Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sfida e Albgaz për gazifikimin

Intervistë me z. Arbër Avrami, drejtor i përgjithshëm, Albgaz

Ende pa plotësuar dy vjet nga krijimi i saj, kompania shtetërore e gazit Albgaz, e konceptuar si një operator i kombinuar që do të kryejë veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Shpërndarjes, ka hyrë në negociata dhe marrëveshje serioze me kompani të njohura ndërkombëtare. Më e fundit është një Joint-Venture me gjigantin italian SNAM dhe që së bashku do të kryejë gjithë operacionet e mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP.

Po kështu, kompania është në negociata lidhur me përftimet e mundshme nga një marrëveshje me gazsjellësin TAP, e cila në fokus, të paktën sipas diskutimeve ende në tryezë, do të ketë ndihmën për ngritjen e kapaciteteve. Shqipëria ka një të kaluar aktive me gazin, por të vakët në ditët e sotme me asete që një pjesë janë vjedhur, një pjesë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme dhe pjesa tjetër, kanë nevojë për investime.

Por këto investime në rrjet nuk mund të kryhen pa pasur një bilanc të qartë të aseteve, një tarifë shpërndarje dhe transmetimi të saktë që të mbështesë planet e biznesit dhe ngritjen e kapaciteteve teknike dhe njerëzore. Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i Albgaz, Arbër Avrami, jep detaje për rolin që do të ketë Albgaz në sektorin e gazit në vend sapo TAP të përfundojë, hapat që do të ndiqen për investimet dhe planet e gazifikimit të Shqipërisë sipas masterplanit paraprak të miratuar tashmë.

Në fund të vitit 2016, u miratua vendimi që krijonte kompaninë Albgaz. Ku ndodhet sot më shumë se një vit e gjysmë nga krijimi kjo kompani, në raport me burimet njerëzore, planet e investimit, pozicionimit dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit?

Albgaz sh.a. (AG) u krijua në fund të 2016-s dhe ka filluar formalisht punë në mars të 2017-s. Kompania u krijua për të funksionuar si një operator i kombinuar, duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe të Shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Shqipërisë. Krijimi u bë pas shkëputjes nga kompania Albpetrol, me një pjesë të aseteve gjithashtu të transferuara, në vlerën kontabël prej afro 358 milionë lekësh.

Në momentin e shkëputjes, AG kishte 117 të punësuar, kryesisht në filialin e saj të Fierit, Delvinës, Divjakës dhe Vlorës. Pas krijimit, AG krijoi departamentet kryesore, në selinë qendrore në Tiranë, ku u punësuan që nga fillimi, afro 40 punonjës, në departamente si ai i financës, i burimeve njerëzore, drejtorisë tregtare dhe rregullimit, të projekteve, shërbimet ndihmesë.

Deri më tani nuk janë kryer investime kapitale, për arsyen se ato duhet të identifikohen dhe dimensionohen siç duhet si dhe për efekt të burimeve të financimit, të cilat duhet të sigurohen. Për momentin, kompania nuk ka burime të brendshme financiare, sepse nuk ka trashëguar nga e kaluara ndonjë treg gazi të zhvilluar! Por AG ka filluar të identifikojë plane të qarta investimi: si linjën Fier-Vlorë, apo interesimet e para për të kapitalizuar në zhvillimin e tregut të brendshëm të gazit.

AG, në një periudhë të shkurtër nga krijimi i tij, ka mundur të pozicionohet dhe të plotësojë kriteret e përcaktuara për të ushtruar funksionin e tij, duke zbatuar kushtet e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar dhe Komuniteti i Energjisë. Në muajin nëntor, Albgaz mori miratimin e metodologjisë së tarifave, duke vijuar me certifikimin dhe me licencimin përfundimtar si OST. Gjithashtu, një arritje e rëndësishme është edhe anëtarësimi i AG, si vëzhgues pranë ENTSO-G, status ky i nivelit më të lartë për një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Tashmë Albgaz Sh.a ka të drejtën për të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe mbledhjet e organizuara nga Asambleja e Përgjithshme e ENTSO-G dhe grupet e punës përkatëse në nivel europian.

