Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pavarësisht COVID-19 bizneset dhe familjarët ulin borxhin nga OSHEE

Familjarët dhe bizneset kanë ulur gjendjen e debisë që kishin ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deri në qershor 2020 krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Edhe pse në këtë periudhë përfshihet gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar nga COVID-19 dhe kishte një pritshmëri për rritje të kësaj debie ka ndodhur krejt e kundërta.

Të dhënat e OSHEE tregojnë se familjarët e kanë ulur gjendjen e debisë me rreth 1 për qind duke e çuar atë në 46.2 miliardë lekë. Trendi i uljes së gjendjes së debisë në këtë kategori ka qenë i rregullt dhe gjithmonë në ulje që nga viti 2015 kur nisi reforma në sektor dhe ku për borxhlinjtë u vendos një skemë e shlyerjes me këste përmes aktmarrëveshjeve. Edhe bizneset kanë ulur gjendjen debitore të tyre duke shënduar një vlerë 10.8 miliardë lekë në fund të qershorit të këtij viti teksa në fund të dhjetorit 2019 kjo gjendje ishte 11.3 miliardë lekë.

Institucionet jobuxhetore kanë rritur në periudhën janar-qershor gjendjen e tyre të debisë me 11 për qind në raport me fundin e vitit 2019. Në grupin e këtyre insitucioneve janë ujësjellësit, ndërmarrjet e ndriçimit të qytetit si dhe kategori të tjera që nuk varen në mënyrë të drejtpërdjtë nga buxheti i shtetit. Kjo kategori ka thelluar vit pas viti gjendjen e debisë duke kaluar nga 2.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2015 si gjendje në 12.1 miliardë lekë në fund të qershorit 2020.

Insitucionet buxhetore kanë rritur gjithashtu gjendjen e tyre të debisë edhe pse kjo rritje është modeste në raport me atë çka ka ndodhur me insitucionet jobuxhetore. Sipas të dhënave zyrtare gjendja e debisë e buxhetorëve në fund të qershorit ishte 3.76 milardë lekë teksa në dhjetor 2019 ishte 3.68 miliardë lekë.

Thellimi i gjendjes debitore të institucioneve ka ardhur në një kohë kur një pjesë e mirë e tyre kanë vijuar të punojnë nga shtëpia ose me orare të kufizuara.

Në total gjendja debitore që të katërta ketegoritë kanë së bashku ndaj OSHEE rezulton 73 miliardë lekë apo 595.5 milionë euro. Rritja e gjendjes debitore në total në raport me dhjetorin 2019 ishte 0.6 për qind.

Monitor,  13.08.2020