Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e ministrit Gjiknuri në seancën plenare

Fjala e mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit:

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë që na dëgjoni,

Në fakt, nuk na surprizoi edhe kjo seancë nga Partia Demokratike. Pas humbjes së thellë që pësoi në Dibër, vjen këtu dhe kërkon shkaqe që sipas saj nuk ekzistojnë. Apo e kërkojnë gjithkund, por aspak tek politikat e saj. Zgjedhjet në Dibër, nga pikëpamja e thellësisë së humbjes, mund të kenë çuditur shumëkënd, por nëse analizojmë me kujdes fushatën siç u zhvillua dhe siç e kanë përjetuar dibranët, më shumë se ata kureshtarët politikë në Tiranë, fliste qartë për humbjen e thellë të opozitës. Kam ndjekur shumë analistë që ngrinin pyetje, madje edhe këta kur zbarkuan momentin e parë në Dibër thanë, do të deshukrizojmë Dibrën, do të heqim shukritë. U nisën nga idea se me ngjarjen e Shukriut këta i kishin zgjedhjet në xhep. Ne çeljen e fushatës, ky ishte slogani i parë i tyre. Pas disa ditësh, ju thanë mos u merrni me Shukriun. Dibranët dinë ta bëjnë dallimin e ngjarjes individuale nga problemi politik. Dinë ta dallojnë mirë partinë nga individi dhe po ti vini re, në ditën e tretë ose të katërt nuk e përmendën më.

Pjesa e parë e strategjisë së tyre të gabuar. Pse?! Sepse dibranët panë tek qeveria shqiptare, që në momentin që pati një shkelje nga ai videoskandal, reagoi në kohë dhe e shkarkoi atë njeri. Ndërkohë që kishim parë shembuj të tjerë në qeverisjen tuaj, bashkiakë që kanë bërë skandale të ngjashme por janë mbrojtur dhe nuk u hyri gjë në këmbë. Pikërisht, ata e panë dallimin e parë dhe njëkohësisht treguan mungesën e vizionit dhe të strategjisë që ju përdorët në fushatë. Aq e dukshme qe kjo gjë sa më vonë filluan edhe të kërkojnë ndihmë nga njerëzit e Shukriut. Por kjo është një temë tjetër që nuk po e diskutojmë këtu.

Fushatën, PD-ja e kishte lexuar si një ekskursion elektoral. Të rekrutuar në Tiranë me dhjetëra deputetë, bashkë me disa zyrtaruc të Partisë Demokratike thanë po bëjmë një ekskursion elektoral në Dibër dhe të gjithë kishin përgatitur spaletat për fitoren që i priste. Madje, kryetari në detyre, z.Basha tha gjeta kalin e betejës për ti thënë dibranëve, uragani Dibrës do të japë sinjalin deri në Tiranë. Pikërisht, kjo ishte e meta tjetër e kësaj opozite, e cila vajti tamam si në një ekskursion elektoral, në një vend siç shkonin kolonizatorët për ti treguar indigjentëve se në çfarë errësire e kishte lënë Dibrën kjo qeveri. Madje morën një shpurë njerëzish që fare nuk kishin të bënin me Dibrën dhe i shpërndanë në çdo njësi vendore.

Pasi ra teoria e Shukriut, ditën e tretë doli teoria tjetër, doktori trafikant droge. Qytetari dixhital projektoi prozhektorët në Dibër, u kthye në një urdhër për të gjithë elitën e Partisë Demokratike të instaluar atje. Pra, të gjithë të deleguarit filluan, doktori trafikant droge. Po mirë mo, dibranët nuk janë budallenj se ju dhe jetonit aty. Nuk e kuptoni që doktor Rremën në Dibër e njihnin të gjithë si një njeri të ndershëm, e dinin shumë mirë se çfarë familje ishte, e dinin shumë mirë çfarë popullariteti kishte. Atëherë si mundet të besonin emisarët e SHQUP-it të deleguar në Dibër kur thonin se doktor Rremi është trafikant droge?! Pra, njeriu kishte 20 e ca vjet që shërbente në atë komunitet, 20 e ca vjet që nuk ishte larguar nga Dibra, ndryshe nga kandidati tjetër që besoj e keni dëgjuar edhe në Dibër, nuk po them ndonjë gjë se burrë i nderuar është por i larguar nga Dibra. Nuk kishte bërë ndonjë gjë për Dibrën, mos them që nga pikëpamja njerëzore, tani njerëzit janë të ndryshëm, nuk kishte asnjë afërsi me njerëzit, njeri i ftohtë. Kur kërkon vota duhet të krijosh lidhje me njerëzit, jo njerëz që nuk kanë lidhje me asnjë njeri. Se si do të të votojë ai komunitet, kur nuk i ke bërë një nder në jetën tënde.