AG ka filluar ndërkohë bashkëpunimet e para tij. Kompania sapo ka mbyllur marrëveshjen për krijimin e Joint-Venture me SNAM s.p.a., operatorin më të madh europian të gazit (me afro 40 mijë km gazsjellës në operim), me seli në Milano, Itali, një Joint-Venture, e kontrolluar 75% nga AG dhe 25% nga SNAM ka për objekt ofrimin e të gjithë shërbimeve të operim-mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP. SNAM do të garantojë transferimin e njohurive teknologjike të avancuara për mirëmbajtjen e TAP me një staf pothuaj tërësisht shqiptar, duke i trajnuar dhe certifikuar më parë në Itali dhe pastaj pranë aseteve të TAP në Shqipëri. Në këtë drejtim, duket sikur po përvijohen edhe bashkëpunime të tjera, edhe për subjekte të tjera shumë të njohura të sektorit ndërkombëtar të gazit, si SOCAR, (një nga aksionerët e TAP), vetë SNAM, apo operatorë të tjerë europiane të të njëjtit nivel.

A ka sot Albgaz një studim mbi gjendjen totale të linjave të transmetimit të gazit në vend, sa është gjatësia e tyre dhe si paraqitet situata?

AG ka filluar një proces të brendshëm për aktivizimin e resurseve të treta për identifikimin e gjendjes fizike, vlerësimit teknik dhe në vijim të atij financiar në lidhje me gjendjen e përgjithshme të tubacioneve të AG. Ky proces kryhet për herë të parë në këtë formë dhe synon të identifikojë: hartën fizike të rrjetit aktual të AG, pjesët respektive që mund të riparohen, pjesët e rrjetit totalisht të parikuperueshme (për t’u nxjerrë jashtë bilancit si asete), nevojat financiare për riparimin e tyre ose eventualisht kalimin e procesit të mirëmbajtjes për një palë të tretë. Nga ky proces do të rezultojë inventari i plotë i AG mbi gjatësinë totale të tubacioneve dhe të dhëna të dorës së parë për mënyrën e shfrytëzimit të tyre!

Cilat janë linjat ku parashikohet edhe plani më i afërt i ndërhyrjeve, edhe pse një ide e jep edhe masterplani i gazit duke ndarë Fier-Vlorë dhe Tiranë-Durrës ku është përqendruar dhe aktiviteti kryesor ekonomiko-industrial i vendit?

Siç përmendet në pyetje, plani më i afërt i AG për zhvillim është tubacioni Fier-Vlorë, me destinacion TPP, TEC-in Vlorë. Arsyet e kësaj zgjedhjeje janë të “detyrueshme”, sepse në parim investimi në tubacione mbështet zhvillimin e një tregu të caktuar. Në këtë moment, “tregu” relativisht më i përgatitur (pavarësisht nga vështirësitë vetëm momentale të TPP Vlorë për të qenë në gjendje pune) është pikërisht TPP Vlorë. Me një investim, ai vihet në punë dhe mund të shërbejë si një rregullator i energjisë elektrike.

Duke pasur hapin e parë të “garantuar”, siç është TPP, hapi i dytë vjen shumë natyrshëm: zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës, në fillim me konsumatorët industrialë apo të mëdhenj, pastaj edhe me konsumatorin familjar. Duke provuar në praktikë konceptin e zhvillimit të rrjetit të gazit në vend, duke mbledhur përvojën nga ky aktivitet fillestar investimi AG vendoset automatikisht në një pozicion më të mirë, qoftë për përzgjedhjen e radhës së investimeve në tubacion, qoftë në parashikimin e kërkesave për investimet kapitale, por qoftë (shumë e rëndësishme) për argumentimin financiar të këtyre financimeve përballë kreditorëve të mundshëm privatë, publikë apo të përzierë. Kështu, p.sh., radha e investimeve mund të ndiqte këtë renditje: gazsjellësi Fier-Vlorë-TPP Vlorë, Shpërndarje Vlorë, Shpërndarje Fier, gazsjellësi Fier-Elbasan, Shpërndarje Elbasan, etj.

Por nga kjo panoramë e investimeve potenciale AG ka gati vetëm një studim fizibiliteti për gazsjellësin Fier-Vlorë (afro 40 km). Në përgjithësi, fazat studimore të projekteve të tilla (FEED deri në EPC) marrin për çdo projekt të ri afërsisht 1-2 vjet, sepse janë projekte komplekse ku analizohen shumë aspekte: ekonomike, teknike, sigurie, ekologjikë, sociale, financimi, etj.

ERE ka diskutuar disa herë mbi tarifën e transmetimit për kompaninë, a mendoni se ajo është një tarifë që garanton funksionim normal të kompanisë, si dhe realizim të planit të investimeve?

Tarifa e miratuar nga ERE do të mjaftonte që AG të vilte disa të ardhura nga tregu me tubacionet ekzistuese që ka aq sa të mundet. Por tarifa e vërtetë do të bëhet objekt analize dhe eventualisht ndryshimi praktiko-ekonomik, në momentin që do të kemi një “masë” nevojash konkrete zhvillimi të rrjetit (si për shembull rrjeti Fier-Vlorë).

