Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Linja Tiranë-Rinas, tërësisht me autobusë elektrikë

Pas linjës së gjelbër, me autobusë elektrikë, e cila do të funksionojë shumë shpejt brenda qytetit, edhe linja Tiranë-Rinas, për në aeroportin “Nënë Tereza”, do të jetë tërësisht me autobusë elektrikë. Bashkia e Tiranës ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e aeroportit për të mundësuar një linjë transporti publik me autobusë të gjelbër, që mbrojnë mjedisin dhe rrisin cilësinë e shërbimit për qytetarët.

“Kemi filluar një diskutim me aeroportin e Tiranës, për të pasur një linjë autobusësh elektrikë nga qendra deri në Rinas, e për t’u siguruar që të ulim ndotjen në mjedis. Jemi duke folur edhe me kolegët kinezë; Kina sot është avangardë në prodhimin e autobusëve elektrikë dhe mezi pres që shumë shpejt, brenda këtij viti, për ata që do të udhëtojnë nga Tirana në Rinas të kenë mundësi ta bëjnë këtë duke shkaktuar zero ndotje”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës dy automjete të reja për heqjen e mbetjeve dhe pastrimin e qytetit, si dhe iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve. Gjithashtu Aeroporti i Tiranës iu bashkua edhe aksionit të gjelbërimit, duke dhuruar 100 pemë.

“Na kanë bërë një dhuratë shumë të çmuar, me vlerë monetare të konsiderueshme, sepse kemi dy kamionë teknologjikë që do të ndihmojnë ndërmarrjen tonë të pastrimit të rrisë cilësinë e pastrimit edhe lagjet periferike. Duke shtuar flotën tonë me dy mjete teknologjike, mund të rrisim mbulimin e sipërfaqes në zonat e reja që i janë shtuar Tiranës si “Fresku”, “Astiri”, “Kodra e Diellit” dhe zona të tjera  periferike me rritje të popullsisë dhe rritje të konsumit”, shtoi Veliaj.

Scan Tv,  21.02.2018