Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri tregon ecurinë e projekteve të investimit nga Rruga e Arbrit deri tek hekurudha me Greqinë

Nga Damian Gjiknuri

Kur flitet për vepra në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, 6 muaj janë shumë pak.

Ne e kemi shfrytëzuar këtë periudhë maksimalisht për t’i dhenë zgjidhje shumë problematikave të trashëguara.

Miratuam studimet dhe projektet e shumë veprave të mbetura në mes apo vetëm në letër, duke u dhënë zgjidhje problemeve teknike e ligjore, e duke i bërë gati për të filluar zbatimin përmes financimeve me Buxhet të Shtetit ose me skemën tashmë të njohur të Partneriteti Publik-Privat.

Premtuam pastrimin e nyjeve dhe akseve kombëtare nga tabelat e objektet në kundërshtim me sinjalistikën rrugore. Ndërhymë në 14 akse duke larguam nga rruga rreth 1500 tabela, 124 kioska, 63 vendgrumbullime inertesh e gomash, dhjetra konstruksione druri e metalike, kontenierë, lavazhe dhe objekte të tjera. Është projektuar tanimë edhe ndërhyrja emergjente në pikat më problematike për aksidentet rrugore të njohura si “black spots”.

Premtuam shkrirjen e “policisë gri” dhe zgjidhjen e problemit të transportit ndërqytetës e rrethqytetës. Pas reformës në Drejtorinë e Transportit Rrugor, drejtuesit e mjeteve sot nuk i shohin me policët që deri dje në shumicën e rasteve abuzonin duke mos realizuar qëllimin për të cilin dilnin në terren. Çështja e transportit ndërqytetës është vënë në rrugën e zgjidhjes, ndërsa kërkohet një ndërhyrje më thelbësore për të trajtuar përfundimisht një problem të trashëguar prej shumë vitesh.

U rinegocua me Bankën Botërore marrëveshja për mirëmbajtjen e 1.679 km rrugë. Mirëmbajtja dimërore tregoi një transformim rrënjësor krahasuar me më parë ndërsa tanimë është në proces edhe aspekti i mirëmbajtjes rutinë dhe rehabilitimit. U arrit që të rritej gati në 3 fish fondi i qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

Ka filluar tanimë puna për studimin e fizibilitetit për korridorin Adriatiko-Jonian si një ndër prioritetet kyçe në fushën e transportit rrugor.

Ju dha zgjidhje teknike projekteve të mbetura pezull që nga viti 2011 si: ndërtimi i nyjes së Milotit; bypassit perëndimor të Shkodrës, Unazës së madhe të Tiranës, Bypass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë.

Janë në proces investime për përfundimin e 33 segmenteve rrugore; ndërtim dhe sistemim rrugësh, rehabilitim dhe hapje kantieresh të reja.

Këtu përfshihen, ndërtim nënkalimi hekurudhor në unazën Librazhd; Rindërtimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja; përfundim i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore nyja e Milotit; vendosja e mbikalimeve në aksin rrugor Thumanë – Milot dhe Kukës – Morinë; ndërtim rruga Kardhiq – Delvine 3 lote në 2018 dhe dy lote në vitin 2019; Bypass i Tepelenës; Rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 2 dhe Loti 3 dhe përfundimi i aksit Kukës-Morinë.

Është në fazën e fundit të parakualifikimit gara për bypass-et e Fierit dhe Vlorës çka do të hapë më pas dritën jeshile për rifillimin e punës në këto dy vepra. Gjithashtu, u garantua gjetja e financimit të munguar për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në kuadër të paketës “1 Miliard për Rindërtim”, është firmosur kontrata dhe brenda pak javësh nis puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Perfundoi faza e pare e perzgjedhjes se projektit dhe tashme eshte hapur gara për projektin e rrugës Thumanë-Kashar.

Në fazën e shqyrtimit është kërkesa Projektim-Ndërtim-Financim-Operim dhe Mirëmbajtje të rrugës Milot-Balldren, Orikum- Llogora.

Po studiohen edhe mundësitë për aplikimin e Partneriteteve Publike-Private me financim tërësisht privat në disa akse të tjera rrugore me parimin që përdoruesi i rrugës paguan për shfrytëzimin e saj.

Falë punës së kryer deri më tani dhe projekteve të përgatitura, parashikohet që në këtë mandat qeverisës të investohen rreth 970 milion euro nga Buxheti i Shtetit dhe fonde të huaja ndërsa mbi 530 milion euro të tjera nga zbatimi i projekteve të paketës “1Miliard për rindërtim”.

Paketa totale e investimeve në transportin rrugor për këtë mandat pritet të jetë së paku 1.5 miliard Euro.

Vumë në punë stacionin e përbashkët hekurudhor të Tuzit me Malin e Zi, si dhe bëmë të mundur fillimin e procedurave për rindërtimin e hekurudhës që lidh Tiranën me Durrësin dhe Rinasin, nje projekt qe kap vleren prej 90.45 milion eurosh. Ka filluar tashmë në kuadër të projektit INTERREG hartimi i pre-fizibilitetit të lidhjes hekurudhore me Greqinë.

Është kryer një punë e mirë për forcimin e kapaciteteve administrative dhe performancës së Autoritetit të Aviacionit Civil, institucion i cili po kthehet tashmë në një garant të interesave të pasagjerëve.

