Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studiuesit kërkojnë moratorium për HEC-et mbi Vjosë

Rreth 50 profesorë dhe studiues nënshkruan të mërkurën një kërkesë drejtuar Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj.

Të mbledhur në kuadër të konferencës shkencore “Vjosa: një mundësi e veçantë për Shkencën Lumore Europiane”, studiues shqiptarë, gjermanë dhe austriakë të fushave të ndryshme prezantuan kërkimet e tyre mbi biodiversitetin e luginës së Vjosës dhe bënë thirrje për mbrojtjen e zonës.

Ata kërkuan që autoritetet t’i japin kohë ekspertëve të bëjnë vlerësime të hollësishme mbi strukturën dhe dinamikën hidrologjike, sedimentologjike dhe ekologjike, si dhe që Shqipëria të angazhohet në programet rajonale të BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm.

Profesoresha Elda Marku nga Departamenti i Kimisë në Universitetin e Tiranës theksoi mungesën e studimeve të detajuara nga aspekti kimik për lumin Vjosë dhe bëri thirrje për më tepër hulumtime.

“Ndotja kimike në Vjosë nuk është e mundur të kuptohet në shkallë reale sepse të dhënat mungojnë. Një raport mbi cilësinë e lumenjve në Shqipëri në vitin 2014-2015 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e ka përfshirë Vjosën”, tha ajo në konferencë.

Studiuesit shqiptarë diskutuan mbi aspektet gjeografike, biologjike, ekologjike të lumit Vjosë ndërsa kolegët e tyre nga Universiteti i Vjenës dhe Berlini analizuan menaxhimin e lumenjve dhe ndanë përvojën e tyre në ruajtjen e ekosistemeve lumore.

Profesori Spase Shumka nga Departamenti i Shkencave Natyrore të Universitetit Bujqësor të Tiranës shprehu gjithashtu keqardhje për mungesën e studimeve mbi biodiversitetin e Vjosës.

“Vjosa ka një shumëllojshmëri speciesh, disa prej tyre mjaft të veçanta, të cilat do të zhduken nëse lejojmë shkatërrimin e lumit. Humbja e Vjosës nënkupton edhe humbje të parkut Bredhi i Hotovës, pasi ajo shërben si burim për gjallesat”, tha Shumka.

“Hidroenergjia është një nga pesë kërcënimet kryesore që i kanosen Vjosës. Nga kërkimet tona kemi vërejtur se 90 për qind e specieve po jetojnë nga 2 deri në 6 vjet, kjo është më pak se jetëgjatësia normale e tyre dhe vjen kryesisht prej HEC-eve”, përfundoi profesori.

Konferenca e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Shqipëri, Universiteti i Vjenës në Austri dhe Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të mbrojtur rrjedhën 270 kilometra të lumit Vjosë.

Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale përgjatë Vjosës janë pritur me protesta të shumta nga mjedisorët dhe janë cilësuar si metoda të vjetra për shfrytëzimin e lumenjve, të cilat vijnë prej mungesës së një masterplani të balancuar të prodhimit të energjisë në vend.

“Eksplorimet që bëjmë me studentët e biologjisë i përballin ata me një realitet të keqmenaxhimit të natyrës gjatë 60 viteve të fundit. Është detyra jonë të argumentojmë shkencërisht pasurinë e lumit Vjosë dhe arsyet për mbrojtjen e tij”, tha për BIRN Aleko Miho, profesor i botanikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe president i EcoAlbania.

“HEC-et bien ndesh me natyrën shqiptare pasi pothuajse në çdo përrua është ndërhyrë me kanal, digë apo tunel dhe kjo ka dëmtuar mjedisin. Vjosa është pikënisja e zhvillimit ekologjik të Shqipërisë sepse ka shumë biodiversitet dhe ekosistemi duhet të ruhet” përfundoi Miho.

Të njëjtin mendim ndan edhe një nga firmëtarët e parë të memorandumit të ruajtjes së Vjosës, Martin Pusch, shkencëtar pranë Institutit Leibniz të Ekologjisë së Ujit të Rrjedhshëm dhe Peshkimit në Brendësi në Berlin, që merret me menaxhimin e lumenjve.

“Ndërtimi i hidrocentraleve nuk është vetëm çështje e investitorëve privatë, pasi lumi është trashëgimi kombëtare dhe për këtë arsye fati i tij duhet të diskutohet gjerësisht në nivel kombëtar,” tha Pusch për BIRN.

“Vjosa, si lumi i fundit i egër në Europë, është një xhevahir që do të ishte një vlerë e shtuar që Shqipëria do të sillte në anëtarësimin e saj në BE, sepse ka vlerë të madhe shkencore. Ju keni gjithashtu mundësinë të bindni Bashkimin Europian për ndjekjen e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm”, shtoi ai.

Profesor Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës e cilësoi gjithashtu Vjosën si “një laborator natyror që mund të ofrojë të dhënat e nevojshme për kuptimin e proceseve të rinatyralizimit të lumenjve të tjerë të Europës”.

Reporter.al  08.06.2016