Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projekti i KESH për huanë shkon në Kuvend

Në Kuvend ka mbërritur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH.
KESH ka referuar në relacionin përkatës se me marrjen e kësja huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit.
Për këtë qëllim, KESH, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje po administron një operacion që synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit  të garancive qeveritare).
Në këtë kuadër, KESH së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe industrisë dhe Ministrinë e Financave kanë negociuar me BERZH-in për të siguruar një hua afatgjatë (deri në shumën 218 milionë euro.
Projektligji parashikon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Interesi
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë jep garanci shtetërore për këtë hua në rastet kur ai vetë nuk është huamarrësi. Nuk ka efekte financiare shtesë, pasi shuma e huas do të përdoret për mbylljen e linjave të overdraftit që KESH, sh.a., ka në tregun e brendshëm bankar, të cilat janë të mbuluara me garanci qeveritare.

Termat e këtij financimi janë:
Shuma e huas:                  218 milionë euro;
Periudha e kredisë:          15 (1+14) vite;
Norma e interesit:            6M Euribor+1% në vit;
Komisioni i angazhimit:  0.5% në vit;
Të tjera komisione:           1% në vit
Disbursimi:                         Në 2 transhe (118+100)

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, duke qenë shoqëri tregtare që mbarte përveç të tjerave dhe detyrimin e shërbimit publik si furnizues i alternativës së fundit, ka filluar të marrë kredi afatshkurtër nga bankat tregtare lokale që nga viti 2005, për sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për një periudhë afatshkurtër në kushtet kur i faturat e lëshuara nga KESH ndaj CEZ Shpërndarje (më pas OSHEE) gjatë vitit 2012-2014, për lëvrimin e energjisë elektrike shlyheshin në nivelin e 30- 40% të vlerës së tyre duke krijuar kështu një situatë shumë të vështirë për sigurimin e furnizimit me energji elektrike në vend.
Kështu KESH ka qenë e detyruar të përballoje riskun hidrologjik të krijuar nga situata të pafavorshme dhe jooptimale hidrike. Duke u ndodhur para këtyre kushteve, në vijim të udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe dakordësisë së ministrisë së linjës së përgjegjesisë shtetërore, KESH, sh.a., i është drejtuar të gjitha bankave tregtare lokale për të siguruar likuiditetet e nevojshme.
Aktualisht KESH-i është financuar me overdrafte me afat 1-vjeçar me të drejtë rinovimi nga 8 banka tregtare (Raiffeisen, intesa San Paolo, Banka Kombëtare Tregtare, Societe Generale, Credins, Tirana Bank, Banka Amerikane e investimeve dhe Union Bank).
Më datë 31.12.2015, gjendja e kredive afatshkurtra (overdrafte) rezulton 33 679 277 761 lekë.
Rreth 218 milionë uro (apo 87% e totalit të kredive afatshkurtra) janë mbuluar me garanci qeveritare dhe 32 milionë euro (apo 13% totalit të kredive afatshkurtra) janë siguruar pa garanci qeveritare. Në procesin e rinovimit të këtyre kredive afatshkurtra (OD) KESH-i vazhdimisht ka negociuar për uljen e interesave të ofruara nga bankat.
Skeduli i kthimit të huave afatshkurtra është 12 muaj nga data e lidhjes së kontratës së re ose e rinovimit më të fundit të kontratës ekzistuese. Kostot për shoqërinë KESH, sh.a., për shërbimin e këtij borxhi afatshkurtër janë dhënë në tabelën e mësipërme.
Plani i rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike, miratuar nga qeveria shqiptare, nuk parashikon që, për vitin 2016 dhe për 3 vitet në vazhdim, OSHEE-ja të paguajë detyrimet e prapambetura që ka ndaj KESH-it për energjinë e lëvruar gjatë periudhës 2012-2014.
Si rrjedhojë, KESH-i vazhdon të ketë detyrimin për pagesat e interesave të overdrafteve. Ndodhur në situatën e përshkruar më sipër dhe duke pasur parasysh që në kuadër të përmirësimit të qeverisjes korporative të KESH-it, përveç negociatave të vazhdueshme me bankat tregtare në vend për uljen e interesave dhe shlyerjen pjesore të principaleve të kredive afatshkurtra, KESH-i po punon për ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Për këtë qëllim, KESH-i po administron një operacion që synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër, ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit të garancive qeveritare).
Në këtë kuadër, KESH-i së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe industrisë dhe Ministrinë e Financave, kanë negociuar me BERZH-in për të siguruar një hua afatgjatë deri në shumën 218 milionë euro, të siguruar me garanci qeveritare dhe me kushte preferenciale (periudhë shlyerje principal dhe interes për 15 vite, me normë interesi Euribor+1%).
Përgjithësisht, KESH-i vlerëson se totali i shpenzimeve vjetore për interesa që paguan aktualisht KESH ndaj bankave tregtare për të shërbyer stokun e huave afatshkurtra do të jetë afërsisht i njëjtë me pagesat vjetore që parashikon KESH për këstet (principal plus interesat) e shlyerjes së kredisë me BERZH-in.

