Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritja e një metali të çmuar

Si pasojë e rritjes së kërkesës për bateri të rikarikueshme, kompanitë po “luftojnë” për litium

SQM, prodhuesi më i madh i litiumit të Kilit, është lloji i kompanisë që ju mund të gjeni në një thriller të spiunazhit industrial. Selitë e saj në qarkun ushtarak të Santiagos nuk mbajnë asnjë emër, shkruan The Economist. Njeriu i cili e ka drejtuar prej vitesh këtë biznes, Julio Ponce, është ish-dhëndri i diktatorit të fundit, Augusto Pinochet. Ai u largua si kryetar në vitin 2015, gjatë një hetimi në SQM për evazion fiskal. (Kompania po bashkëpunon me hetimin.)

Muajin e kaluar u zbulua se CITIC, një firmë kineze që kontrollohet nga shteti, mund të japë ofertë për një pjesë të aksioneve të z. Ponce në SQM, si pjesë e strategjisë së Kinës për të siguruar furnizime për një material jetik.

Fokusi i interesit të CITIC duket se synon shkretëtirën e ‘kripur’ Atacama të Kilit. Kjo është një depozitë me ‘shëllirë’ (solucion kripe në ujë), që përmban rreth një të pestën e burimeve të njohura për litium në botë. (Edhe më shumë ka në Bolivinë fqinje, por ato janë kryesisht të pashfrytëzuara)

Vetëm disa javë më parë, CITIC bleu aksione në prodhuesin e mekanizmave elektrikë në Hong Kong që përdor bateri me jone litiumi, duke treguar rritjen e interesit në teknologjitë që përdorin energji të pastër.

Në objektet SQM ‘shëllira’ pompohet nga një rezervuar nëntokësor në qindra ‘pellgje’. Pasi avullohet, ajo kthehet në hije blu dhe të gjelbër, duke bërë që fabrika t’i ngjajë paletit të një artisti gjigant.

Ajo prodhon kryesisht komponime kaliumi, por edhe një lëng të trashë, klorid litiumi. Kjo transportohet me cisternë në fabrikën pranë bregut ku kthehet në pluhur të imët karbonat litiumi dhe hidroksidi, që më pas shpërndahet në mbarë botën.

Ky nuk është ndonjë biznes i madh: litiumi llogaritet për vetëm rreth 5% të materialeve në disa bateri makinash, dhe për më pak se 10% të kostos së tyre. Shitjet e litiumit në mbarë botën përbëjnë vetëm rreth 1 miliard dollarë në vit. Por elementi është një komponent i rëndësishëm për bateritë që mbajnë çdo gjë që nga makinat e deri tek smartphones, laptopë dhe veglat e forcës. Me rritjen e kërkesës së një ruajtësi të tillë të energjisë me densitet të lartë teksa automjetet po bëhen të ‘gjelbër’ dhe energjia elektrike më e pastër, banka e investimeve, Goldman Sachs, e quan litiumin “benzinën e re”.

SQM është pjesë e një “përleshjeje” globale për të siguruar furnizimet me litium nga prodhuesit më të mëdhenj të baterive në botë, dhe nga përdoruesit finalë, si prodhuesit e makinave. Kjo gjë e ka kthyer atë në mallin “më të nxehtë” në botë. Çmimi i karbonatit të litiumit me pastërti 99% importuar në Kinë është më shumë se dyfishuar në dy muaj, deri në fund të dhjetorit, në 13,000 dollarë për ton.

Rritja reflekton kryesisht shqetësimet në lidhje me likuiditetin e ardhshëm të tregut të këmbimit të mallrave të Kinës, e cila siguron shumë litium nga shkëmbi ‘spodumene’ (minerali shkëmbor që është burim i litiumit) në Australi, një alternativë për “shëllirën” e Amerikës së Jugut. Albermarle, një minierë amerikane, dhe Tianqi, partneri kinez i saj në sipërmarrjen e përbashkët, planifikojnë të përdorin ‘spodumene’ nga një minierë e madhe australiane për të përpunuar më shumë bateri me karbonat litiumi dhe hidroksid. Kjo do të thotë më pak mineral në dispozicion në tregun e këmbimit të mallrave në Kinë.

Industria është shumë e koncentruar, gjë që intensifikon shqetësimet. Vitin e kaluar Albermarle, prodhuesi më i madh në botë i litiumit, bleu Rockwood, pronar i depozitës së dytë më të madhe të litiumit të Kilit. Ai dhe tre kompani të tjera – SQM, FMC e Amerikës dhe Tianqi – llogariten për shumicën e furnizimit botëror të kripërave të litiumit, sipas bankës Citigroup.

Për më tepër, pritet një projekt i madh për litiumin në Argjentinë, drejtuar nga një ndërmarrje e përbashkët e Orocobre, minierë australiane, dhe Toyota, prodhuesi më i madh i automjeteve të Japonisë. Sikur toka të përmbajë shumë litium, nxjerrja e tij mund të jetë e kushtueshme në para dhe kohë, kështu që çmime më të larta nuk mund të stimulojnë automatikisht rritje në furnizim.

Kërkesa është gjithashtu në rritje. Aktualisht, prodhuesit kryesorë të baterive me jone litiumi janë Samsung dhe LG i Koresë së Jugut, Panasonic dhe Sony i Japonisë, dhe ATL i Hong Kongut. Por Kina gjithashtu ka shumë prodhues të baterive. Adam Collins i Liberum, një tjetër bankë investimesh, flet për një ‘pikë ndryshimi’ të kërkesës kineze për kripërat e litiumit. Qeveria e saj po rrit promovimin e baterive me jone litiumi dhe automjeteve elektrike, me theksin më të madh tek autobusët.