Vazhduat disa ditë me atë teori, e patë që edhe kjo gjë nuk ju eci sepse populli Dibrës filloi të bënte dallimin. Filloi të kuptonte që këta njerëz nuk e kishin seriozisht fushatën në Dibër por kishin ardhur të denigronin një qytetar të tyre. Zakon që nuk duhet ta bëjë asnjë jabanxhi dhe as unë nuk e kam bërë kurrë në fushatë që të them një llaf të keq për një njeri. Dilnin këta zotërinjtë dhe fillonin e ofendonin, harrojnë që aty njerëzit kanë ndjenja, kanë fis, kanë lidhje shoqërore sepse është krahinë me tradita, është krahinë që është e lidhur me farefisni dhe nuk mund të tallesh kështu. Të vish me atë eksploratorin sikur po zbulon Indinë atje duke ju treguar sesa në errësirë ju kanë lënë këta njerëz, po do të vijmë ne t’iu projektojmë Partinë Demokratike me Lulëzim Bashën në krye.

Dibranët janë njerëz pragmatistë. Ata e panë që të gjitha jabanxhinjtë që ishin instaluar nëpër fshatra, jo vetëm që u bënë objekt humori dhe anekdote sepse nuk kishin fare idenë se çfarë ndodhte në Dibër dhe çfarë problemi kishin dibranët, por panë që të vetmen hall që kishin ishin si të dilnin mirë para kryetarit të tyre. Sesi ata i mbushnin mendjen dibranëve, votoni për Sherefedinin se kur të vijë Lulzim Basha Kryeministër, ne do të bëjmë mrekullira. Po dibranët e dinë se ti nuk kishe ndërmend të zgjidhje problemet e Dibrës, por doje ti përdorje ata si eksperiment për politikat e tua të Tiranës. Këtu qe gabimi juaj i dytë, që nuk doni ta analizoni. Ju bëtë politikë për Tiranën, ne bëmë politikë për dibranët. Ne vajtëm me një dibran, që jetonte me hallet e njerëzve, një njeri jashtëzakonisht të ndershëm dhe me një personalitet që as edhe ju në fund nuk e vini në diskutim sepse javën e dytë e larguat atë teorinë që doktori qe trafikant droge, por doli teoria tretë, doktori është burrë i mirë mirëpo nuk e lë mafia. Po mirë mo tre qëndrime politike në një javë keni patur?! Atëherë çfarë kuptuan dibranët? Se e thashë, dibranët janë një popull i veçantë, kush është dibran e di, ata flasin pak, mendojnë shumë dhe përgjigjen ta japin atëherë kur nuk e merr vesh.

Herën e parë erdhët me doktor trafikant, herën e dytë erdhët me Shukriun, herën e tretë erdhët se kemi Lulzim Bashën Kryeministër. Pra, panë se ju nuk kishit hallin e tyre, përkundrazi kishit problemin tjetër hallin e karrierës tuaj në Tiranë. Dhe populli filloi të fliste, filloi të kuptonte se këta njerëz nuk e kanë seriozisht. Kishin sjellë njerëz që propagandonin që nuk kishin fare lidhje me problemet e Dibrës. Rezultatin e dhanë dhe këtu duhet të kërkoni edhe një nga shkaqet e tjera.

