Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia për të liberalizuarit, në janar e blenë gati sa në korrik

Kompanitë që marrin sot energjinë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të paguajnë për janarin një tarifë 12.49 lekë gati e njëjta tarifë si në pikun e verës së shkuar kur për korrik, gusht tarifa ishte 12.86 lekë. Në një vendim të Entit Rregullator të Energjisë nënvizohet se kjo është tarifa që është dërguar si aplikim nga FSHU që është nën varësinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Energjia është siguruar pas tre procedurave të zhvilluara në tregun e parregulluar ndërkohë që për llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike ka përdorur kursin zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë për të tre datat kur është realizuar procedura e blerjes së energjisë elektrike.

Enti ka përsëritur se nga ana e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit vijon të mbetet e paplotësuar kërkesa që i takon evidencës së qartë të bilancit energjetik. “Në analizën e dokumentacionit të aplikimit që shoqëria FSHU sh.a. ka depozituar në ERE, evidentohet se nuk ka përmbushur detyrimin e përcaktuar në pikën 1/ii të vendimit të bordit të EREs Nr. 233 datë 20.12.2019, ku citohet se: Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të japë çdo muaj evidencë të qartë në formën e një bilanci energjetik i cili të mund të argumetojë burimin e mbulimit të kërkesës mujore për klientët e FMF. ERE do të vijojë komunikimin me shoqërinë, që parashikimi i detyrimit të mësipërm të përmbushet” vlerëson ERE.

Ky i fundit ka detajuar se përveç çmimit fillestar të blerjes së energjisë elektrike në tarifë janë llogaritur edhe tarifat e përdorimit të rrejtit të transmetimit dhe tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes. Tarifa e parë e transmetimit llogaritet në 0.75 lekë kurse e shpërndarjes sipas nivelit të tensionit për vitin 2020 është 1.5 lekë/kwh.

Duke shtuar këtu kostot administrative dhe një kthim risku për vitin kostoja totale për një kilovat rezulton 12.49 lekë/kwh.

Aktualisht FSHU furnizon me energji klientët e lidhur në tension 35 kilovolt dhe që ende nuk kanë gjetur një furnizues privat. Për këtë grup konsumatorësh afati i fundit i furnizimit me energji nga FSHU është 17 marsi.

Monitor,  21.02.2020