Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Statkraft investon në HEC-in e dytë në Devoll

Pas përfundimit të HEC-it të Banjës mbi lumin Devoll, kompania norvegjeze, Statkraft, ka investuar edhe 150 milionë euro për ndërtimin e HEC-it të dytë, atë të Moglicës.

Zv.kryeministri z.Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë e Industrisë, z. Damian Gjiknuri, ishin sot në Moglicë ku inspektuan punimet për ndërtimin e hidrocentralit.

Pas përfundimit dhe vënies në punë të HEC Banjës, HEC Moglica do të jetë i dyti hidrocentral që do të ndërtohet mbi lumin Devoll. Lartësia e Digës së Moglicës do të jetë 150 m dhe është një nga digat më të larta të llojit të saj në botë. Ajo do të lidhet me Centralin e Prodhimit nëpërmjet një tuneli 11 km të gjatë, kapaciteti i instaluar do të jetë 183 MW dhe prodhimi mesatar 450 GWh.

Punimet në tunele (16 km) janë të përfunduara në masën 80%, ndërsa punimet për ndërtimin e digës janë në vazhdim. Deri më tani janë ndërtuar të gjitha rrugët e aksesit. Në Moglicë është ndërtuar Rruga Zëvendësuese M15 dhe sapo kanë filluar punimet për ndërtimin e Rrugës Zëvendësuese M03.

“Dua të theksoj rëndësinë shumë të madhe që kjo vepër ka për Shqipërinë, për ekonominë shqiptare, për komunitetin dhe sektorin energjetik. Jemi të kënaqur me progresin dhe jemi të prirë jo vetëm për t’u kënaqur por edhe për të ndarë të gjitha shqetësimet dhe nevojat që kompania ka për t’i hapur rrugën zbatimit sa më të shpejtë”, u shpreh zv.kryeministri Peleshi.

Sipas tij, vepra nuk ka vetëm vlerën e shtimit të kapaciteteve energjetike me rreth 17% por ka vlerën e një përmirësimi të jashtëzakonshëm infrastrukturor të një zone me potencial të Shqipërisë. “E ka afruar me kryeqytetin zonën e Gramshit dhe këtu jemi në Moglicë, shumë pranë Bashkisë së Maliqit. Afrohen shumë me njëra-tjetrën, falë rrugëve të bëra nga ky partneritet publik-privat. Kjo vepër përbën model për sipërmarrjen shqiptare dhe që duhet të ndiqet edhe në vepra të tjera”, nënvizoi Peleshi.

Deri më tani, kompania prestigjioze norvegjeze Statkraft ka investuar rreth 150 milionë euro për ndërtimin e HEC Moglicës, çka përbën thuajse gjysmën e investimit. Vetëm në HEC Moglicë janë të punësuar gjithsej 1243 persona, nga të cilët 1022 janë shqiptarë dhe 221 të huaj për shkak të përvojës së tyre teknike.

“Kompania ka standardet më të larta mjedisore, ka një bashkëpunim me autoritetet vendore. Njëkohësisht, ka qenë edhe një punë shumë e rëndësishme e qeverisë shqiptare që zgjidhi problemet e trashëguara që kishin të bënin me infrastrukturën. Pa zgjidhjen e këtyre problemeve të infrastrukturës kjo vepër nuk do të bënte progres siç po ndodh. Është një tregues tjetër që investimet e huaja vazhdojnë të progresojnë në Shqipëri, ashtu siç janë edhe investimet tjera në fushën elektroenergjetike. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme, me garancitë që ka dhënë aty, do të shtojë më shumë interesin në fushën e investimeve në hidroenergji dhe burimet tjera alternative, si energjia diellore dhe ajo e erës”, theksoi ministri Gjiknuri.

Në qytetin e Maliqit është planifikuar ndërtimi i 23 shtëpive zëvendësuese, si pjesë e programit social që zbatohet nga Statkraft në Kuadrin e Standardeve të IFC-së. Linja e Transmetimit 220kV nga Moglica në nënstacionin Elbasani II është përfunduar dhe është funksionale. Statkraft ka investuar 25 milionë euro me fondet e veta në aksin rrugor Kodovjat-Moglicë.

Në tërësi, Projekti i Kaskadës së Devollit është një nga veprat e rëndësishme energjetike për Shqipërinë me një kaskadë prej dy hidrocentralesh, atë të Banjës dhe Moglicës. Në tërësi kjo kaskadë me dy hidrocentralet do të rrisë kapacitetet energjetike të vendit me 17% më shumë dhe do të prodhojë energji të pastër. Kapaciteti i instaluar është 256 MW dhe prodhimi vjetor mesatar do të arrijë në 700 GWh.

Revista Monitor,  02.02.2017