Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Himarë, investim për energjinë e erës dhe diellit

Kompania “Sun&Wind Energy Corporation” aplikoi në Ministrinë e Energjetikës për ndërtimin e dy parqeve të prodhimit të energjisë nga era dhe dielli me vlerë totale 45 milionë euro në zonën e Pilurit në Bashkinë e Himarës.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës pohojnë se, aplikimi i kompanisë është duke u shqyrtuar bazuar në procedurat për investimet jokoncensionare ne energjetikë.

Nga të dhënat e aplikimit shihet se projekti i i parë ka të bëjë me ndërtimin e një parku ekolik në zonën në juglindore të zonës së Pilurit të Bashkisë së Himarës, respektivisht në tri parcela.

Parcela e parë është projektuar të shtrihet në një sipërfaqe 123.9 ha; parcela e dytë në një sipërfaqe 910.2 hektarë dhe parcela e tretë në 1034.1 hektarë.

Kapaciteti i instaluar do të jetë 30 MW dhe është parashikuar të implementohet në tri faza, të ndara sipas fuqisë. Faza e parë 6 MW (2018‐2022); faza e dytë 6 MW (2022‐2026) dhe faza e tretë 18 MW (2026‐2030).

“Sun&Wind Energy Corporation” parashikon një vlerë investimi rreth 27 milionë euro.

Projekti i dytë synon një park fotovoltaik (energji nga dielli) me kapacitet 15 MW dhe gjithashtu do të jetë i vendosur në  zonën e Pilurit në Bashkinë e Himarës.

Parku është parashikuar të vendoset në jugperëndim të zonës së Pilurit me një sipërfaqe 25 ha. Kapaciteti i instaluar do të jetë 15 MW dhe do të  implementohet në tri faza, të ndara sipas fuqisë: faza e parë 2 MW (2018‐2022); faza e dytë 5 MW (2022‐2026); faza e tretë 8 MW (2026‐2030).  Vlera e investimit në total parashikohet 18 milionë euro.

Që ky investim të realizohet duhet që fillimisht Komisioni i Vlerësimit të Aplikimit t’i paraqesë ministrit, brenda 45 ditëve nga marrja e aplikimit, një raport lidhur me miratimin ose refuzimin e aplikimit.

Më pas, ministri, në rast të një raporti pozitiv të Komisionit të Vlerësimit të Aplikimit, i lëshon aplikuesit një miratim paraprak për vazhdimin e procedurave për marrjen e së drejtës së ndërtimit.

Miratimi paraprak për vazhdimin e procedurave përmban periudhën kohore brenda së cilës aplikuesi duhet të përfundojë matjet ose studimet e tjera, lidhur me investimin

Aplikuesi, i pajisur me miratimin paraprak i paraqet Ministrisë, brenda periudhës kohore të përcaktuar, miratimin paraprak, me qëllim marrjen e miratimit përfundimtar.

Më pas Komisioni shqyrton, brenda 20 ditëve kalendarike, nga dita e paraqitjes, plotësinë dhe saktësinë e të gjitha dokumenteve të paraqitura nga aplikuesi dhe më pas ministri i dërgon Këshillit të Ministrave propozimin për miratimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese mbi 2 MW, të cilat nuk janë objekt koncesioni.

Revista Monitor,  30.08.2016