Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova importon 3% naftë nga Serbia

Autoritetet e Kosovës kanë rikonfirmuar se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për transportin e naftës dhe gazit do të vazhdojë, derisa kjo e fundit të pranojë certifikatat (të njohura si ADR), që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.

Qeveria e Kosovës vendimin për masë reciprociteti ndaj Serbisë në këto produkte e kishte marrë më 21 mars të këtij viti. Ky vendim erdhi, pasi që autoritetet e Serbisë fillimisht, kishin refuzuar të njohin certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje të hënën janë zhvilluar bisedime në Vjenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por që kanë përfunduar pa rezultate.

Megjithatë, nga Dogana e Kosovës bëhet e ditur se bllokada që Kosova i ka vënë transportuesve të naftës nga Serbia nuk ndikon shumë, dhe është lehtë e zëvendësueshme

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se importi i këtyre produkteve nga Serbia nuk është i lartë.

“Nëse merret viti 2015, gjithë importi i naftës nga Serbia ka qenë 9 milionë litra, kjo mund të duket shumë, por kur kihet parasysh që importi i naftës në tërësi në Kosovë e kalon 500 milionë litra vjetore, atëherë importi nga Serbia është 3 për qind, dhe nuk është e vështirë të zëvendësohet”, shton Stavileci.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në vitin 2015 Kosova, nga Serbia kishte importuar derivate të naftës dhe gazit në vlerë prej rreth 27 milionë euro.

Derivate të naftës dhe gazit, Kosova kishte importuar edhe nga Shqipëria në vlerë prej 28 milionë euro dhe nga Maqedoni në vlerë për 14 milionë euro, në vitin 2015.

Derivate të naftës Kosova importon edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

InfoPress,  06.04.2016