër.

Deri më tani, Kina ka investuar mbi 1 miliard dollarë në vendin ballkanik, duke dhënë kredi të buta, duke investuar në infrastrukturë dhe në projekte energjetike, duke qenë se Pekini e sheh Serbinë si pjesë të nismës së saj ambicioze triliona dollarëshe, “Një Rrip, Një Rrugë”.
Në përpjekjen për të nxitur kërkesën për mallra kineze jashtë kufijve të saj dhe për të zgjeruar ndikimin e Kinës në çështjet globale, Presidenti kinez, Xi Jinping, është duke ecur përpara me projektin ambicioz të vendit të tij që synon ringjalljen e rrugëve të lashta tregtare me një rrjet global portesh, rrugësh dhe hekurudhash.

Si pjesë e projektit, Kina ka investuar qindra miliarda dollarë në projektet e infrastrukturës kryesisht në Azi, Europë dhe Afrikë. Ndërkohë, Serbia, e cila është një ndër kandidatet për anëtarësim në Bashkimin Europian, po bën përpjekje për të shitur kompanitë shtetërore të mbytura në borxhe, në mënyrë që të nxisë rritjen ekonomike dhe të lehtësojë presionin mbi buxhetin.

Revista Monitor,  01.10.2018