Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

E vërteta për naftën në Kosovë

Naftëtarët po i frikohen rregullimit të tregut. Shumica prej tyre, druhen se me ligjin e ri duhet t’ua vënë dryrin pompave të derivateve. Deponitë, cilësia dhe standard tjera të kualitetit, të kërkuara me ligj janë vetëm disa nga kushtet e reja që naftëtarët obligohen t’i zbatojnë.

Në fakt, ekspertë ligjor që kanë punuar në hartimin e këtij projektligji, i kanë thënë Gazetës Fjala se kriteri i deponive është vetëm njëri nga shumë kritere tjera që, në bazë të këtij projektligji, nuk i plotësojnë pothuajse shumica e pikave të shitjes së derivateve në Kosovë.

Aktualisht në Kosovë janë 12 operatorë të licencuar për tregti me shumicë të derivateve dhe në tërë vendin janë 575 pika të shitjeve të karburanteve.

Projektligji specifikon qartë sidomos çështjen e cilësisë se naftës, parasheh gjoba deri në 100 mijë euro për mashtrime me derivate dhe sidomos rregullon çështjen e ndërhyrjes se ministrisë në rastin e rregullimit të çmimeve në treg.

Megjithatë ligji ende nuk e ka marrë dritën jeshile nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Por, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, i ka thënë Gazetës Fjala se nuk do të dorëzohet përballë naftëtarëve të cilët po e kundërshtojnë.

“Projektligji nuk i është kthyer Qeverisë, për këtë arsye edhe nuk jemi marrë ende me këtë punë. Atë ditë në Kuvend nuk ka pas vota të mjaftueshme. Shumë prej naftëtarëve e mbështesin këtë projektligj”, thotë Bajrami.

Ajo mendon se është hartuar një ligj që më në fund e rregullon tregun e naftës në Kosovë.

“Për me tepër parasheh edhe beneficione siç është tek licencat dhe lehtësira në marrjen e tyre. Ne qëndrojmë prapa ligjit”, thotë Bajrami.

Problemi kryesor, krahas cilësisë, në tregun e naftës kanë qenë dallaveret e naftëtarëve me çmime. Sa herë çmimi i naftës ka rënë në bursat ndërkombëtare, e njëjta nuk ka ndodhur edhe në Kosovë, me arsyetimin se është treg i lirë.

Megjithatë më këtë projektligj i jepet mundësia ministri që të ndërhyjë me akt nënligjor për rregullimin e çmimeve kur dëmtohen konsumatorët.

“Çmimet e karburanteve përcaktohen nga konkurrenca e tregut të lirë. Megjithatë, për mbrojtje të konsumatorit, për mbrojtje nga konkurrenca e ulët, për të eliminuar çrregullimet në treg apo për arsye të tjera me interes shtetëror, Ministri, me akt nënligjor, mund të përcaktojë mënyrën e ndërhyrjes për të rregulluar çmimet maksimale të shitjes apo marzhën maksimale në tregtinë me shumicë dhe/ose me pakicë të karburanteve dhe të ndërmerr masa të tjera në pajtim me këtë ligj”, thuhet në Projektligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme.

Kriter tjetër në bazë të Projektligjit me tregtinë për naftën janë deponitë.

“Për shërbime të deponimit apo deponim të produktit për shitje, subjekti duhet të ketë deponinë në pronësi të tij ose subjekti mund të shfrytëzojë kapacitete deponuese me qira bazuar në kontrate me pronarin e deponisë në përputhje me kohëzgjatjen e lejes”, thuhet në projektligj.

Çështja e deponive ka qenë edhe kriteri kryesor që ka nxitur reagimet e Shoqatës se Naftëtarëve, shkruan Gazeta Fjala.

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve ka thënë se ky nen duhet të kthehet dhe të mos lidhet importi me deponi, pasi dëmton rëndë prodhuesit e vegjël.

Kriteri i cilësisë është një kriter tjetër që projektligji parasheh dispozita strikte. Pompat e benzinës janë të detyruara të garantojnë cilësinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme që i importojnë apo i vënë në tregun e Kosovës. Verifikimi i cilësisë do të bëhet përmes testimeve laboratorike.

Ajo që është risi me këtë projektligj është “shpeshtësia e verifikimit të cilësisë”.

“Shpeshtësia e verifikimit të cilësisë përmes testimit laboratorik me rastin e importit, në tregun e brendshëm, si dhe te shfrytëzuesit duhet të jetë proporcionale me: rrezikun e keqpërdorimeve të mundshme bazuar ne raportet e organeve kompetente mbi keqpërdorimet e dokumentuara nga monitorimi i vazhdueshëm; obligimet që i ka Kosova për zbatimin e direktivave europiane përkatëse”, konstaton projektligji, shkruan Gazeta Fjala.

Në bazë të projektligji pompat janë të detyruara të mbajnë ose ofrojnë për shitje produkte vetëm nga rezervuarët, pompat, pajisjet për qitje, dhe pajisjet tjera, të prodhuara për këtë qëllim.

Po ashtu, ato duhet të përmbajë emrin, markën tregtare, simbolin, mbishkrimin dhe karakteristika të tjera në përputhje me kërkesat e standardeve dhe kushtet teknike të përcaktuara nga dispozitat ligjore. Në këtë aspekt, sipas ekspertëve, nuk qëndrojnë mirë shumë nga pompat e benzinës në Kosovë.

Projektligji është mjaft i ashpër edhe sa i përket gjobave. Varësisht prej mashtrimeve gjobat sillen nga 3 mijë euro deri në 60 mijë euro.

Gazeta Fjala,  17.08.2016