Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE rishikon çmimin për HEC-et e vogla

Tarifa fikse e energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve të vegjël të energjisë nga KESH për vitin 2016, do të jetë 7.448 lekë/kwh. Vitin që shkoi kjo tarifë ishte  7.636 lekë për kilovatorë.

Ulja me 0.2% e tarifës që KESH do të paguajë ndaj HEC-ve koncesionare për këtë vit vjen për shkak të një metodologjie të re që kishte miratuar më parë Këshilli i Ministrave.

Enti Rregullator i Energjisë  bëri të ditur se diferencat që mund të rezultojnë ndërmjet çmimit të miratuar për vitin 2016 dhe çmimit të miratuar për periudhën e ndërmjetme me vendimin e Bordit të ERE-s nr. 156, datë 24.12.2015, do të sistemohen nëpërmjet korrigjimit të faturimeve përkatëse.

Ky vendim ka fuqi prapavepruese pasi i shtrin efektet që nga data 1 janar e këtij viti.

Lorenc Gordani, Drejtor Juridik i Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme (AREA) tha se, Këshilli i Ministrave, për vitin 2015 nxori një VKM, e cila përcaktonte metodologjinë e përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë bazuar në bursën e Hungarisë HUPX, duke mos respektuar formulën e nxjerrjes së çmimit të energjisë për HEC-et e vogla përcaktuar në Ligjin nr. 138/2013 dhe që është në fuqi.

Referenca tek bursa e Hungarisë për çmimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri kur dhe vetë Hungaria për energjinë e saj të rinovueshme nuk bën referencë te bursa e saj, e cila mbledh brenda të gjitha llojet e energjive, tregon një vendim jo me qëllim stimulues në sektor, por paralizues.

“Nga sa përshkruar më lart kuptohet që rreziku ynë është shumë i madh sepse këtu nuk është i qartë ende se cili do të jetë çmimi i blerjes së energjisë dhe fryma e cila i rrethon institucionet tona vendimmarrëse është përqendruar tek ulja e marzhit të fitimit të këtyre HEC-eve (deri dhe çuarje në faliment)” tha ai. Asnjë nga institucionet vendimmarrëse si Ministria, ERE etj., nuk duan ta kuptojnë që këto HEC-e janë ndërtuar nga ne dhe janë pronë e përbashkët privat-shtet dhe ne si investitorë e kemi të drejtë t’i shfrytëzojmë për një afat të përcaktuar dhe më pas t’ia dorëzojmë shtetit.

Vendimet e mara nga Këshilli i Ministrave dhe nga ERE janë në kundërshtim me Ligjin nr. 138/2013 dhe çfarë është më e keqja është se penalizojnë investimet në vend mbi rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe favorizojmë importin. Në këtë situatë, ne e shikojmë zgjidhjen e problemeve tona te drejtësia dhe te shteti i së drejtës i cili respekton kontratat dhe marrëveshjet midis palëve, tha Gordani.

Revista Monitor,  05.03.2016