Skenarët përdorimit te huase

Vlen për t’u theksuar fakti se nëse bëhet një analizë paraprake krahasuese mes opsionit “konverto overdraftet në hua 15 vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” dhe opsionit “mbajtjes së overdrafteve duke paguar interesa sipas kushteve dhe termave aktuale”, rezulton se:

Për transhin e parë (118 milionë euro apo 16.4 miliardë Lekë):

    • Për opsionin 1: Konverto OD në hua 15-vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” në fund të periudhës 15-vjeçare KESH-i do të ketë paguar në total shumën prej 18.45 miliardë lekë, nga të cilat 2.05 miliardë lekë interesa dhe pjesë tjetër prej 16.4 miliardë lekë është shlyerje e plotë e principalit (1.17 miliardë lekë në vit);
    • Për opsionin 2: “Mbajtjes së OD duke paguar interesa” në fund të periudhës 15-vjet, KESH-i do të ketë shpenzuar në formën e interesave shumën prej 11.5 miliardë lekë duke mos shlyer asgjë nga detyrimi/principali. Për transhin e dytë (100 milionë euro apo 13.9 miliardë lekë):
    • Për opsionin 1: Konverto OD në hua 15-vjeçare sipas termave të negociuar me BERZH-in” në fund të periudhës 15-vjeçare KESH-i do të ketë paguar në total shumën prej 15.64 miliardë lekë nga të cilat 1.74 miliardë lekë interesa dhe pjesë tjeter prej 13.9 miliardë lekë është shlyerje e plotë e principalit (993 ilionë lekë në vit).
    • Për opsionin 2: “Mbajtjes së OD duke paguar interesa” në fund të periudhës 15-vjet, KESH-i do të ketë shpenzuar në formën e interesave shumën prej 8.18 miliardë lekë duke mos shlyer asgjë ngadetyrimi/principali.

Vlerësimet paraprake tregojnë gjithashtu që nëse KESH-i:

    • Arrin të konvertojë 218 mln euro kredi afatshkurtra në kredi 15-vjeçare,
    • i miratohet një tarifë gjenerimi rreth 2.9 lekë për këh,
    • OSHEE dhe OST shlyejnë detyrimisht dhe rregullisht pagesat për pjesët e tyre të huave afatgjata sipas marrëveshjeve respektive të nënhuave, atëherë KESH-i do të mund të jetë në gjendje të shlyente, brenda vitit 2020, pjesën tjetër të overdrafteve që nuk është e mbuluar me garanci qeveritare prej 32 milionë euro.

Për dhënien e kësaj kredie BERZH-i kërkon lëshimin e një garancie qeveritare. Mbështetur në vendimin nr.472, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave, në datën 1 korrik 2016, u nënshkrua marrëveshja e garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Si rrjedhojë e zbatimit të këtij projekti, pritet që çdo vit totali i garancive shtetërore të angazhuara nga shteti shqiptar për kreditë afatshkurtra të KESH-it të reduktohet me rreth 1.17 miliardë lekë (që i korrespondon transhit të parë prej 118 milionë euro) dhe 993 milionë lekë të tjera (që i korrespondon transhit të dytë prej 100 milionë euro).

Revista Monitor,  21.10.2016