Premtuam angazhim për avancimin e projekteve për ndërtimet infrastrukturore aeroportuale. Jemi duke negocuar tanimë intensivisht për aeroportin e Vlorës ashtu sikurse po punohet për vënien në punë të aeroportit të Kukësit përmes skemes së Partneritetit Publik-Privat.

Paralelisht, po vazhdon puna për krijimin e linjës ajrore “AirAlbania” e cila do të jetë një tjetër element me rëndësi në historinë tonë të transportit ajror, tashmë me flamur shqiptar.

Ndërkohë, në fushën e telekomunikacionit, realizuam disa masa shumë të rëndësishme për konsumatorët siç ishte mundësia për transferimin e numrave brenda 24 orësh nga një kompani tek tjetra dhe faturimin mujor duke adresuar shqetësimin e shumë qytetarëve.

Në fushën e ujësjellës kanalizimeve u angazhuam për vendosjen e një sistemi rigoroz performance për shoqëritë lokale të ujësjellësave. Mbështetja buxhetore për to do të ofrohet vetëm në këmbim të rezultateve konkrete në drejtim të: reduktimit të lidhjeve të paligjshme, humbjeve në rrjet dhe rritjes së të ardhurave.

Qeveria lidhi marëveshje me të gjitha bashkitë ndërsa nxiti një operacion në terren gjatë të cilit janë mbi 24 mijë abonentë të formalizuar; 51 mijë ujëmatësa të instaluar; 20.400 aktmarrëveshje dhe rreth 7 milion euro më shumë arkëtime.

Vazhdojnë investimet në fushën e ujësjellës-kanalizimeve ku janë 49 projekte në zhvillim e sipër në vlerën 2.13 miliard lek.

Në fushën e trajtimit të mbetjeve, pas vënies në punë të impiantit të djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Elbasan, i hapëm rrugën ndërtimit të impiantit tjetër në Fier dhe në Tiranë, projekte që po zbatohen me intensitet të lartë në terren.

Premtuam në fushën e energjisë elektrike konsolidimin e qëndrueshmërisë financiare, operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane, dhe duke ulur varësinë nga importi.

Miratuam Planin Kombëtar të Eficencës së Energjisë; Strategjinë Kombëtare e Energjisë 2018 -2030; ndarjen legale të shoqwrisw OSHEE; diversifikimi i burimeve të energjisë me një shtim të fuqisë së instaluar nga energjitw alternative.

Pregatitëm studimin e fizibilitetit dhe dokumentat e tenderit për gjetjen e partnerit privat për vënien në punë me gaz të TEC Vlorës ashtu sikurse ndërtimin e linjës së furnizimit me gaz nga Semani në Vlorë.

Bëmë efektive kredinë prej 218 milion euro të BERZH për ristrukturimin e detyrimeve të mbartura të KESH, duke realizuar një qëndrueshmëri e disiplinë financiare më të madhe mes shoqërive emergjitike, dhe kontribuar kështu në uljen e stokut të borxhit publik që ka krijuar ky sektor ndër vite.

Nga 3 kompanitë e sektorit janë realizuar në këto 6 muaj, 11,8 miliard lekë investime në gjenerim, transmetim e shpërndarje duke i garantuar si përfitues 170,569 abonentë.

Në po këtë periudhë janë rreth 300 milion euro investime të kontraktuara në sektorin privat të prodhimit të energjisë elektrike, ku mund të përmend disa vepra si HEC Kalivaçi; Shala, Shushica, Grabov si dhe 20 MW impiante në energji alternative.

Në fushën e industrisë hidrokarbure, miratuam planin e zhvillimit sektorial të gazit natyror ndërsa po punohet për krijimin e një shoqërie të përbashkët mes Albgaz dhe gjigandit italian Snam Rete në kuadër të kontratës së mundshme për mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit TAP në Shqipëri.

U nënshkrua marrëveshja e re hidrokarbure për Bllokun 4 me SHELL, sipas modelit të ri të kontratës që mundëson të ardhura më të larta për shtetin, duke garantuar vazhdimin e investimeve nga ky gjigand botëror i naftës që deri në këtë moment ka investuar më shumë se 300 milion USD.

Miratuam mbi 1 mijë aplikime të para për Statusin e Naftëtarit ndërsa procesi po vazhdon tanimë me intensitet.

U angazhuam për mbështetjen dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në industrinë minerare duke synuar rritjen e eksporteve të produkteve të përpunuara metalore e jometalore.

Përfundoi ndërtimi i fabrikës së pasurimit të bakrit në Spaç me vlerë investimi paraprak prej 11 milion euro dhe pritshmëri për 300 vende pune. U vu në funksion plotësisht Uzina e re e Ferrokromit në Elbasan me vlerë investimi 24 milion USD. U përfundua investimi për dy furrat në fabrikën e pasurimit të kromit në Burrel.

Përmbyllëm me sukses pas një tenderi të hapur përzgjedhjen e investitorëve privat për zonën minerare krombajtëse të Vllanës, duke bërë të mundur shfrytëzimin e mbi 1 milion ton minerali krom.

Të nderuar Kolege

Hapat të ndërmarra në këto 6 muaj na bëjnë besimplotë se fundi i këtij viti dhe më pas tre vitet pasuese do të jenë kantiere ndërtimi në gjithë territorin e Shqipërisë, duke kontribuar dukshëm në rritje ekonomike dhe punësim. Këto dy të fundit duhët të jenë motivi që na frymëzon në cdo ditë të punës sonë.

Gazeta Tema,  30.04.2018