Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koka dhe Devoll Hydropower mbjellin pemë

Ministri i Mjedisit Z. Lefter Koka dhe Drejtori i Projektit Hidroenergjetik te Devollit, Z. Ola By mbollën pemë në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në Gramsh.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të programit të ripyllëzimit që kompania ka në projektet e saj, bazuar në detyrimet ligjore të Marrëveshjes së Koncesionit dhe Ligjit për Shpyllëzimin dhe Ripyllëzimin e pyjeve të prekura nga projekti (Ligji 10083, Ligji 4/2013). Projekti Hidroenergjetik i Devollit është një investim i kompanisë norvegjeze Statkraft.

Ministri Koka shprehu rëndësinë që merr festimi i Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve në nivel global, ku fokusi i çdo insitucioni në të gjitha nivelet është në mesazhin që kjo ditë përcjell për të rritur ndërgjegjësimin e publikut në komunitete dhe aktorë në lidhje me vlerat, rëndësinë dhe kontributin e pyjeve për të balancuar ciklin e jetës në tokë.

Ministri i Mjedisit shprehu kënaqësinë që në vendin tonë operojnë kompani të nivelit të Statkraft të cilat aplikojnë standarde në nivelet më të larta evropiane dhe kanë në fokus të misionit të tyre zbutjen në ndikimet mjedisore dhe sociale të projektit dhe për të nxitur mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm në zonë.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve gjetëm momentin për të qenë pikërisht këtu në Gramsh në njërin nga aktivitetet ku koncepti “zhvillim i qëndrueshëm” është pikërisht në punën e bërë nga kjo kompani e cila ka një marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit. Do të thoja që është ndër të paktat kompani e cila po respekton në mënyrën më dinjitoze dhe të moralshme për të ruajtur pikërisht ato ekuilibra të natyrës për të cilat besoj të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që është  domosdoshmëri që toka të jetë e mbuluar sepse ndihmon në shumë elementë të saj, është një habitat i qëndrueshëm për shumë kafshë dhe shpendë e njëherësh ndihmon shumë në eliminimin e erozionit.”- theksoi Ministri Koka.

“Ne jemi shumë të kënaqur që Ministri Koka ka vizituar zonën tonë të projektit. Ripyllëzimi që po bëjmë është në të mirë të njerëzve që punojnë rreth projektit, në të mirë të projektit, por patjetër edhe në të mirë të qeverisë shqiptare dhe të gjithë Shqipërisë” – tha  z. By.

Programi i kompanisë për rigjenerimin e fondit pyjor do të ripyllëzojë sipërfaqet e shpyllëzuara në Qarqet e Elbasanit dhe Korçës që janë prekur nga Projekti Hidroenergjetik i Devollit nga ndërtimi i Hidrocentralit të Banjës dhe Hidrocentralit të Moglicës ku në total deri në fund të vitit 2017 do të mbillen 795 ha pyje të reja nga të cilat 20 ha janë mbjellë deri tani.

Për herë të parë në këto 2 vite, qeveria shqiptare  detyroi subjektet që operojnë mbi fondin pyjor (HEC-e, Miniera, karriera guri etj) që  të zbatojnë ligjin për rehabilitimin e sipërfaqeve të marra në përdorim për shfrytëzim. Shumë prej kompanive lidhën me Ministrinë e Mjedisit  marrëveshje, që të jenë edhe ata kontribues të asaj çfarë kanë dëmtuar, gjë që para 2013-ës nuk njihej si detyrim prej tyre.

energjia.al  21.03.2016