Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kunvendi i drejtohet ERE: Rekomandimet për 2016

Kuvendi i Shqipërisë, i ka dërguar Entit Rregullator të Energjisë, një sërë rekomandimesh, duke qenë rregullatori i vetëm dhe i pavarur për mbikëqyrjen e funksionimit të tregut të energjisë elektrike e të gazit natyror.

Kuvendi, krahas ruajtjes së ekuilibrit ndërmjet interesave të konsumatorëve, shtetit dhe sipërmarrësve në këtë sektor, i ka kërkuar ERE të trajtojë me seriozitet ankesat e konsumatorëve, sidomos sa i përket mbifaturimeve.

Një kërkesë tjetër që Kuvendi drejton, është se nga 1 korriku 2016 të mos lejojë më faturimin afrofe, por të monitorojë sakaq afatin përfundimtar të vendosjes së matësve të energjisë.

Krahas miratimit të ndryshimit të mundshëm të tarifave, Kuvendi i thotë ERE që të ketë parasysh edhe përballueshmërinë e konsumatorëve dhe transparencën. Sa i përket çmimeve, ERE duhet të miratojë sa më shpejt edhe metodologjinë e përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike për prodhuesit e energjisë nga hidrocentralet, rekomandon Kuvendi, në projekt-rezolutën e dërguar së fundmi, që është ende në procedurë.

Më poshtë, rekomandimet e plota për vitin 2016 :

– Në veprimtarinë e tij ERE të ketë vazhdimisht në vëmendje zbatimin e masave efektive për mbrojtjen e klientëve (konsumatorëve) të energjisë elektrike, për të pasur tarifa dhe çmime që reflektojnë kostot e drejta dhe të argumentuara për një shërbim të energjisë elektrike të pandërprerë dhe brenda standardeve te cilësisë së furnizimit.

– Të vijojë të trajtojë me seriozitet ankesat e konsumatorëve, veçanërisht të ankesave me objekt “energjinë e pamatur” “mbi faturimin” dhe “faturimin aforfe”, duke kërkuar njëkohësisht një përgjegjshmëri më të lartë nga OSHEE lidhur me faturimin e saktë të konsumatorëve.

– Të monitorojë rigorozisht afatin përfundimtar të vendosjes së matësve të energjisë për të mos lejuar faturim aforfe pas 6 mujorit të parë të vitit 2016.

– Të vijojë punën për hartimin e akteve nënligjore të nevojshme në kuadër të ligjit nr.43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, duke mbajtur parasysh që këto akte të jenë në përputhje me Paketën e Tretë të Bashkimit Europian në fushën e energjisë për të bërë të mundur krijimin e një tregu konkurrues, efiçent që rrit sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike në vend dhe e integron atë në tregun rajonal.

– Të vijojë punën për hartimin e akteve nënligjore të nevojshme në kuadër të ligjit nr.102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, duke mbajtur parasysh që këto akte të jenë në përputhje me Paketën e Tretë të Bashkimit Europian ne fushën e energjisë.

– Në kuadër të miratimit të tarifave dhe çmimeve të energjisë elektrike të mbajë parasysh nga njëra anë mbrojtjen e konsumatorit, përballueshmërinë dhe rritjen e transparencës ndaj tij dhe nga ana tjetër përmirësimin e treguesve, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe performancës së kompanisë;

– Të bashkëpunojë ngushtësisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të bërë të mundur sa më parë hartimin e legjislacionit për performancën e energjisë në ndërtesa dhe për burimet e energjisë së rinovueshme.

– Në kuadër të zhvillimeve bashkëkohore të sektorit të energjisë elektrike dhe të gazit natyror të marrë masat e nevojshme për shtimin e kapaciteteve, si dhe forcimin e profesionalizmit dhe të pavarësisë operacionale të entit.

– Të vijojë konsultimin dhe bashkëpunimin me Komunitetin e Energjisë lidhur me çështje që kanë të bëjnë me kuadrin rregullator në sektorin e energjisë si dhe për çështje të tjera të rëndësishme të këtij sektori.

– Të vijojë monitorimin e OSHEE në mënyrë të veçante në lidhje me transparencën në Tregun e Energjisë Elektrike si dhe realizimin e planit të investimeve si dhe të kërkojë nga KESH, OST dhe OSHEE përgjegjshmëri ne planifikimin e investimeve.

– Të monitorojë ecurinë e treguesve të humbjeve dhe arkëtimeve të OSHEE, për të bërë të mundur një vazhdimësi të përmirësimeve të arritura të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e kompanisë, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe shlyerjen e pagesave ndaj palëve të treta.

– Të vijojë kontributin e tij në projektin e “Master Planit të Gazit Natyror për Shqipërinë dhe Identifikimi i Projekteve Prioritare në Fushën e Gazit Natyror” si një projekt me rëndësi në sektorin e gazit natyror.

– Në kuadër të aplikimit të Paketës së Tretë të Energjisë të bashkëpunojë me të gjithë aktorët për krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Gazit në vendin tonë i cili më tej duhet të certifikohet nga ERE.

– Në kuadër të projektit TAP, si një projekt me rëndësi kombëtare, të vijojë bashkëpunimin me të gjithë institucionet brenda dhe jashtë vendit.

– Të marrë masat e nevojshme për miratimin e “Metodologjisë se përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike për prodhuesit e energjisë nga hidrocentralet”.

– Të vijojë bashkëpunimin e tij me institucione veprimtaria e të cilave është e lidhur dhe ndikon në çështje që lidhen me energjinë, në veçanti me Autoritetin e Konkurrencës, në drejtim të mbikëqyrjes së tregut për mbrojtjen e konsumatorit si dhe sjelljeve apo veprimeve të mundshme antikonkurruese të pjesëmarrësve të tij.

– Të bashkëpunojë me gjithë aktorët për krijimin e kushteve të nevojshme dhe nxitjen e investimeve për instalimin e paneleve fotovoltaike si nga individët ashtu edhe nga bizneset, si dhe të luaj një rol proaktiv në nxitjen dhe promovimin e këtyre iniciativave.

Revista Monitor,  03.06.2016