Shitjet e automjeteve me “energji të re” në Kinë janë pothuajse trefishuar në dhjetë muajt e 2015-s krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2014, në 171,000 (edhe pse ato mbeten më pak se 1% e shitjeve totale automjeteve).

Tesla Motors, prodhues amerikan i makinave elektrike themeluar nga Elon Musk, një manjat i teknologjisë, është gjithashtu “në xhiro”. Ajo po përgatitet që këtë vit të fillojë prodhimin në Gigafactory e saj në Nevada, që shpreson se do të furnizojë bateri me jone litiumi për 500,000 makina në vit brenda pesë vjetëve.

J.B. Straubel, kryetekniku i Teslës, thotë se firma dëshiron të sigurojë furnizime për shumë material të baterive, jo vetëm litium. “Ka kaq shumë reklamë në treg për litiumin tani … njerëzit e shikojnë atë si element magjik”, thotë ai. Megjithatë, në gusht Bacanora, një firmë kanadeze, tha se kishte nënshkruar një marrëveshje të kushtëzuar për të furnizuar Teslën me hidroksid litiumi nga një minierë që ajo planifikon për ta zhvilluar në veri të Meksikës. Aksionet e Bacanora kërcyen pas lajmit – edhe pse analistët vunë në dukje se dorëzimet e pluhurit të bardhë përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara kërkojnë një kujdes të veçantë.

Prodhuesit më të mëdhenj të makinave kanë gjithashtu oreks e më të madh për litium. Në një lëvizje të kohëve të fundit, Toyota ka filluar të ofrojë bateri me jone litiumi në vend të atyre më të rënda me metal nikeli në hibridin e saj Prius. Z. Collins vëren se standardet më të ashpra të emetimeve në Europë dhe Amerikë ka të ngjarë të rrisin nevojën e prodhuesve të makinave për litium.

Një tjetër burim i madh kërkese mund të jetë ruajtja e energjisë elektrike.

Objektivi për energji të rinovueshme është bateria e lirë dhe me kapacitet të mjaftueshëm për të kapërcyer çrregullimin e energjisë diellore dhe të erës -për shembull, për të ruajtur energji të mjaftueshme nga panelet diellore për të mbajtur gjithë natën dritat ndezur. Tesla thotë se muajin e ardhshëm do të fillojë instalimin e paketave të baterive ‘Powerwall’ në shtëpitë amerikane dhe australiane me qëllim ruajtjen e energjisë diellore, me një kosto prej 3,000 dollarë. Enel, firma italiane e shërbimeve, ka lançuar produkte të ngjashme magazinimi këtë viti në Afrikën e Jugut, ku shtëpitë dhe bizneset vuajnë nga ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Ndërmarrjet energjetike do të përdorin gjithnjë e më shumë paketa gjigante të baterive, duke i karikuar ato në periudha me kërkesë të ulët për energji dhe duke i shfrytëzuar për të siguruar ‘shpërthime’ të shkurtra të energjisë elektrike në periudha piku, alternativë ndaj ndërtimit të një centrali karburanti që përdor fosile që pjesën tjetër të kohës nuk do të shërbejë për asgjë. AES Energy Storage, një sigurues i madh për ruajtjen e energjisë, në 2014 fitoi kontratën për të siguruar një “peaker plant” (central energjetik që përdoren zakonisht vetëm në periudha me kërkesë të lartë për energji) në jug të Kalifornisë që do të sigurojë deri në 100 megavat energji në rrjet në momente kur kërkesa është maksimale.

Në dhjetor, firma ra dakord të blejë, gjatë disa viteve, një sasi të mjaftueshme baterish me jone litiumi nga LG për të siguruar dhjetë herë këtë nivel të pikut energjetik – domethënë, 1 gigavat, ose më shumë se prodhimi i një stacioni energjetik me qymyr në madhësi tipike. “Ne po hibridizojmë rrjetin e energjisë”, thotë John Zahurancik, shefi i saj.

Megjithatë teknologjia me jone litiumi ka prodhuar shumë dyshime. Në një raport botuar muajin e kaluar nga kërkuesit e lidhur me laboratorin Argonne National Laboratory në Çikago thuhej se bateritë me përdorim të gjerë duhet të ofrojnë një gamë prej qindra miljesh të jenë të rikarikueshme për disa minuta në vend të disa orëve, dhe të sigurojnë energji me kosto të krahasueshme me gazin natyror.

Këto kërkesa janë “të parealizueshme” për teknologjinë e litiumit, argumentuan ata. Megjithatë z. Straubel i Tesla parashikon të paktën që performanca e këtyre baterive do të dyfishohet dhe mendon se litiumi do të vazhdojë të formësojë baterinë e së ardhmes.

Energjia e këtyre baterive mund të shihet në centralin Angamos në bregdetin verior të Kilit.

Ai përdor 1 milion “qeliza” bateri të gjelbër në dhjetë kontejnerë anijesh për të rregulluar rrjetin elektrik në të gjithë rajonin e Atacama në periudhat e pikut të kërkesës, përfshirë edhe operacionet e minierave me litium qindra milje larg nëpër shkretëtirë. Për litiumin që përdor termocentrali, ky është një kthim në shtëpi.

Revista Monitor, 31.01.2016