Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në prill tenderi për “Kosovën e Re”

Qeveria po bën përpjekje që të kryejë reformat ekonomike, që shkojnë në linjë me kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ku hyn harmonizimi i legjislacionit, politikat tregtare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, u tha gjatë tryezës “Dialogu për Investime”, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Europianë (KIE) dhe Qeveria e Kosovës që u mbajt në Prishtinë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se 2017 do të jetë viti i termocentralit të shumëpërfolur “Kosova e Re”, për të cilin pothuajse një vit janë zhvilluar negociata me investitorin amerikan, dhe në anën tjetër paralelisht janë zhvilluar edhe shumë platforma dialoguese me partnerët strategjikë të këtij projekti, mbi të gjitha me Bankën Botërore edhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Nga java e ardhshme do të hyjmë në fazën finale e cila do të çojë te nënshkrimi i marrëveshjes komerciale. Gjatë gjithë kësaj kohe ne jemi munduar që të bëjmë më të mirën e mundshme në mënyrë që ky projekt përveç dobive të shumëfishta ekonomike që ka, t’i përfshijë në vete edhe aspektet e shumë kërkuara edhe nga komuniteti ndërkombëtarë”, tha Stavileci.

Ai bëri të ditur se që nga muaji prill, investitori amerikan në bashkëpunim me Qeverinë dhe Bankën Botërore do të hap paketën tenderuese për ndërtimin e termocentralit dhe pas kësaj do të jetë ndërtimi, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm, dhe vlerësoi se ky është një mesazh për investitorët evropian dhe më gjerë.

Duke folur për sektorin minerar, Stavileci tha se pas 17 vitesh është bërë zgjidhja ligjore për Trepçën, ndërsa studimi i fizibilitetit për këtë kompani do të jetë gati këtë vit, që do të pasohet nga propozimi i modeleve të mirëfillta ekonomike, të cilat do të jenë më shumë se sa një dritare për hapjen e investimeve në Trepçë.

Telegrafi,  01.03.2017