A keni hyrë në diskutime dhe marrëveshje me institucione financiare ndërkombëtare apo donatorë për të siguruar financime me kosto në ulët në funksion të investimeve?

Pikërisht, për shkak të gjendjes së përshkruar më sipër, AG ende nuk është gati që t’u qaset institucioneve financiare, sepse qasja ndaj tyre presupozon se ekziston një projekt i plotë në të gjithë komponentët e tij, i gatshëm për t’u financuar. AG, përmes bashkëpunimeve që synon, ka për objektiv arritjen pikërisht në këtë fazë, në të cilën AG është në gjendje t’u qaset i vetëm apo me partnerë institucioneve financiare për një projekt të caktuar.

Ku konsiston marrëveshja e fundit që Albgaz nënshkroi me kompaninë italiane SNAM?

Marrëveshja AG-SNAM, e nënshkruar më datë 11 qershor 2018, i hap rrugën krijimit të një Joint-Venture (JV), e cila do të kryejë gjithë operacionet e mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP. Mirëmbajtja e TAP është një “detyrim” që buron nga marrëveshja kuadër HGA e shtetit shqiptar me TAP dhe bën që AG, si aksionere, të fillojë operacione konkrete sektoriale, edhe pse në fillim, vetëm në drejtim të mirëmbajtjes dhe jo të vetë gazit. I rëndësishëm është megjithatë fakti që (i) AG do të ketë mundësi të trajnojë staf tërësisht shqiptar me standardet më të avancuara të sektorit të gazit, do të transferojë dhe certifikojë këto njohuri teknike nga partneri i saj SNAM dhe do t’i aplikojë ato në asetet e TAP në Shqipëri. Përveç kësaj, AG pret edhe përfitime financiare konkrete nga aktiviteti i JV. Të mos harrojmë se SNAM është operatori më i madh në Europë, me rreth 40 mijë kilometra rrjet gazi dhe me standarde nga më të lartat, edhe në nivel global.

Po me gazsjellësin TAP, cilat janë marrëdhëniet që janë rënë dakord aktualisht?

Aktualisht, të dyja palët po diskutojnë termat e veçantë të marrëveshjes së mirëmbajtës së gazsjellësit. Përveç të tjerave, TAP ka akorduar edhe një mbështetje financiare konkrete për zhvillimin e resurseve dhe kapaciteteve të AG, termat e së cilës gjithashtu po diskutohen midis TAP dhe AG. Në pjesën dërrmuese TAP i është përgjigjur AG, sidoqoftë si në çdo negocim tregtar ka edhe një numër detajesh të cilat janë në diskutim për t’u definuar përfundimisht. Atëherë edhe shumë aspekte të kësaj marrëveshjeje mund të bëhen publike!

Cilat janë masat që po merren për ngritjen e kapaciteteve njerëzore. Shqipëria ka përvojë në të kaluarën në lidhje me gazin, por situata aktuale e vendos atë në një ambient të ri, çka kërkon ekspertizë më të thelluar…

AG e ka në fokus ngritjen e kapaciteteve njerëzore, e para sepse nuk i disponon aq të përgatitur sa duhet, qoftë dhe për gjendjen aktuale apo objektivat afatshkurtër dhe, e dyta, sepse nuk do të mund të zhvillohej kurrë i plotë në një plan afatgjatë pa i ngritur ato. Në këtë kuadër, vetë TAP ka akorduar ndihmë financiare, detajet e së cilës janë në zhvillim e sipër, BERZH ka akorduar gjithashtu një grant me fokus vetëm ngritjen e kapaciteteve njerëzore! JV e përmendur më sipër është në thelb ngritje e kapaciteteve në drejtim të operimit dhe të mirëmbajtjes, e cila është aktiviteti kryesor pas ndërtimit të një gazsjellësi.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij procesi mund të përmendim vetëm për shembull faktin që trajnimi i plotë i afro 50-60 vetave mund të shkojë në rendin e dy (2) milionë eurove! Këto janë shifrat që diskuton AG me TAP në këto momente. Sidoqoftë, në plan afatgjatë, AG do të ketë stabilizuar një proces të qëndrueshëm të ngritjes së kapaciteteve njerëzore, sepse jo vetëm tregu i brendshëm mund të zgjerohet dhe do të ketë nevojë të padiskutueshme për më shumë burime njerëzore të specializuara, por dhe vetë këto burime kanë nevojë të zëvendësohen kohë pas kohe.

Revista Monitor,  23.07.2018