Së katërti, kandidati që zgjodhët. I marrim në analizë të gjitha. Popullariteti i doktor Rremit, ashtu mund të duket i thjeshtë, mbase nuk është aq i sofistikuar sa shumë folësa këtu në karrige, problemi është se ai do ishte kryetar i Bashkisë së Dibrës. Nuk donte të bëhej as Kryeministër i Shqipërisë, as të zinte vendin e ndonjërit nga ne këtu. Ai ishte një qytetar për qytetarët e Dibrës. Një njeri i thjeshtë, që dinte të komunikonte dhe që bënte një kontrast real me Sherefedinin, i cili kishte qenë 8 vjet deputet, nuk kishte bërë asgjë. Të gjithë njerëzit ia dinin se çfarë kontributi kishte ai për Dibrën dhe njerëzit dinin të dallonin. Sepse bashkiaku, unë e kam thënë edhe në fushatë, bashkiaku është dera ku troket për hallin e parë. Nuk i duhet atij politika e madhe e Tiranës, nuk i duhen atij as ato betejar e mëdha për Rrugën e Arbrit.

E dinë shumë mirë dibranët që Rruga e Arbrit është një premtim i pambajtur i shumë qeverive. Është një premtim që mund ta mbajë kjo qeveri dhe ne e kemi marrë angazhimin sepse nuk e kemi konsumuar mandatin tonë, por nuk janë budallenj ata të ndëshkojnë njeriun i cili do te jetë kryetar i asaj bashkie, për shkak se dikush tjetër në Tiranë ka bërë një plan tjetër dhe do ti shkojë me këtë skemë .

Njerëzit ditën të peshojnë. Një kandidat i keq që nuk kishte lidhje me Dibrën, nuk i duhej Dibrës profesori madh, po i duhet Dibrës djali, qytetari që ua di hallet dhe iu shërben atyre. Dhe ata e dhanë përgjigjen me votë. Këtu është shkaku tjetër ku ju duhet ta kërkoni problemin. Kjo është analizë politike, po jua bëj unë, meqë folët që duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, kjo është analiza që duhet të bëni. Taktika jua për të çuar kolonizatorët nga Tirana ju solli vetëm dëm, jeni kthyer në barcaletë, anekdota kudo ku keni shkuar. Dibranët të dëgjojnë, të japin dhe një gotë raki, po nesër ta bëjnë mirë historinë. Dhe të gjithë muhabetet tuaja qarkullonin aty dhe bëheshit humor. Ju kujtonit se ju jepnin mbështetjen se ju jepnin dorën, por harroni që mbrapa dinë edhe një histori. Ditën e votimit jua kthyen me votë.

Çfarë bëtë tjetër?! Vajtët pastaj dhe vetëm ofendonit. Morët gjithë falangat, i pari ky dhe të tjerë. Solle gjithë ushtrinë me njerëz që prapë nuk kishin lidhje nga Dibra. Dibranët janë njerëz të zgjuar, të mençur, por solle gjithë brigadën nga e kishe me fuoristrada, me flamuj të PD-së, të cilët në mënyrë sistematike acaruan njerëzit dhe ata me heshtje pritën ditën e votimit. Erdhi dita e votimit dhe iua dhanë përgjigjen, aty duhet të kërkoni edhe një shkak tjetër të thellësisë së rezultatit.

Nga ana tjetër programi ekonomik. Pyesnin Sherefedinin, do ti ndërtoj thoshte! Kur e pyesnin ku do ti gjesh fondet, do e ndërtoj me vizion thoshte!! Ore ku do i gjesh fondet për këto projekte?! Do paguaj faturat e energjisë elektrike me Buxhetin e Bashkisë!! Po mirë mo, ju që jeni shtetarë, a e pranon njeri një budallallëk të tillë? Po pse, budallenj janë njerëzit, aq më tepër në Dibër që ti thuash ti nesër s’ke nevojë të punosh se po fitoi Sherefedin Shehu, këtej e tutje të gjithë dibranët e kanë jetën të siguruar?! Po nuk ka budalla ta besojë këtë. Kjo qe fushata që bëri Sherefedin Shehu. Tha do t’iu paguaj faturat e energjisë elektrike me Buxhetin e Bashkisë. Ah thanë dibranët, nuk e ha njeri këtë rrenë, duket që edhe ky nuk e ka seriozisht. Tha pastaj, u ktheva se ma kërkoi partia. U bëra qytetar i Dibrës afër moshës së pensionit. Po pse mo nuk e kuptojnë ata këtë gjë?! Nuk e kuptojnë se ky njeri ishte përdorur politikisht për interesa të tjera dhe nuk kishte lidhje me atë komunitet?! Dhe aty duhet ta gjeni shkakun e votimit kundër.

