Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albgaz & Snam formojnë JV për mirëmbajtjen e TAP

V E N D I M

PËR

NEGOCIIMIN ME PARTNERIN PRIVAT TË PËRZGJEDHUR NGA SHOQËRIA “ALBGAZ”, SH.A., PËR KRIJIMIN E NJË SHOQËRIE TË PËRBASHKËT PËR MIRËMBAJTJEN E RRJETIT TË TRANSMETIMIT TË NDËRTUAR  NGA TRANS ADRIATIC PIPELINE AG NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Nëmbeshtetje të neneve 95 dhe 100, të Kushtetutës, dhe të vendimit nr.233, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe marrëveshjes për përfitimet vendase, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë ecurinë e negociimit me partneritetin privat të përzgjedhur nga shoqëria “Albgaz”, sh.a., për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të ndërtuar nga Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet krijimit të një shoqërie të përbashkët me këtë partner privat.

2. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a)  Shoqëria “Albgaz”, sh.a. është shoqëri me kapital 100 % shtetëror, që vepron si operator i kombinuar i gazit natyror duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes;

b) “Institucion përgjegjës” është shoqëria “Albgaz”, sh.a.

c) “Partner privat” është ofertuesi i shpallur fitues i procedures konkurruese për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të ndërtuar nga dhe nën pronësinë e Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë, Operatori Italian i Transmetimit të Gazit Natyror, SNAM s.p.a, me të cilin shoqëria “Albgaz”, sh.a, do të krijojë një shoqëri të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore, sipas parashikimeve të ligjit për shoqëritë tregtare.

3. Komisioni i negociimit të marrëveshjes me partnerin privat të përzgjedhur, me të cilin do të krijohet shoqëria e përbashkët e inkorporuar, ngrihet me urdhër të ministrit që përfaqëson Asamblenë e Aksionerit të Vetëm dhe përbëhet nga shtatë  anëtarë. Anëtarë të këtij grupi janë dy përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dy përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, si dhe dy përfaqësues nga shoqëria “Albgaz”, sh.a. Kryetar i grupit është administratori i shoqërisë “Albgaz”, sh.a.

4. Brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, titullarët e institucioneve dërgojnë emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision në shoqërinë “Albgaz”, sh.a.

5. Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e negociimit personat që kanë konflikt interesi me ofertuesit, sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”.

6. Procedurat e negociimit përfundojnë jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.

7. Kontrata përmban kërkesat që burojnë nga legjislacioni në fuqi, kushtet kryesore të negociimit me shoqërinë TAP AG, termat e referencës së procedurës së përzgjedhjes, si dhe parashikon ato terma që vlerësohen të përshtatshëm nga palët për realizimin e qëllimit të bashkëpunimit, duke përfshirë raportin e aksioneve dhe kushtet kryesore të ushtrimit të aktivitetit.

8. Shoqëria “Albgaz”, sh.a., pas negociimit të kontratës së partnertitetit kërkon miratimin e shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG.

9. Pas marrjes se miratimit nga shoqëria Trans Adriatic Pipeline AG, shoqëria “Albgaz”, sh.a., paraqet për miratim te organet e shoqërisë, përkatësisht Këshilli Mbikëqyrës dhe Asambleja e Aksionerit të Vetëm, raport të detajuar për negociatat për të gjitha elementet e marrëveshjes me ofertuesin e përzgjedhur, përfshirë projektin përfundimtar të marrëveshjes për krijimin e  shoqërisë të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore të shoqërisë aksionare.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit dhe shoqëria “Albgaz”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

energjia.al  22.03.2018