Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përshpejtimi i reformës derregulluese, në interes të sektorit energjitik

Procesi i derregullimit në kontinentin evropian ka filluar së pari në Angli që në fillim vitet ’80. Pra hapja e mundësive për hyrjen e kapitaleve private dhe rritja e konkurrencës, më shumë se procesi i integrimit në vetvete, për të cilën ky vend ka qenë gjithmonë disi indiferent dhe pak i tërhequr, ka qenë shtysa kryesore në krijimin e një tregu energjetik (energy pool) shumë më herët se ajo e ardhur si rrjedhojë e procesit të integrimit evropian nga vendet e tjera të BE-së.

Për më tepër, fillimi i procesit të liberalizimit dhe përfundimit të tregut të brendshëm të energjisë nga vendet e tjera të BE-së, pavarësisht nga ndërmarrja “kolosale” e dy komisioneve Delors, do të duhet të priste lancimin e paketës se parë të energjisë në ’97. Një proces që po gjen vështirësi te formësohet, duke u zhvilluar në shpejtësi të ndryshme në të gjitha vendet e BE-së, pikërisht lidhur nga arsyet ekonomike (së pari miksi energjetik) në secilin vend.

Ne fakt, përfitimet e një tregu të liberalizuar të energjisë janë së pari pikërisht ato ekonomike. Tregu i lirë hap mundësinë për të zgjedhur furnizimin, për një nga komponentët më me peshë në buxhetin e bizneseve dhe familjeve, midis disa operatorëve të energjisë elektrike. Për me shumë me konkurrencën vijnë edhe risitë dhe rritet efikasiteti, duke mundësuar zgjedhjen e furnizuesit me çmimin por edhe shërbimin sipas nevojave të konsumatorit final.

Por si paraqitet situata në Shqipëri?

Deri vetëm pak ditë më parë, sipas edhe reagimit zyrtar më të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), në një prononcim për “Monitor”, në rrjedhim të shqetësimeve të ngritur nga bizneset dhe operatorët e tregut për ngërçin e furnizimit me energji të subjekteve që furnizohen nga tensioni 35 kV, ngulmohej se data 1 mars 2018 do të ishte edhe data e shkëputjes definitive të tyre nga furnizimi në funksionin FMF (Furnizuesi i Mundësisë së Fundit) me çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Duke qene se ishte e qartë se edhe bizneset më të suksesshme shqiptare, që janë edhe ato më të mëdhatë, po hezitonin të hynin në tregun e lirë, pa pritur “si rrufe në qiell të hapur” erdhi dhe kthesa e ministrisë së energjisë. Sipas sa bërë publike gjatë takimit të fundit në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese mbi ndryshimet në ligjin ”Për sektorin energjetik”, me qëllim hapjen e rrugës së ngritjes së bursës së energjisë, pritet të vendosen afate të reja edhe për bizneset që do duhet te dalin në tregun e lirë, duke e shtyrë këtë proces me 2 vjet.

Mbi sa me sipër fakt është që pengesat janë të shumta, nga ato të infrastrukturës deri tek mungesa e ekspertizës, dhe jo me pak edhe të një tregu likuid. Siç dhe për çudi kompanitë tregtare, që do duhet të ishin të parat e interesuar, nuk duan të furnizojnë, pasi pretendoj se është e vështirë të futesh në një treg referim kaq të kufizuar. Kështu situatën e merr në “dorë përsëri shteti”, duke mbetur praktikisht të “ngërthyer” në monopolin publik, dhe bërë që reforma edhe deri këtu e avashtë të rrezikojë të ngelet në mes.

Vendim që me periudhën e gjatë të vendosur deri 2 vjeçare, duke konsideruar situatën specifike të vendit tonë me humbje të mëdha sidomos te rrjetit të shpërndarjes dhe problem në mbledhjen e detyrimeve midis operatorëve privatë, nuk lë më asnjë mundesi për hyrje të operatoreve privatë. Natyrisht mbetet për tu parë vazhdimësia e këtij vendim, jo aq pranë Entit Rregullator të Energjisë, i cili është i detyruar t’i përmbahet parashikimeve ligjore të kërkuara nga ministria energjisë, por te autoritetit te konkurrencës dhe sekretariatit të energjisë në Vjenë.

Po çfarë është “derregullimi” në sektorin e energjisë?

Në fakt, kjo nuk është totalisht një risi, edhe se përbën një ndryshim nga ajo që jemi mësuar deri më tani. Kështu, ky proces ka filluar qe në vitin 2012, edhe pse vetëm për një kategori te vogël biznesesh te lidhur ne tension e larte 110kV të detyruar të dalin në tregun e liberalizuar, dhe deri me sot praktika ka treguar se askush nuk ka preferuar vullnetarisht të furnizohet me energji në tregun e lirë.

Gjithsesi, ne thelb derregullimi nuk është asgjë tjetër veç se mundësia e zgjedhjes së furnizuesit të energjisë. Kjo mundëson të ndryshosh furnizuesin e energjisë elektrike (ose nesër të gazit natyror) duke ndikuar direkt në kostot e energjisë së konsumuar. Pra u jep konsumatorëve një zgjedhje, kur është fjala për furnizuesin e tyre të energjisë, dhe gjithashtu i motivon furnizuesit e energjisë që të ofrojnë çmime dhe shërbime me të mira për të qenë konkurrues në treg.

Kështu, për konsumatorin, derregullim do të thotë të kenë fuqinë për të zgjedhur furnizuesin e energjisë, duke mbajtur më shumë kontroll mbi kostot e energjisë. Nga ana tjetër, konsumatori nuk duhet të shqetësohet për ndërprerjet e shërbimit kur furnizuesi i energjisë ndryshon, pasi kjo është ne përgjegjësin e operatorit te rrjetit (OSHEE-se). Operatori i cili mbetet përgjegjës për shpërndarjen e energjisë tek konsumatori përfundimtar, pavarësisht nga furnizuesi që është zgjedhur. I vetmi ndryshim është çmimi i furnizimit dhe emri i furnizuesit në faturë.

Pra në finale, çmimi i rregulluar në mënyrë administrative dhe shpërndarja nga një burim de facto mban tregun në monopol (të ashtuquajtur monopol ligjor). Jo më kot vendet që janë më të zhvilluara, siç e nisim në krye të këtij artikulli me shembullin e Anglisë por edhe vendeve skandinave, e kanë përmbushur me kohë tregun e energjisë elektrike dhe gazit natyror. Kështu, shpresojmë se dhe kompanitë shqiptare, në vend të shtyrjes së afateve, do të kërkojnë që të krijohen kushtet që të plotësohet reforma duke futur sektorin e energjisë në epokën e re të ekonomisë së tregut.

Revista Monitor,  17.02.2018