Fushata jonë qe jashtëzakonisht e thjeshtë dhe mbi të gjitha bashkuan të gjithë faktorët politikë. Nga ana tjetër, filluat ti konsideronit dibranët në xhep. Thonit nga këtej do të fillojë uragani demokratik, kjo qeveri do të marrë fund, Sherefedini është i fituar dhe njerëzit panë mungesën e seriozitetit. Po ashtu, filluar të ofendonit në mënyrë sistematike dibranët. Filluat ti ofendonit me idenë se e keni votën për ta shitur. I sollën në mitingun përmbyllës një delirant, një njeri që unë me thënë të drejtën, ta kisha paguar atë njeri që të vinte në mitingun tuaj, ku ta gjeje. Një njeri që i tha dibranëve se vajzat socialiste të Dibrës pinë më shumë se baballarët dhe djemtë lyhen me buzëkuq. Po mirë si kujtoni ju, ata njerëz nuk kanë lidhje familjare?! Po a do ta pranoje ti në Kukës, apo ai tjetri kudo ku është në Berat apo në Gjirokastër, që një njeri të thoshte një fjalë të tillë? Dhe të gjithë ju e duartrokisnit në tribune, se ua donte ngazëllimi mitingut. Ju kishit ardh thjesht ofendonit dhe jo ti përgjigjeshit halleve të dibrës. Ndaj edhe aty duhet ta kërkoni thellësinë e rezultatit.

Në hymë në fushatë me një parti të bashkuar. Edhe ne, si çdo parti lokale kemi problemet tona, por gjetëm njeriun ku palët panë njeriun që përfaqësonte gjithçka. Dhe gjithë Partia Socialiste, e gjithë e majta shqiptare tha po, ky është njeriu dhe qytetari i duhur. Ndërkohë, ju e sollët Sherefedinin për shkak se kishit sherre në parti. Nuk ishit të zotë të gjenit një kandidat dhe tha Lulzim Basha po ju caktoj unë nga Tirana, ju të tjetër rrini urtë. Ju kujtoni se duke jua imponuar nga Tirana do të bashkoni faktorët dhe vinin ju mashtronin gjithë ditën aty, kujtonin se i kishin votat dhe ndërkohë të gjithë mezi prisnin humbjen tuaj. Edhe këtu duhet ta kërkoni shkakun e humbjes.

Pasi vazhdoi kjo fushatë aq qesharake nga ana juaj dhe aq konkrete nga ana jonë, erdhi dita e votimit dhe njerëzit e kishin ndarë mendjen. E kishin ndarë mendjen se mezi prisnin të ju hiqnin ju qafe, 40 e ca deputetë dhe nja 100 zyrtarucë të tjerë me kollare që as gjuhën nuk i kuptonin dibranëve dhe që do ju mbushnin mendjen sesa i mirë ishte votimi i Sherefedinit. Ndërkohë, ditët e fundit nxorët edhe falangat e dhunës. Dhunuat një administrator, përhapët fjalë, qytetarët po arrestojnë blerësit e votës. Ku i kishit ato arrestimet e blerësit të votes?! Njëri nga blerësit e votës që e kishit arrestuar ju atë natë qëlloi në një restorant me mua. Ku pa emrin e tij, qytetarët arrestojnë blerësit e votes, mori Neës 24 në telefon dhe i tha, ore zotëri unë po ha darkë këtu, nuk më kanë arrestuar qytetarët. Këto shashka hidhnit ju në TV.

