Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum, nga falimenti në një model suksesi

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, procedura e falimentit më synim riorganizimin e një kompanie ka funksionuar. Kurum, që shpalli falimentin në fillim të vitit 2016, sot po punon me kapacitet të lartë dhe brenda 7 viteve pritet të shlyejë të gjithë kreditorët. Si u arrit që një kompani në prag të kolapsit të kthehej në një model suksesi, që tashmë po mendon për investime të tjera…

Puna nis me ritëm të lartë që në orët e para të mëngjesit në shoqërinë e përpunimit dhe prodhimit të metaleve, Kurum. Procesi është automatik dhe filtrat e rinovuar e kanë reduktuar dukshëm nivelin e ndotjes. Lënda e parë, kryesisht skrap, futet në furren e shkrirjes me hark elektrik dhe del më pas e përpunuar në formën e lingotave te celikut, ( prokate celiku), te cilat me pas perpunohen, petezohen ne fabriken e petezimit, duke I kthyer ne shufra celiku per ndertim, produkte  që janë gati eksport, ku kërkesa është e lartë, si dhe për t’u përdorur në tregun e brendshëm, që është gjallëruar pas rritjes së ndërtimit.

Pasiguritë e mëse dy viteve më parë, -kur në mars 2016 kompania hapi procedurën e falimentit për efekt ristrukturimi – janë fashitur tërësisht. Kreditë janë ristrukturuar dhe po shlyhen normalisht, prodhimi po rritet ndjeshëm, eksportet kanë rifilluar, shoqëria i është rikthyer fitimeve dhe brenda 7 viteve planifikon të shlyejë gjithë kreditorët, ndërsa ka filluar e po mendon për investime të tjera.

Por, si u arrit në këtë fund të lumtur?! Arif Shkalla, drejtor i financave pranë Kurum tregon se pse kompania u detyrua të shpallë falimentin, si u bë riorganizimi dhe planet për të ardhmen.

Arsyet e kërkesës për faliment
Sinjalet e para se situata nuk ishte e favorshme për Kurum u konstatuan qysh ne  gjysmen e dyte te   vitit 2015, kur filloi kriza e çelikut në tregjet ndërkombëtare. “Morëm sinjalet e para nga bankat, që filluan të ulnin limitet e huasë. Rrezikohej të fillonte efekti boomerang, që nëse vjen një bankë e kërkon huanë, pas saj vijnë edhe të tjerat”, pohon z.Shkalla.

Krahas rënies së çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare, Kurum kishte barrën e disa kredive afatshkurtra, që ajo ishte detyruar t’i merrte për të shlyerjen blerjen e hidrocentraleve Shkopet-Ulëz dhe Bistrica 1 e Bistrica 2, në fillim të vitit 2013.

Z. Shkalla pohon se HEC-et u blenë për 109.5 milionë euro, me miratimin që 70% e saj do të financohej nga Koorporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), por teksa negociatat zgjatën, kompania u financua me kredi afatshkurtër, që ndikuan negativisht performancën financiare, ndërkohë që IFC e lëvroi kredinë në vitin 2014.

Për të gjeneruar më shumë likuiditete, me rekomandimin edhe të IFC, Kurum rriti prodhimin, por kjo praktikë nuk rezultoi e suksesshme, sepse u shoqërua me shtimin e kostove. Kurum është konkurrues  për shitje brenda 300 kilometrave, më tutje kostot e larta të transportit e bëjnë të paleverdisshme shitjen, teksa Turqia është një konkurrente e fortë në rajon.

“Kjo bëri që në 2016-n, kriza e parë e tregjeve të na dëmtonte, pasi çeliku u tregtua me 280 dollarë për ton, në një kohë kur skrapi blihej me 300 USD”, pohon z.Shkalla.

Rënia e çmimeve të metaleve, kostot e larta të prodhimit dhe barra e kredive afatshkurtra (në bankat shqiptare dhe në Turqi), që përbënin më shumë se gjysmën e totalit të huasë, përkeqësuan situatën e likuiditetit të kompanisë.  Kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt do të kishte pamundësi pagese të detyrimeve afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi.

Në 16 mars 2016 kompania hapi procedurën e falimentit në Gjykatën e Tiranës  dhe më pas në 15 prill u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi.

