Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, OSHEE: 43 klientë në proces për të dalë në tregun e lirë

Procesi i liberalizmit të tregut të energjisë ka rezultuar sfidues për bizneset dhe institucionet publike duke qenë se prej më shumë se dy vitesh më pak se gjysma e klientëve të lidhur në tension 35 kilovolt kanë arritur të gjejnë furnizues. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije se deri 18 mars duhet të procesohen edhe 43 kërkesa në mënyrë që të finalizohet dalja e kësaj kategorie plotësisht në tregun e lirë duke i hapur rrugë në një moment të dytë daljes së kategorisë tjetër të bizneseve që janë ata të lidhur në tension 20 kilovolt.

Aktualisht në rrjetin 35 KV janë te lidhur në total 93 klientë, 41 prej të cilëve kanë dalë në treg të liberalizuar, 9 prej të cilëve referuar vendimit Nr.244, date 30.03.2016 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit transmetimit shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”, të ndryshuar me VKM 729 date 08.12.2017, pika 4.2 thekson se Furnizuesi i Shërbimit Universal në kuadër të shërbimit publik, siguron pa ndërprerje furnizimin e klientëve si mëposhtë: Subjektet shtetërore që sigurojnë shërbimin e shëndetit publik ( spitalet dhe qendrat e emergjencës); shoqëri që sigurojnë furnizimin me ujë të pijshëm të konsumatorëve;  institucionet shtetërore të ekzekutimit të vendimeve penale dhe institucionet shtetërore, do të vazhdojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal sh.a.

Gjithashtu pritet qe brenda datës 18 Mars 2020 të dalin në treg të liberalizuar 43 klientë, kërkesat e disa prej të cilëve për të dalë në treg të liberalizuar janë duke u procesuar” bëri me dije zyrtarisht OSHEE.

Sipas këtij institucioni janë zbatuar të gjitha kërkesat që parashikon ligji për të bërë në kohë njoftimin e subjekteve lidhur me masat që duhet të marrin, transparencën për afatet si dhe mundësinë që ju jepet për t’u furnizuar nga shërbimi publik në mënyrë që secili prej tyre të vlerësojnë mundësitë që ka.

Procesi i njoftimit të subjekteve hap-pas hapi

Në zbatim të ligjit Nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” dhe në kuadër të Planit të rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike të miratuar me anë të VKM Nr.171 datë 25/02/2015 sipas te cilës është parashikuar liberalizimi gradual i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e lidhur në Tensionin  e Mesëm 35/20/10/6 kV, si dhe bazuar në shkresën me Nr. 2510 Prot. datë 08/04/2016 të dërguar nga MIE me subjekt “Mbi nevojën e instalimit të matëseve të energjisë në rrjetin 35 kV”, OSHEE sh.a  ka ndërmarrë të gjitha masat për kalimin e këtyre konsumatorëve në tregun e parregulluar të energjisë dhe në mbështetje Nenit nr.109 të Ligjit nr.43/2015 neni 86 shtohet pika 6, ku: “ Klienti fundor që furnizohet nga furnizuesi i mundësisë së fundit dhe që në kuptim të nenit 109, të këtij ligji, del për herë të parë në treg të liberalizuar është i detyruar të lidh një kontratë furnizimi me një furnizues të ri brenda 2 viteve nga fillimi i kontratës së furnizimit nga furnizuesi i mundësisë së fundit.

Në përfundim të kësaj periudhe operatori i sistemit  ndërpret furnizimin me energji elektrike të këtij klienti. Për qëllime të përcaktimit të fillimit të afatit ,sipas kësaj dispozite, llogaritja e afateve fillon nga e nesërmja e ditës kur operatori i rrjetit, në përputhje me parashikimet e Nenit 109, të këtij ligji, për plotësimin e kushteve teknike të instalimit të sistemit të matjes, për daljen në treg të liberalizuar.

OSHEE sh.a ka njoftuar të gjithë abonentët të lidhur në rrjetin 35 KV me shkresën 24004 Prot, date 31.10.2017, me shkresën 1880 Prot, date 31.01.2018, me shkresën 6485 Prot, date 11.04.2018, me shkresën 24335 Prot, date 05.02.2019, dhe sërish me shkresën 10155 Prot, datë 10.10.2019 duke i njoftuar se nëse abonentët nuk marrin masa për të dalë në treg të liberalizuar FSHU do të ndërpresë furnizimin e tyre me energji në datën 18 Mars 2020” bëri me dije OSHEE.

Praktika e njoftimit ka vijuar nga ana e OSHEE deri në fund të shkurtit edhe për të gjithë abonentët të cilët nuk kishin dërguar ende asnjë kërkesë për dalë në treg të liberalizuar.

Monitor,  02.03.2020