Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e ministrit Gjiknuri në përurimin e HEC Banjës

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar drejtues të kompanisë Statkraft,

Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot, jo vetëm si Ministër i Energjisë, por është kënaqësi e dyfishtë sepse kam qenë dhe akoma jam përfaqësues si deputet i kësaj zone. Kënaqësinë e kam përjetuar në dy dimensione. Së pari si politikan i kësaj zone në cilësinë e deputetit, pasi jam njohur me projektin dhe shqetësimet që mund të kishin banorët por edhe si Ministër i Energjisë e Industrisë, ku siç u tha, bashkëpunimi me Ministrinë e Energjisë ka qenë instrumental për ecurinë e këtij projekti. Jo se dua të mbivlerësoj rolin e caktuar që mund të ketë patur ministria, por patjetër pa një partnership të sigurtë mes qeverisë dhe Statkraftit kjo vepër do të ishte e pamundur.

Si Ministër Energjie ndjehem krenar që ne, gjatë gjithë ekzekutimit të kësaj vepre, që filloi të ndërtohet plotësisht pas vitit 2013, arritëm të përballojmë sëbashku çdo lloj pengese që zakonisht projektet e tilla kanë në shumë vende, sidomos një projekt i tillë kompleks. Ne arritëm të gjejmë zgjidhje për problemet që kishin qenë të mbartura dhe që mund të krijonin probleme për vazhdimësinë e veprës. Pikërisht falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me kompaninë Statkraft, të cilët dua ti falenderoj në mënyrë të veçantë, ne bëmë të mundur që kjo vepër të realizohej në kohë.

Patjetër, si Ministër Energjie ndihem krenar sepse i shtohet një vepër me rëndësi kapaciteteve prodhuese të këtij vendi. Kjo vepër ka edhe veçantinë që ndryshe nga vepra të tjera, këta nuk janë një barrë për sektorin energjetik, përkundrazi janë kontribues direkt me prodhimin pa kërkuar garanci financiare nga shteti shqiptar apo pa kërkuar blerje energjie. Por, patjetër këto do të determinojnë edhe krijimin e një tregu.

U tha pak më parë që krijimi i tregut është shumë i rëndësishëm për sigurinë e investimeve tuaja dhe faktikisht, reforma e suksesshme e qeverisë shqiptare në sektorin energjetik që filloi së pari me disiplinën financiare, reduktimin e humbjeve, përmirësimin e fluksit financiar, përmirësimin e të gjithë instrumenteve të tjerë që i bëjnë të qëndrueshëm investimet, do të pasohet nga një treg i mirëfilltë i cili shpresojmë që në vitin 2017 të bëhet i mundur me krijimin e Bursës Shqiptare të energjisë elektrike.

Kjo, patjetër do të sigurojë më shumë investime edhe nga ana e Statkraftit, siç edhe kemi biseduar, por edhe nga shumë kompani të tjera, të cilat do të shikojnë tek Shqipëria një treg të qëndrueshëm energjetik. Investimet nuk bëhen të mundura thjesht duke pasur një kontratë në letër, por investimet bëhen të mundura dhe të qëndrueshme kur ka një treg funksional e institucione rregullatore që monitorojnë këtë treg, që bëjnë të mundur që të gjithë pjesëmarrësit të marrin pjesën e tyre të përfitimit ekonomik. Pikërisht për këtë po punojmë.

Nga ana tjetër, dua të falenderoj kompaninë edhe për një element tjetër. Ardhja e kompanive të tilla si Statkrafti na krijon edhe ne mundësinë që të mësojmë e të bashkëpunojmë sëbashku. Dua të falenderoj edhe qeverinë norvegjeze për ndihmën e dhënë për krijimin e një tregu energjetik. Ne po bashkëpunojmë me qeverinë norvegjeze dhe me një nga kompanitë më të mëdha europiane të menaxhimit të energjisë apo menaxhimit të tregjeve të energjisë që është Nordpol i Norvegjisë të cilët janë partnerët tanë në një projekt shumë të rëndësishëm, që të bëjmë të mundur që edhe Shqipëria të krijojë bursën e saj energjetike. Atë që thashë pak më parë, ky do të jetë sinjali i mirëfilltë që ne do të japim për çdo investitor në këtë vend, që Shqipëria ka një bursë të qëndrueshme, ka një treg të qëndrueshëm, ka një treg likuid, i cili do të mundësojë të gjitha potencialet energjetike ujore që ka ky vend të kthehen në një benefit shumë të madh për Shqipërinë, e cila do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në tregun rajonal të energjisë.