Ristrukturimi
Z.Shkalla pohoi se në momentin që u kërkua falimenti, kompania nuk kishte akumuluar detyrime dhe në fabrikë kishte 80 mijë ton gjendje malli, çka i dha përparësi që në fillim për të negociuar. “Kërkesa për faliment u bë për të mbrojtur kreditorët”, pohon ai.

Puna e parë ishte verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve. Në qershor 2016 u miratua pretendimi i kreditorëve që ishte 226 milionë euro, për të cilat nuk pati kundërshtime. Kredia në 6 banka shqiptare arrinte në total 35 milionë euro. Ndaj IFC pretendimi ishte 72 milionë euro dhe Banka e Detit të Zi 17 milionë euro (të dyja të siguruara, se bashku me pjesën e bankave shqiptare që ishin në kredinë sindikatë). Pjesa tjetër e pretendimit ishte ndaj bankave turke.

Plani i organizimit u negociua përgjatë 2016-s dhe 2017-s, ndërkohë që fabrika rifilloi punën që në prill 2016 me kapacitete të ulura dhe me ndërprerje. Në vitin 2016 përmirësoi treguesit, por sërish rezultoi me një humbje prej 495 milionë lekësh.

Pas një procesi të zgjatur në gjykatë, në 30 qershor 2017 u miratua me vendim gjykate dhe votat e kreditorëve plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave. Për kreditë e pasiguruara interesi u ul në normën referencë europiane euribor +2%, ndërkohë që më parë marzhi ndaj Euribor ishte +4 apo 4.5. Për kreditë që ishin të siguruara (IFC dhe banka e Detit të Zi dhe bankat shqiptarë që ishin pjesë e huasë sindikatë ), interesat nuk u ndryshuan.

Plani i pagesave parashikonte që për 2017 të paguhej principali dhe interesat për kreditë e siguruara dhe për huatë e pasiguruara vetëm interesat. Nga 1 janari i këtij viti paguhen rregullisht principali dhe interesat (interesa çdo muaj dhe principali çdo tre muaj).

Deri tani, Kurum është tre muaj në avancë për pagesat me kreditorët e siguruar si pasojë e ecurisë së mirë të kompanisë në 2017 dhe rritjes së prodhimit të energjisë nga hidrocentralet nga moti i favorshëm me reshje në muajt e parë të 2018-s.

Aktualisht detyrimi ka zbritur në 202 milionë euro dhe deri në 2018-s pritet të ulet në 185 milionë euro.

Në kuadër të riorganizimit, shoqëria ndryshoi Këshillin Mbikëqyrës, duke zgjedhur për herë të parë tre anëtarë të jashtëm, ndërsa në një nga pikat e vendimit të gjykatës, aksioneri me vullnetin e tij deklaroi mostërheqjen e fitimin për 7 vjet.

Shoqëria raporton çdo tre muaj në Komitetin e Kreditorëve, auditumi është i pavarur, dhe realizohet jo vetëm vjetor, por edhe i ndërmjetëm tre mujor per efekt raportimi në Këshillin Mbikëqyrës dhe pranë kreditorëve. Mbikëqyrëse është znj. Lindita Kikino, që u caktua gjatë procesit të falimentit.

Z.Shkalla pohon se deri në 2023 pritet të shlyhen të gjitha kreditë çka do i mundëojë Kurum që të dalë tërësisht nga procesi i falimentit. Ai shton se nga i gjithë procesi i ristrukturimit, nuk u ul kredia nuk u shit asnjë aset, vetëm u zgjat afati dhe rishikua interesi, duke u bërë më i favorshëm dhe duke shënuar rastin e parë në Shqipëri që një process falimenti për efekt ristrukturimi rezulton i suksesshëm. (procesi u krye sipas ligjit të vjetër të falimentit, pasi i riu nuk kishte hyrë ende në fuqi).

Z.Shkalla përmend edhe faktin se IFC, pasi e çoi në apel vendimin e miratimit të riorganizimit në 30 qershor 2017,  në shkurt 2018 në apel u tërhoq, pasi konstatoi që procesi i ristrukturimit po funksiononte. Madje tashmë IFC e shikon si rast suksesi dhe një grup asistues i IFC-së po trajnon kompaninë për praktikat e qeverisjes së korporatës.

