Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Borxhet, 54 prona të Armos në ankand

54 prona të ARMO-s kanë përfunduar në ankand për shkak të borxheve të pashlyera ndaj një banke. Ankandi do të zhvillohet me 28 tetor dhe vlera totale e pronave llogaritet 25 milionë dollarë. Praktikisht në shitje kanë dalë të gjitha trojet e objektet e rafinerisë së Ballshit në pronësi të ARMO, duke nisur nga ndërtesat e magazinat, te zyrat, repartet, qendra shëndetësore madje dhe rrugët e Kombinatit të Thelluar të Përpunimit të Naftës. Sipas shoqërisë përmbarimore që ka organizuar ankandin, as ARMO dhe as shoqëria dorëzanëse ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL nuk kanë respektuar në asnjë rast detyrimin për shlyerjen e kredisë ndaj një banke tregtare.

Ankandi për shitjen e rafinerisë së Ballshit vjen vetëm pak javë pasi Qeveria ia kaloi atë kompanisë Ionian Refining dhe Trading Company me qëllim riaktivizimin e saj. U pretendua se Ionian Refining dhe Trading Company, ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët me bankat kreditore të ARMO-s si dhe punonjësve të saj për rifillimin e punës nga 1 shtatori. Por, po në këtë muaj disa zyra përmbarimore janë vërsulur për bllokimin apo ekzekutimin e llogarive dhe pasurive të kompanisë për llogari të kreditorëve të saj.

Sipas vlerësimeve, borxhet e ARMO-s arrijnë në total rreth 250 milionë euro, 200 milionë ndaj bankave, dhe rreth 50 milionë euro detyrime ndaj tatimeve. Aktualisht 85 % e kompanisë zotërohet nga një grup azer i quajtur Heni Asets dhe 15 % nga shteti shqiptar.

Grupi azer e bleu kompaninë nga Rezart Taçi, por u largua sërish pasi u njoh me situatën e borxheve të saj. Aktualisht vetëm njëra prej dy rafinerive të saj është në gjendje funksionale, por pa arritur as të mbulojë shpenzimet e pagave të punonjësve, të cilët kanë protestuar në vazhdimësi për shkak të mosshlyerjes së pagave.

Shqiptarja.com  27.10.2016