Nga ana tjetër, si Ministër por edhe si politikan, si përfaqësues i kësaj zone, dua të them edhe diçka tjetër. E di që dikush sot do të marrë pronësinë e kësaj vepre. Kjo vepër i përket shqiptarëve dhe kontributit të shumë qeverive shqiptare. Por mos harrojmë dhe po e them me përgjegjësi të plotë dhe u përmend edhe në fjalën e mëparshme këtu, po të mos ishin zgjidhur në vitin 2013 dhe të vitit 2014 problemet e mbartura me komunitetin, zgjidhja që dhamë me ndërtimin e infrastrukturës zëvendësuese dhe kontributi që mori përsipër edhe qeveria shqiptare, kjo vepër nuk do të realizohej në kohë. Ndaj edhe njëherë po e them, nuk ka rëndësi se sa kontrata ke nënshkruar por që ti bësh këto kontrata me vlerë duhet një punë e përditshme, angazhim i përditshëm i shtetit me partnerin privat që vepra të realizohet në kohë.

Pikërisht, për shkak të kontributit të kësaj qeverie dhe mirëkuptimit që gjetëm, si dhe negociatave intensive që zhvilluam me kompaninë koncesionare, ne kemi sot një nga infrastrukturat më të mrekullueshme të këtij vendi, nga rrugët më të mira, nga urat më madhështore të këtij vendi dhe që e kanë transformuar të gjithë zonën e Gramshit. Do të jetë një nga zonat më të bukura për tu vizituar dhe që kanë kontribuar direkt në përmirësimin e jetës së këtyre banorëve. Kjo është përgjegjësia e qeverisë dhe përgjegjësi e kompanisë private. Do të thotë ky është partneriteti i mirëfilltë. Qeveria kujdeset për të angazhuar të gjitha interesat dhe për ti marrë parasysh të gjithë interesat e komunitetit që ta bëjnë veprën të qëndrueshme ashtu siç edhe kompania kupton përgjegjësinë e saj sociale dhe angazhohet në një partneritet të mirëfilltë me qeverinë për të realizuar atë që kemi bërë sot.

Prandaj, realisht jam krenar, edhe si përfaqësues i kësaj zone që një nga ëndrrat që ka pasur rrethi i Gramshit që nga koha e Ramiz Alisë, se e dinë njerëzit, ëndrra për të pasur një rrugë sot po bëhet realitet. Të gjithë qytetarët janë krenarë për këtë, të gjithë ne jemi krenarë për këtë që kemi realizuar.

Edhe njëherë falenderoj kompaninë Statkraft për bashkëpunimin dhe rolin e qeverisë shqiptare që bënë të mundur që jo vetëm kjo vepër të realizohet, por të gjithë qytetarët të jenë të kënaqur, si me punësimin këtu ashtu edhe me ndërtimin e infrastrukturës që do të jetë përjetë dhe që e kthen Gramshin nga një xhep që ka qenë, në një nga zonat, jam shumë i sigurtë në vitet që vijnë, një nga zonat më të vizituara në Shqipëri.

Së fundi, e ftoj kompaninë Statkraft që të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejshëm edhe për ndërtimin e veprës së Moglicës e cila ka filluar dhe që ne jemi në një bashkëpunim të mirëfilltë për të zgjidhur të gjitha problematikat që dalin nga kjo vepër komplekse. I garantoj ata që Shqipëria do të jetë një treg i sigurtë energjetik, një treg i qëndrueshëm. Atë që kemi filluar me reformën në energji do ta çojmë deri në fund, nga përmirësimi financiar në një treg të mirëfilltë të rregulluar dhe me elementë të plotë rregullator që garantojnë çdo investitor të huaj që burimet e këtij vendi do të jenë përfitim si për kompaninë, ashtu edhe për popullin shqiptar.

Ju faleminderit dhe suksese,