Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Aeroporti i Tiranës “peshon” energjinë elektrike

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është i vetmi aeroport në botë që “peshon” energjinë elektrike. Rastin e denoncon eksperti i Aviacionit Civil Dritan Goxhaj, i cili thotë se ka krahasuar modelet e çmimeve që vendosin për ndriçimin e pistës së avionëve aeroporte në rajon dhe  Europë, por tarifa e ndriçimit në vende të tjera është fikse, ndërsa në Rinas vendoset në bazë të peshës së avionit.

Goxhaj thotë se autoritetet shqiptare duhet të kishin marrë prej kohësh nismën për të ulur tarifat, e se në çështjen e rishikimit të pavarur ekonomik që ka nisur qeveria shqiptare është e ditur se cila palë do të fitojë.

Ekspertët thonë se Shqipëria e ka të pamundur që të marrë masa edhe ndaj abuzimit me çmimet nga ana e kompanive të fluturimit, për shkak se asnjëra prej tyre nuk është vendase.

Ditët e fundit çmimet e biletave për fluturime nga Tirana janë rritur me 2 deri në tre herë se disa javë më parë, në kontrast me çmimet që ofrojnë vendet e tjera fqinjë me Shqipërinë. Abuzimi ndodh për shkak të rritjes së kërkesës për bileta, ndërsa përgjatë gjithë vitit aeroporti i vetëm në Shqipëri mban tarifa aeroportuale 3-fish më të larta se aeroportet në rajon. Uljen e tyre e ka kërkuar prej kohësh Autoriteti i Konkurrencës dhe së fundi edhe qeveria.

TV Klan,  30.07.2018