Të ardhurat u rritën me 70% në 2017-n
Riorganizimi i shoqërisë, ristrukturimi i kredive, së bashku me rritjen e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare bënë që performanca e kompanisë të përmirësohej ndjeshëm në vitin 2017. Të ardhurat e tatueshme arritën në 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 70%. Për herë të parë pas dy vitesh radhazi me humbje, Kurum deklaroi fitime operative prej 932 milionë lekësh dhe fitim në bilanc prej 364 milionë lekësh. Më e dobët ishte performance e hdrocentraleve, të ardhurat e të cilëve ranë me 30% për shkak të thatësirës.

Fabrika punoi përgjatë gjithë vitit 2017 dhe prodhimi hekurit arriti në rreth 300 mijë ton dhe shitjet 323 mijë ton (përfshirë stoqet), që është rekord i 5 viteve (Kapaciteti makismal i kompanisë është 550 mijë ton në vit).

Rreth 65% e prodhimit u eksportua. Z.Shkalla e vlerëson një sukses faktin që shoqëria u rikthye në eksport.  Nderkohe, eshte evident fakti qe eksporti I metaleve ka shenuar rritje rekord gjate 2017, si pasoje e eksportit te celikut made in Albania.  Ne total jane eksportuar rreth 198 mije ton hekur ndertimi I markes Kurum . Ndihmë ishin dhe tregjet botërore, që kishin tendencë positive dhe nuk u shoqëruan me luhatje çmimesh.

Edhe për vitin 2018, pritshmeria është e njëjtë, teksa pritet prodhimi i mbi 300 mijë ton çelik dhe të ardhurat në rreth 20 miliardë lekë. Këtë vit ecuri pozitive kanë edhe hidrocentralet, ku prodhimi i energjisë nga 1 dhjetori e deri tani ka arritur rekord.

Përmirësimi i aktivitetit i ka mundësuar Kurum që t’i rikthehet investimeve. Në proces është rehabilitimi i hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit, që janë të ndërtuar që në vitin 1958. Ky rehabilitim, që ishte planifikuar që përpara se të shpallej procesi i falimentimit, do të përfundojë në 2019, me një vlerë prej rreth 14 mln euro, të financuar nga tre letër kredi. Investimi do të përmirësojë eficiencën dhe do rrisë prodhimin reeth 10%, ndërkohë që nuk ndikon në planin e riorganizimit pasi ishte parashikuar më parë.

“Energjia do të jetë boshti i gjenerimit të likuiditetit për kreditorët”, pohon z.Shkalla. “Edhe eksporti i hekurit po ecën mirë. Kosova ka pasur rritje të kërkeës, si rrjedhojë e ritmit të lartë të ndërtimeve. Shitjet në Malin e Zi kanë gjithashtu ecuri të mirë, kemi penetruar në Maqedoni, ku duhet të kemi parasysh që atje ka fabrikë çeliku, dhe më pak në Serbi”.

Numri i punonjësve të Kurum, përfshirë edhe energjinë është aktualisht rreth 480 persona dhe personeli drejtues është pothuajse tërësisht shqiptar.  Paga mesatare për punonjes 65 mije lekë dhe për personelin teknik tendenca është në rritje. “Paga është më e lartë se mesatarja e rajonit të Elbasanit, pasi duhet personel i mirë”, pohon z.Shkalla, duke shtuar se prodhimi i çelikut është një industri e vështirë në një sektor strategjik.  Ne total, perfshire dhe personelin mbeshtetes nenkontraktor, ( punonjesit e ruajtjes dhe sigurise, transportuesit e nenkontraktoret e tjere  te angazhuar drejtpersedrejti ne fabrika) numri I te punesuarve shkon ne mbi 700 vete, shifer kjo mjaft e rendesishme persa I perket punesimit ne rajonin e Elbasanit.

Në vitin 2017 janë paguar rreth 2 miliardë lekë tvsh importi në doganë, ndërsa gjendja e TVSH kreditore është 843 milionë lekë.

Shqiptarja.com  05.06.2018