Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, klienti do mund të ndryshojë furnizues edhe nëse është debitor

Bizneset që do të dalin gradualisht në treg të lirë do të duhet që të gjejnë vetë furnizuesin e tyre dhe mund ta ndryshojnë atë në varësi të leverdisë. E njëjta logjikë vlen për të gjithë klientët fundorë. Por në kushtet kur liberalizimi duhet të kishte kaluar fazën e parë, situata konkrete tregon për një ecuri të ngadaltë dhe shtyrje të afateve. Sot ende kemi rregullime ligjore që synojnë të plotësojnë gjithë kuadrin. ndryshimi më i fundit  “Rregulloren për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike”, nxjerrë për konsultim nga Enti Rregullator i Energjisë.

Bëhet fjalë për një ndryshim të propozuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky i fundit ka kërkuar që të saktësohet në rregullore rasti kur një klient mund të ndryshojë operator edhe në rast se është debitor.

E gjithë kjo vjen në kushtet kur pranë OSHEE që është furnizuesi kryesor, janë debitorë me mijëra klientë të cilët për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura kanë edhe aktmarrëveshje. Në rregullore saktësohet se duhet të plotësohen dy kushte që të bëhet lejimi i ndryshimit të furnizuesit.

Së pari një klient debitor mund të lejohet të ndryshojnë furnizuesin në rast se debia merret përsipër nga furnizuesi i ri dhe së dyti në rast se midis furnizuesit të mëparshëm dhe abonentit ka një marrëveshje për likuidim të vonuar të debisë.

Liberalizmi i tregut

Liberalizmi i tregut pritet që ta bëjë më dinamik pjesëmarrjen e operatorëve të tregut si përsa i përket furnizuesve ashtu edhe tregtuesve apo prodhuesve. Por ky proces është zgjatur në kohë dhe periudha tranzitore ka ndryshuar. Të paktën edhe për dy vite klientët e lidhur në 35 kliovolt nëse nuk sigurojnë energji nga një furnizues tjetër mund ta marrin atë nga OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit me kushtin që të paguajnë çmim tregu plus 10 për qind.

Për biznesin e lidhur në tension 35 kilovolt njoftimi është bërë në 1 janar 2018 dhe kishin dy muaj kohë për të siguruar furnizues, çka përkon me 28 shkurtin. Pra në 1 mars 2018 ato duhet të blinin vetë energjinë. Me afatin tranzitor këto biznese të lidhura në 35 kilovolt kanë tashmë kohë deri në 31 dhjetor 2019. Kjo do të thotë që deri në këtë datë do të furnizohen me energji nga OSHEE, me çmime tregu plus një tarifë shtesë prej 10 për qind.  Kushdo prej tyre që ndjehet i gatshëm për të dalë në çdo moment gjatë kësaj periudhe mund ta bëjë pa problem, por ata nuk rrezikojnë më ndërprerjen e energjisë nëse nuk gjejnë furnitor alternativ.

Për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt është duke u përpunuar pjesa e instalimeve teknike dhe investimeve që mundësojnë daljen në tregun e lirë. Këto investime pritet që të përfundojnë në fund të 2018-ës çka bën që në 1 janar 2019 me shumë gjasa ato të marrin njoftimin nga ana e OSHEE për shkëputje dhe për të siguruar vetë energjinë. Për këto biznese OSHEE do të sigurojë furnizim me çmim tregu plus 10 për qind deri në 31 dhjetor 2020. E njëjta situatë do të vlejë edhe për bizneset e lidhura në 10 dhe 6 kilovolt.

Scan Tv,  02.03.2018