Ku janë këta njerëzit e arrestuar nga populli që nuk u denoncuan në polici?! Përkundrazi, kjo i irritoi më shumë dibranët. Ju nuk kuptuat një gjë, keni të bëni me një komunitet konservator në njëfarë mënyre, e një komunitet të lidhur. Të gjitha këto fakte false dhe të gjitha këto ofendime që i bëni dibranëve, të nesërmen diskutoheshin në qytet, në çdo kafe dhe mezi prisnin ditët t’iu kthenin përgjigjen me votë.
Kur ju dështoi e gjithë fushata, filluat nxorët teorinë e drogës. I bleu droga, i bleu mafia. Të gjitha këto janë përralla. Po të kishte drogë atje do të ishit ju të parët që do ta kishit sulmuar që ta nxirrnit. Ja kush janë arsyet e vërteta të irritimit të qytetarëve dibranë, se kështu ju bërtiste dhe ai në Maqellarë me bandën e tij, që na ngrinte postoblloqe se do arrestonte qytetarët që blinin votën. Po të dhunosh qytetarin në Maqellarë në mes të njerëzve të tij si mendon ti mo, do të votojë Maqellara kur ti i shkon me gangstera dhe me makinë që nuk i ndalon policies?! Po ti mo ja ke bërë gropën Maqellarës me ato sjelljet e tua. Apo ky tjetri që bërtiste do t’iu varim ju po votuat për PS-në!! Unë, që në fillim isha i qetë, shumë njerëz e vinin në dyshim rezultatin, por i thoja se po na bën një nder PD-ja. Lulzim Basha po na bën një nder të madh që vjen këtu, se sjell gjithë shpurën e tij me vete. Lulzim Basha po bën nderin më të madh që ka sjellë gjithë deputetët e tij, përfshirë edhe ty aty, që rren qytetarët e Maqellarës. Aty ishin votat, urrejtja popullore sa vinte e rritej dhe e shpërblyen me votë.

Jo të gjithë ata që na votuan ne janë socialistë. Jo të gjithë ata që na votuan ne mund të na votojnë në 2017 por duhet të kuptosh shumë mirë ndryshimin. Qytetarët reaguan me revoltë ndaj sjelljes tuaj, reaguan për shkak të politikës tuaj me kandidatin që i sollët, për shkak të asaj që ju po bënit për Dibrën dhe asaj që kishit bërë për Dibrën. Se të gjithë njerëzit prapa që ju vinin në fushatë, ia kanë thënë në sy Lulzim Bashës, për çfarë i merr këta nga prapa, me këta do vish ta na e kërkosh votën?! Ishin po ata zyrtarë të cilët i kanë rrjepur dibranët dhe dibranët shyqyr që i hoqën qafe. Realiteti ky është, mos u shqetësoni për pjesën e votave, qytetarët dibranë votuan djalin e tyre, të bindur se po bënin zgjedhjen më të mirë.

Po të shikojmë edhe analizën elektorale. Atëherë t’ju bëj një pyetje, meqenëse paska mbjell hashash, se Dibra nuk ka as klimë për të mbjellë hashash siç mendoni ju, megjithatë le të vazhdojmë. Të dashur qytetarë, se nuk po ju drejtohemi këtyre, se këta dështuan në terren, imagjino këtu në sallë për të më mbushur mendjen mua, mbas një rezultati që është i dukshëm. Qytetarë, si e shpjegoni ju që në qytetin e Peshkopisë, i cili është një qytetet deri diku urban, si çdo qytet tjetër i Shqipërisë që nuk ka lidhje as me mbjelljen, as me bujqësinë dhe as me një gjë tjetër, kandidatura e Muharrem Ramës morri të njëjtin trend të thellë si në të gjitha komunat e tjera?! Mbi 1000 e ca vota krahasuar me një vit më pare, atëherë çfarë ndikoi?! Ndikoi pikërisht ai fakt që qytetarët e Dibrës ashtu siç edhe ata të komunës ku shkonit ju dhe bëheshit barcaletë, ashtu edhe ata qytetarë panë diferencën dhe kuptuan sesi talleshit ju me ta dhe prandaj ju votuan kundër. Justifikimet tuaja janë të pavlera. Ju aktin final e kulmuat ditët e fundit kur akuzuat qytetarët, thatë ky nuk është populli jonë. Na falni o njerëz, se këtë popull e ka blerë droga, e ka blerë krimi etj., pra të gjejmë një popull tjetër se ky nuk po na kupton. Ofenduat familje të tëra. Me ofendimet që i bëtë fiseve të tëra që ju bashkuan doktor Muharremit dhe kandidatit të mrekullueshëm, fise që po të duash ti them edhe me emra se i njeh e tërë Dibra i erdhën mbrapa atij, ju keni vulosur humbjen tuaj në 2017 në atë qark të thellë. I ofenduat, injoruat, i injoruat në fushatë me mënyrën si u sollët. Jua kam thënë edhe njëherë, ju sollët një slogan, ne sollëm një njeri.

