Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria e Tiranës merr të pandehur Taçin

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar pas 50 muajsh hetimet për biznesmenin Rezart Taçi, duke e akuzuar për evazion fiskal, mospagim takash dhe tatimeve. Policia e Shtetit e denoncoi në muajin tetor të vitit 2013, pasi dyshohej se nuk kishte paguar 15 milionë euro detyrime ndaj shtetit, në formën e taksave apo tatimeve. Burime nga akuza qendrore pohojnë për “Shqip” se kanë gjetur elemente të shumta penale për disa veprime të dyshimta të familjes Taçi, gjatë kohës që drejtonin shoqërinë ARMO. Burime nga njësia Task Forcë pohojnë se kanë tentuar të thërrasin në prokurori Rezart Taçin, por ai nuk është gjetur në banesë. Nga ana tjetër, avokatët e familjes kanë marrë aktet hetimore dhe kanë pohuar se kundërshtimet do t’i bëjnë në gjykatë.

Dosja “Taçi”

Hetimet për këtë çështje kanë qenë voluminoze, për shkak se prokuroria ka bërë disa akte ekspertimi dhe është dashur kryerja e veprimeve të shumta financiare. Burime nga akuza e kryeqytetit dyshojnë se biznesmeni Rezart Taçi, me cilësinë e administratorit të ARMO-s, menjëherë pas blerjes së aksioneve nga shteti shqiptar, nuk ka paguar detyrime tatimore për disa vite, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej dhjetëra miliona eurosh. Prokuroria thotë se janë sekuestruar të gjitha praktikat e ndjekura nga Drejtoria e Tatimeve, e cila ka përpiluar gjobat ndër vite për kompaninë ARMO për mospagimin e taksave apo tatimeve. Mësohet se disa nga këto gjoba janë ankimuar në gjykatë, ndërsa disa të tjera janë pezulluar pa ndonjë argumentim.

Sipas kallëzimit nga Policia e Shtetit, që daton që nga tetori 2013, thuhet se abuzimi kap shifrën e gati 15 milionë dollarëve. Në këtë kallëzim, mësohet se krahas biznesmenit Rezart Taçi nën hetim u vunë edhe bashkëpunëtorët e tij. Ka dyshime se së bashku edhe me punonjës të tatimeve dhe me persona të tjerë, shtetas shqiptarë apo të huaj, thuhet në kallëzim, këta persona kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme, që përbëjnë elemente të veprave penale si evazion fiskal apo mashtrim financiar, përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve. Sipas kallëzimit, shkelja ka qenë mosdeklarimi i shitjeve pranë organeve tatimore i 566 mijë litrave naftë me vlerë të përafërt 486 mijë USD, të eksportuara nga kompania TAÇI OIL për shoqërinë malazeze “IK REAL D.O.O Podgorica”. Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave nga shoqëria ARMO sh.a., me administrator të përgjithshëm shtetasin Razart Taçi, me shumën 1.5 miliardë lekë. Ekspertët e antikrimit ekonomik dyshojnë se krijimi i disa kompanive prej Rezart Taçit, me të njëjtin objekt aktiviteti të angazhuara në një sërë transaksionesh financiare e bankare ndërmjet tyre, ka shumë mundësi të jetë bërë me qëllim mashtrimin me TVSH-në dhe fshehjen e të ardhurave. Në dosje u renditën edhe një sërë faktesh të tjera që lidhen me aktivitetin financiar të drejtuar nga Taçi apo kompanive të kontrolluara prej tij, që përfshijnë transaksione të dyshimta dhe xhirim të shpejtë parash në vlera të larta. Sipas të njëjtit sektor hetimi, në shumë nga këto operacione nuk ekzistojnë dokumentet bankare apo kontratat noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të fondeve dhe destinacionin e tyre pas tërheqjes. Në dosje ndodhen dokumente ku flitet për transferta prej 4.5 milionë eurosh në favor të shoqërisë ARMO, me arsyetimin kalim fondi, apo transferta të tjera të kryera nga shoqëria në fjalë për likuidim detyrimesh, të cilat janë zhdukur pa lënë gjurmë duke u tërhequr menjëherë brenda ditës.

Mohon akuzat

Biznesmeni Rezart Taçi nuk është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, megjithëse i është dërguar një fletëthirrje. Ai mësohet se veprimet ia ka deleguar avokatëve mbrojtës. Burime nga njësia Task Forcë pohojnë se prokurori Ndini Tavani ka lajmëruar avokatët mbrojtës dhe u ka komunikuar mbylljen e hetimeve, duke dërguar çështjen për gjykim. Mësohet se avokati nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria, me argumentimin se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Megjithatë, burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se hetimet janë drejt fundit dhe po bëhen veprimet e fundit para se çështja të kalojë në Gjykatën e Tiranës, me akuzën e evazionit fiskal dhe mospagimit të taksave dhe tatimeve. Në kallëzimin e Policisë përmendeshin edhe disa ish-zyrtarë të Tatimeve të Tiranës, të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në këto afera, duke favorizuar Taçin. Hetimet për këta zyrtarë janë veçuar.

Gazeta Shqip,  06.01.2015