Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria i bllokon Taçit 600 mijë euro

Hetimet e nisura nga njësia Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës, për pastrim parash ndaj Gjergj Bojaxhiut, kanë zbuluar një sasi lekësh, që ishte depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri të cilat rezultojnë të rregjistruara në emër të djalit 9-vjeçar të ish-manjatit të naftës Rezart Taçi. Sasia prej 600 mijë euro tashmë është sekuestruar me vendim të prokurorisë, pas regjistrimit të procedimit penal ndaj kompanisë “Everes Oil” të Gjergj Bojaxhiut, pasi dyshohet se kjo kompani ka bashkëpunuar ngushtësisht me kompanian “ARMO”, kompani kjo ish-pronë e Rezart Taçit. Burime pranë prokurorisë së Tiranës thanë se depozita ishte hapur në vitin 2013 dhe se fillimisht janë mbyllur 1 milion euro. Thuajse për tre vite kjo depozitë nuk është prekur.

Tërheqja nga gruaja
Pak ditë më parë ka qenë gruaja e Rezart Taçit,(i cili tashmë ndodhet i izoluar në paraburgimin e Gjenevës, pasi autoritet e Drejtësisë Zvicerane kanë nisur një hetim kundër tij), që ka tërhequr një sasi prej 400 mijë euro me qëllim zerimin e kësaj llogarie bankare. Por menjëherë pas ndërhyrjeve në këtë llogari nga ana e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave është vënë në dijeni prokuroria e Tiranës, e cila më pas ka urdhëruar që të vendoset një sekuestro prenventive ndaj sasisë prej 600 mijë euro të mbetura në llogari. Në kallëzimin që policia e Shtetit ka dorëzuar në prokurori, krahas kompanisë së Bojaxhiut janë denoncuar edhe disa kompania të mëdha të hidrokarbureve, mes tyre edhe ARMO ish-kompania në administrim nga Rezart Taçi.

Arrestimi i Taçit
Prej fillimit të nëntorit 2015 mësohet se ish-manjati i naftës në Shqipëri është arrestuar në Zvicër. Gazeta “Shqiptarja.com” ka qenë e parë që në dhjetor të 2015 ka raportuar për hetimet që Zvicra po kryentë kundër Rezart Taçit dhe arrestimin e tij në këtë shtet. Ish-manjati naftës në Shqipëri Rezart Taçi që u shpëtoi thuajse të gjitha çështjeve penale në Tiranë, po përballet me një hetim intensiv nga Prokuroria Publike e Kantonit të Gjenevës në Zvicër. Bëhet fjalë për një hetim të nisur që prej vitit 2014 nga kjo prokurori pasi dy kompani të huaja si ajo Panameze “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze “Trafigura Beheer Bv” kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër kundër biznesmenit shqiptar të naftës Rezart Taçi. Kallëzimi është bërë për tre akuza si ajo e “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”. Nga të dhënat që ka siguruar në dhjetor të 2015 gazeta “Shqiptarja.com” mësohet se biznesmeni shqiptar Taçi,ka pasur marrëveshje tregtare që prej vitit 2009 me dy kompanitë e lartpërmendura, marrëveshje këto që sipas autoriteteve Zvicerane kanë sjellë dëme ekonomike në miliona euro ndaj dy kompanive kallëzuese, të cilat kanë si aktivitet tregtar energjinë dhe naftën. Rezulton se prokuroria e Gjenevës në datën 5 maj 2014, ka dërguar në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme një letërporosi, duke kërkuar ndihmë nga homologët Shqiptarë, pasi një pjesë e veprimtarisë kriminale dyshohet se Taçi e ka kryer në vendin e tij, Shqipëri.

I pandehur
Taçi është i pandehur në Gjykatën e Tiranës për mos pagim taksash e tatimesh ndërsa një ditë më parë ai nëpërmjet avokatëve të tij kërkoi gjykim të shkurtuar, çka në rast të një dënimi do t’i mundësonte atij faljen e 1/3 së dënimit.

Prej vitit 2013
Në këtë llogari prej vitit 2013 ishin depozituar 1 milion euro por tërheqjet e kryera në ditë të ndryshme gjatë muajit prill kanë ngritur dyshime se këto para po largoheshin nga banka për t’i shpëtuar konfiskimit.

Shqiptarja.com  11.05.2016