Erdhët me idenë se do bënit ekskursionin apo plaçkitjen elektorale të rastit, se mendonit në Tiranë ju priste lavdia dhe faturën kryesore e keni ju, me kryetarin tuaj në krye të detyrës. Për mua zgjodhi taktikën e gabuar dhe që ju çoi juve të gjithëve në terren gjoja për të mbrojtur votën, por që në fakt shërbyet si katalizatori më i mirë për ti bërë dibranët të votojnë në mënyrë masive kundër jush. Na bëtë shërbimin më të madh.

Së fundi, humbja e di që është e dhimbshme, nuk dua të flas. Këto përrallat me 4 mijë vota, 5 mijë vota që i paskemi blerë ne, këto nuk i beson njeri. Vërtet ka një gjë, që mund të ketë pasur episode që mund të kenë dalë edhe në media nga komuniteti vulnerabël siç janë romët, episode që kanë qenë vazhdimisht në Shqipëri nga të dyja forcat dhe ne i dënojmë. Në çdo rast duhet ti dënojmë, por që të thuash për rezultatin 4200 vota të blerë, jo vetëm që nuk ju beson njeri, por bëheni qesharakë. Bëheni qesharakë për një gjë, e para qesharakë për veten tuaj sepse nuk do ta analizoni pse erdhi humbja. Njeriu kur ka bërë një gabim, nga gabimi fiton, fillon e kupton se çfarë nuk shkon mirë. Edhe ne kemi qenë në opozitë, edhe ne kemi humbur beteja, por kemi analizuar se çfarë nuk shkoi mirë.

Ju nuk doni të analizoni, ju vazhdoni të tregoni gishtin tek një shkak që nuk ekziston dhe do të vazhdoni të mbeteni me të njëjtën psikozë. Prandaj bëheni qesharakë. E dyta, bëheni edhe problematikë, problematikë për vendin. Sepse një opozitë që marxhinalizohet në këtë mënyrë dhe vë gishtin vetëm tek budallallëku i popullit apo tek varfëria e popullit apo tek aftësitë magjike që paskan disa për të blerë popullin me drogë, kjo ju bën ju marxhinalë, ju nxjerr jashtë sistemit politik dhe kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë.

Ne i kemi shumë borxhe Dibrës dhe këtu po i drejtohem qytetarëve dibranë. Patjetër, jo gjithçka në qeverisjen tonë mund të ketë shkuar mirë edhe në Dibër dhe unë e kam konstatuar këtë. Por një gjë, dibranët na votuan sepse ata na panë si punëmbaruar. Ata panë tek ne që ditëm të zgjedhim njeriun e duhur, se politikat nuk i bëjnë fjalët mor zotëri, politikat i bëjnë njerëzit. Ata e dinë shumë mirë se kush është Flamur Noka e kush është tjetri. Jo se çfarë thua, po se çfarë bën. Njerëzit të peshojnë, dibranët e peshuan, kush është kandidati juaj, kush është kandidati mazhorancës. Zgjedhja e kandidatit mbi të gjitha është një reflektim, sepse gjetja e një kandidati të mirë është të respektosh një popull të tërë dhe i jep besim atyre që atë që thua edhe mund ta bësh. Sepse fjalë politike dëgjojnë shumë, po ata menduan që kjo qeveri e ka mundësinë edhe të korrigjohet, edhe të bëjë diçka më shumë. Prandaj, në mënyrë masive votuan. Këtu duhet parë diferenca prej 4 mijë votash. Qytetarëve dibranë, të gjithë ju kemi borxh dhe unë ju angazhohem edhe si Ministër, edhe si Qeveri, që ne do tu qëndrojmë pranë tyre.

Me ju dua ta mbyll me një thënie, mos kërkoni simbolika aty ku nuk ekziston. Më kujtohet një shprehje e Hemingueit kur thoshte, “nuk ka simbolizëm tek deti, deti është det, peshku është peshk, peshkaqeni është peshkaqen, burri i vjetër është burrë i vjetër, djali i ri është djalë i ri. Humbja është humbje, duhet pranuar dhe duhet analizuar”.

Faleminderit!

energjia.al  21.09.2016