Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2016: Nafta midis 20 dhe 65 USD/fuçi

Ndërsa çmimet e naftës vijojnë me më shumë se 40% rënie që nga qershori i kaluar dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka reduktuar parashikimin e rritjes botërore, ka shumë nga ata që pyesin se si do të jenë çmimet e naftës për vitin 2016. Ndërsa parashikimet për naftë në 20.00 dollarë për fuçi duken pak si shumë pesimiste, kthimi i çmimeve të saj në 100.00 dollarë për fuçi në vitin 2016 mund të jetë pak si shumë optimist. Kur bëhet fjalë për parashikim të çmimit në vitin 2016, 65.00 dollarë mund të jetë shifra e re që zëvendëson 85.00 dollarët.

Çmimet e naftës ‘i nënshtrohen’ OPEC-ut?

Pasi arritën 107 dollarë për fuçi në qershor të vitit 2014, çmimet e naftës filluan të bien si pasojë e rritjes së inventarëve dhe perspektivës së dobët të ekonomisë globale.

Në fillim të nëntorit të vitit 2014, çmimet e naftës ranë 20% në rreth 80.00 dollarë për fuçi.

Atëherë gjërat morën me të vërtetë shumë keq. Në fund të nëntorit, Arabia Saudite refuzoi të reduktojë prodhimin e naftës së OPEC. Në atë kohë, sauditët vunë në dukje në mënyrë altruiste se nuk kishte nevojë për të reduktuar furnizimin. Bota kishte nevojë për naftë dhe ata po e ndihmonin ta siguronte atë.

Gjatë muajve që pasuan, çmimet e naftës ranë në rreth 43.00 dollarë për fuçi në janar të vitit 2015 dhe 42.00 dollarë për fuçi në mars, për të rënë nën 40 dollarë në gjysmëne dytë të vitit. Në fillim të janarit 2016 çmimet e naftës arritën nivelin e tyre më të ulët në 11 vjet, në rreth 35 dollarë për fuçi, pasi konflikti mes Arabisë Saudite dhe Iranit mendohet se po e bën edhe më të pamundur arritjen e bashkëpunimit ndërmjet eksportuesve kryesore për të reduktuar prodhimin.

Pavarësisht një bote të ‘dyndur’ në naftë, refuzimi i OPEC-ut për të reduktuar prodhimin perceptohet gjerësisht si një përpjekje për të dëmtuar pjesën e industrisë së SHBA–së dhe për të mbështetur pjesën e vet të tregut. Duke ruajtur ritmet e prodhimit të naftës, OPEC (kryesisht Arabia Saudite), shpreson të nxjerrë nga prodhuesit me kosto të lartë.

Kjo, pasi Arabia Saudite është anëtari i OPEC-ut që ka paratë e mjaftueshme për të pritur çmimet e ulëta të naftës. Vendet anëtare si Irani, Iraku, Venezuela dhe Nigeria po ‘luten’ për reduktime të prodhimit të naftës për të rritur çmimet. Por kush do të përballet me Arabinë Saudite?

E vërteta është që përveç naftës, Arabia Saudite dhe anëtarë të tjerë të OPEC-ut nuk kanë realisht ndonjë gjë të madhe për t’i ofruar botës. Dhe kështu iu duhet të ruajnë pozitën e tyre. Mes viteve 2007 dhe 2015, pjesa globale e OPEC ra nga 37% në 31%. Në të njëjtën periudhë, kërkesa globale për naftë u rrit aktualisht me 6.6 milionë fuçi në ditë.

FMN: Nafta në 20 dollarë për fuçi në 2016-n

Ditët që do të vijnë ka të ngjarë të jenë më të vështira se sa është parashikuar teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se çmimet e naftës së papërpunuar mund të bien në gati 20 dollarë për fuçi në vitin 2016.

Pas publikimit të raportit të Bordit Ekzekutiv të FMN për Nenin IV në konsultimet me Iranin, ky organ theksoi se çmimi i naftës së papërpunuar mund të bjerë mes 5 dhe 15 dollarë në vitin 2016.

Sipas FMN-së, çmimet e ulëta të naftës nuk do të ndikojnë haptazi negativisht mbi Iranin, Produkti i Brendshëm Bruto i të cilit pritet të rritet 4 nga 5.5% deri në vitin 2017.

“Perspektivat për 2016-‘17 janë të mira, për shkak të eliminimit të sanksioneve ekonomike. Prodhimi më i lartë i naftës, kostot më të ulëta për tregti dhe transaksionet financiare, si dhe ‘rikthimi’ i qasjes ndaj aktiveve të huaja, pritet të rrisin PBB-në reale në rreth 4-5.5% vitin e ardhshëm”, tha FMN.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Nigerinë, buxheti i së cilës për 2016-n vlerësohet sipas çmimit të naftës prej 38 dollarë për fuçi për vitin fiskal 2016.

Ky qëndron kundër parashikimeve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) se çmimet globale të naftës së papërpunuar në nivel të ulët 7-vjeçar nuk do të vazhdojnë të bien, pasi ajo ka të ngjarë që së shpejti t’i drejtohet rritjes.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, Abdullah al-Badri, e bëri këtë zbulim në dialogun e parë të OPEC-India Energy në Nju Delhi.

Vlen të përmendet se çmimet e naftës kanë rënë me rreth dy të tretat që nga mesi i vitit 2014, me treguesin referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent që të hënën e fundit të vitit ra në nivelin më të ulët që nga viti 2004 në vetëm pak mbi 36 dollarë për fuçi.

Sipas tij, “unë kam qenë në biznesin e naftës gjatë gjithë jetës sime. Kam parë gjashtë cikle – kam parë një çmim shumë të lartë, kam parë një çmim të ulët dhe ky është një prej tyre. Kjo nuk do të vazhdojë”.

Kërkesë-oferta

Nafta ka rënë nga shifra mbi 115 dollarë në qershor të 2014-ës teksa shisti argjilor i Shteteve të Bashkuara ka ‘përmbytur’ tregun, ndërsa çmimet në rënie kanë nxitur disa prodhues të hedhin edhe më shumë naftë në treg me qëllim që të kompensojnë të ardhurat më të ulëta si dhe të ruajnë pjesën e tregut.

Përvec mbi-ofertës ekzistuese, eksportet e naftës iraniane priten gjerësisht të rriten në vitin 2016 teksa ka të ngjarë të eleminohen sanksionet perëndimore ndaj Teheranit për programin e dyshuar të armëve bërthamore.

Prodhimi i shistit dhe rritja e kapacitetit nga vende si Rusia, të cilët kanë nevojë të mbrojnë të ardhurat kombinuar me pritshmëritë e intensifikimit të furnizimit nga Irani nënkuptojnë rritje të prodhimit aktual, si dhe pritshmërive të prodhimit të ardhshëm.

Revista Monitor,  16.01.2016